Leiçester Siti prek titullin kampion

Leiçester Siti nuk ndalet në Premier Ligë, duke iu afruar më pranë fitores së titullit kampion. “Dhelprat” fituan me rezultatin 4-0 ndaj Suonsi Sitit pasditen e së dielës, duke kryesuar kampionatin anglez me 76 pikë. Me këtë fitore djemtë e Ranierit shkëputen me 8 pikë larg vendit të dytë, Totenhemit, i cili do të luajë nesër në mbrëmje ndaj Uest Bromuiç. Ëndrra e Leiçesterit për t’u ngjitur në majat e futbollit anglez vazhdon dhe besimi i ekipit duket se është rritur edhe për faktin se duhen edhe tri javë nga mbyllja e kampionatit.
I blerë me një buxhet të papërfillshëm, skuadra që po i drejtohet titullit kampion, Leiçesteri, tashmë duhet të nisë përgatitjen për Champions-in. Në tregun aktual, suksesi sjell një rritje të ndjeshme të vlerës së kartonit të futbollistëve në rast se, ata do të peshohen për t’u larguar. Secili prej lojtarëve të Klaudio Ranierit e ka rritur vlerën e tij në treg këtë sezon. Sot, skuadra e “dhelprave”, fiton apo jo titullin kampion, kushton shumë herë më tepër se 45.7 milionë paundët që vlente në fillim të sezonit.
Natyrisht që vlerën më të madhe në treg e kanë fituar dy simbolet e “Hirushes” së Premier Ligës, Rijad Mahrez dhe Xhemi Vardi. Nëse bosi i Leiçesterit do të detyrohet të shesë disa prej yjeve të tij në merkaton e verës, ai do të kishte mundësi të arkëtonte dhjetëra miliona paund, me të cilat do të kishte mundësi të bënte merkato, për të mos e humbur strukturën e skuadrës në sezonin e ardhshëm.
“Leiçesteri mund të fitojë Premier Ligën”. Më në fund, trajneri i ‘dhelprave’ foli për mundësinë që ekipi i tij ka për fitimin e titullit më të rëndësishëm në Angli.
Në deklaratat e tij të mëparshme, trajneri italian ishte treguar modest duke vlerësuar ecurinë e skuadrës dhe suksesin që arriti duke u kualifikuar për sezonin e ardhshëm të Champions League.
Aktualisht, Leiçesteri ndodhet në krye të tabeles më 73 pikë, i ndjekur nga Totenhemi me pesë pikë më pak. Diferenca e pikëve duket premtuese për Ranierin në kohën, kur kampionati anglez do edhe katër javë të përfundojë.