Hummels do qëndrojë me çdo kusht

Çfarë të ndodhë me të ardhmen e Mats Hummels, është kjo pyetja që shqetëson më shumë tifozët e Borussias së Dortmundit aktualisht. Kapiteni ka një kontratë me klubin verdhezi deri në vitin 2017 dhe frika se mund ta humbasin atë gjatë verës është shumë e madhe në klubin nga Signal Iduna Park. Hummels kërkohet nga shumë klube të mëdha europiane ku në radhë të parë qëndrojnë Barcelona dhe Bayern Munich, gjithsesi te Dortmundi nuk duan të privohen nga shërbimet e mbrojtësit 27-vjeçar dhe do të bëjnë gjithçka për të rinovuar marrëveshjen aktuale me kampionin e Botës.
Hummels ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me të ardhmen e tij dhe për momentin kapiteni i Dortmundit ka shumë dilema në kokë, të largohet për të gjetur stimuj të rinj apo të qëndrojë te Borussia dhe të shndërrohet në një ikonë të këtij klubi. I intervistuar nga mediat gjermane më konkretisht gazeta prestigjioze “Bild”, shefi ekzukutiv i Dortmundit, Hans Joachim Watzke deklaroi se ashtu siç ka bërë më herët më të tjerë futbollistë edhe për Hummels, klubi verdhezi do ta gjejë një zgjidhje.
Watzke theksoi se Dortmundi do të bëjë maksimumin për të mbajtur në skuadër lojtarë si Hummels e Mkhitaryan. Ndërkohë drejtori sportiv Michael Zorc nënvizoi se klubi është në bisedime me Mats për rinovimin, por ende nuk është arritur një marrëveshje.