Thohir kërkon një klub anglez

MILAN, ITALY - APRIL 03: President FC Internazionale Erick Thohir attends the Serie A match between FC Internazionale and Torino FC Milano at Stadio Giuseppe Meazza on April 3, 2016 in Milan, Italy. (Photo by Claudio Villa - Inter/Inter via Getty Images )

Erick Thohir ka vendosur të lërë Interin. Është ky konkluzioni “Gazzetta Dello Sport”, pasi ka konsultuar një seri të shumëfishtë burimesh. E përditshmja sportive italiane raporton se që në fund të vitit të kaluar, manjati indonezian i kishte dorëzuar Bankës “Goldman Sachs”, një mandat të plotë për të kërkuar një ortak jo vetëm për një pakicë aksionesh, por pa përjashtuar edhe hipotezën e dorëzimit të paketës së plotë të kontrollit të klubit. Tani Thohir është bindur për të dalë nga investimi zikaltër, pak rëndësi ka nëse kjo do të ndodhë menjëherë apo gradualisht. Gazzeta veç të tjerash bën të ditur se Thohir po tundohet nga ideja për të blerë një klub anglez, me indonezianin që ka bërë udhëtime të shpeshta në Londër, ku ka dhe ekipin malajzian, Tony Fernandez, President i QPR, me të cilin po konsultohet, pasi ka vënë në shënjestër skuadra si Fullham, skuadër e Londrës Perëndimore, ashtu si QPR. Në orët e vona të mbrëmjes së të premtes është zhvilluar në Pinetina një takim mes një delegacioni të Sunning, kolos i industrisë kineze dhe Thohir e Morattitt. Thohir vazhdon të thotë se është i gatshëm për të shitur një pakicë aksionesh dhe që do të qëndrojë në komandë te Interi, ndërsa Moratti përgënjeshtroi zërat për një rikthim të tijin në drejtimin e Interit, ndërkohë që dhe Pirelli përgënjeshtroi një përfshirje të gjigantit tjetër kinez ChemChina në operacione që kanë të bëjnë me Interin.
Vendi i tretë tashmë mund të shikohet me dylbi, por ky nuk është i vetmi problem në shtëpinë e Interit. Tani del në skenë edhe një histori spiunazhi. Drejtori Ekzekutiv i klubit, Bolingbroke, siç raporton e përditshmja “La Repubblica”, ju ka rekomanduar vartësve të tij gjatë një mbledhjeje që të bëjnë kujdes maksimal për të mos zbuluar sekretet e klubit. Motivi është, pasi ekzistojnë mundësi konkrete që persona të jashtëm të tentojnë të vjedhin sekretet, madje Boolingbroke ju ka treguar të pranishmëve, një aparat përgjimi, “çimkë” siç përdoret në gjuhën popullore, të cilën e kishte gjetur poshtë tavolinës së zyrës, duke ju kërkuar punonjësve të ruajnë me kujdesin më të madh të dhënat e klubit.
Ndërkohë situata financiare nuk është ndër më të mirat dhe mediat italiane njoftojnë për një takim mes disa emisarëve të një grupi të madh kinez dhe presidentit Erick Thohir, ku do të diskutohet për shitjen e një pakete të aksioneve të klubit. Tratativa është në fazë goxha të avancuar dhe manjati indonezian pritet të shesë 20% të aksioneve.