Përmbysje e çmendur e Real

Real Madridi ka bërë një përmbysje spektakolare sot në kampionat ku pas një disavantazhi prej dy golash ka fituar me rezultatin 3-2 në transfertë ndaj Rajo Vallekanos. Skuadra vendase i befasoi djemtë e Zidanit, duke krijuar epërsi të dyfishtë në pjesën e parë. Adrian Embarba shënoi në minutën e shtatë, ndërsa Miku dyfishoi shifrat në minutën e 14-të, duke shokuar totalisht “Galaktikët”.
Megjithatë, “Los Blancos” nuk u dorëzuan dhe ia dolën ta ngushtonin rezultatin para se të shkonin në dhomat e zhveshjes. Pas një harkimi nga këndi të Kros, Gareth Bale shënoi me kokë në minutën e 35’.
Ndërkaq me fillimin e pjesës së dytë, Lucas Vazquez barazoi rezultatin. Për të përmbysur gjithçka mendoi uellsiani Gareth Bale që realizoi edhe golin e dytë personal në këtë sfidë. Kjo ishte fitorja e nëntë radhazi në La Liga për Real Madridin, që ngjitet në krye të tabelës me 81 pikë, dy më shumë se Barcelona dhe Atletiko që nuk i kanë zhvilluar ende ndeshjet e kësaj jave.