Humles shpall divorcin

Borusia Dortmund pritet që këtë verë të humbë katër shtyllat e skuadrës: Mats Humels, Ilkai Gyndogan, Henrik Mikhitarjan dhe Marcel Shmelcer, të cilëve u skadon kontrata në vitin 2017. Klubi verdhezi po bën të pamundurën t’u rinovojë kontratën, por duket se katër lojtarët kanë refuzuar ofertat e drejtuesve. I vetmi që ka rinovuar ishte qendërmbrojtësi Sven Bender, i cili nënshkroi deri në vitin 2021. Humels, pa gjumë. Ndërkohë, e ardhmja e kapitenit të Dortmundit, Mats Humels, do të vendoset në fund të sezonit. Një kampion bote, të cilin do ta donte çdo ekip elitar në Europë.
27-vjeçari gjerman pas fitores 3-0 ndaj Hertës në gjysmëfinale të Kupës ka pohuar se po mendon çdo ditë për të ardhmen. “Mendohem gjithnjë para se të fle gjumë. Vendimi për të ardhmen më kushton çdo ditë 30 minuta para gjumit”, nënvizoi qendërmbrojtësi Mats Humels, duke nënkuptuar një rikthim të mundshëm te Bajerni. “Ka për të qenë një vendim i vështirë. Kur të jap këtë verdikt, atëherë do të më kuptojnë të gjithë pse ka qenë aq e vështirë për mua”. Kjo deklaratë ka sjellë shumë pakënaqësi në radhët e tifozëve, për më tepër që Dortmundi do të përballet në finale ndaj Bajernit.