Faleminderit Mark

Çim PEKA

Portalit SYRI.net, pas pak kohësh do të shënojë 1-vjetorin e themelimit dhe daljes në tregun mediatik elektronik. 1 vit më parë, ne që punojmë në këtë hapësirë të lirë ishim entuziast se do të mund të bënim diçka të mirë në lëmin e informacionit virtual. Ishim të vetëdijshëm se tregu tashmë nuk është aspak i lehtë për të penetruar, dhe se disa piketa të rëndësishme ishin vendosur shumë përpara se ne të bëheshim pjesë e këtij standardi të informimit.
Por ajo që ndodhi ishte realisht në kufijtë e të paimagjinueshmes.
Edhe në pritshmëritë tona më optimiste, ne nuk do ta besonim kurrë atë SYRI.net arriti në 6 muajt e parë, ndërsa sot pas 1 viti jemi akoma duke kuptuar se ç’farë kemi bërë që 800 mijë shqiptarë zgjedhin çdo ditë të informohen në portalin tonë. Kjo nuk na ka bërë aspak të ulim ritmin e misionit që i kemi vënë vetes, atë që çdo informacion, e përsërisim çdo informacion që ka vlerë për publikun shqiptar, ne e publikojmë në portalin tonë. Sqarim, çdo informacion që ka rëndësi për publikun, plus edhe ato që kanë shumë rëndësi për politikën që të mos dalin.
Dhe ndoshta ne këtu e kemi tepruar pak. Ose më saktë ne kemi tepruar keq fare.
Aq keq, saqë në dy ditët e fundit, portali SYRI.net ra pre e një sulmi kibernetik që siç na e përshkruan gardianët e serverave tanë ishte një “intifadë” elektronike nga ato që vetëm Anonymous mund të bëjë. Ata që e njohin botën kibernetike e kanë idenë se për çfarë po flasim. Ne nuk jemi aq delirantë të besojmë se Anonymous që i ka shpallur luftë kibernetike ISIS-it, të sulmojë serverat tanë, por paralelizmi mëton të shpjegojë natyrën e sulmit që kemi patur. Neve nuk na shqetëson aspak sulmi kibernetik, sepse për fushën ku operojmë këto fenomene janë natyrale.
Por ajo që na ka bërë të mendojmë është se pse sulmi është ndërmarrë ndaj portalit SYRI.net pikërisht në 3 ditët e fundit?!…Pse pikërisht SYRI.net, portali pararojë i publikimit të informacionit që ka të bëjë pështjellimin e që ka përfshirë politikën shqiptare me arrestimin e Emiljano Shullazit dhe shokëve të tij, u sulmua me një virus 60 giga?!…
Në morinë e informacionit që kemi publikuar (dhe prisni se nuk keni parë ende asgjë), ne e kemi pak të vështirë të kuptojmë se ku e shkelëm (vijën e kuqe)? Kur nxorëm fakte sesi policia e Saimir Tahirit nuk pranonte të arrestonte Shullazin, apo tek fakti që informacionet e publikuara prej nesh faktojnë se “mandati” i Shullazit për të kërcënuar Mynyr Konin, buron nga Surreli?!…
Apo frika buron tek ajo që ne dimë se kë ka kërcënuar Shullazi përpara se të kërcënonte Mynyr Konin, përpara se ti vinte gjoba Çet Kastratit, pronarit të Pasccuccit dhe atij ndërtuesit tjetër?
Dhe ajo që dimë ne është ajo që Rama e di mirë, dhe ai e di mirë që edhe ne e dimë po aq mirë. SYRI.net i është në dijeni se të gjithë treguesit logjikë, politikë dhe elektronikë (siç na rezulton), na konfirmojnë se sulmi ndaj portalit SYRI.net është urdhëruar nga (zyra me kosh basketbolli) në Kryeministri. Në të njëjtën zyrë ku bujt nursëzi-kryeministër që po e kundërshtove e po i dole kundër, ai të trajton si diversant si ato të filmave të realizmit socialist dhe të godet anijen në det.
Gjithsesi, le ta sqarojmë këtë njëherë e mirë.
Ç’farë nuk të vret, të bën më të fortë!… Ne e lexuam qartë  mesazhin që erdhi përmes sulmit 3 ditor ndaj SYRI.net. Ne kuptuam se ne jemi në “Drejtimin e Duhur” po të doni që të flasin në gjuhën tuaj, në punën tonë. Ne e kuptuam se në një vit ne kemi arritur që të jemi media e identifikuar qartë si jo e kapur nga qeveria, përballë shumicës dërrmuese të mediave që e kanë pranuar këtë nënshtrim sidomos me dëshirë. Ne e kuptuam se çdo të thotë të mos jesh një media që ushqehesh me tendera dhe me udhëtime falas të sponsorizuara prej parasë publike. Ne e kuptuam se çfarë do të thotë të jesh një media që përballë kriminelit i del në krahë akademikëve, që përballë “Dekanit të Krimit” zgjedh Rektorin e Universitetit e që përballë çorbës së propagandës së mëkuar nga Endri Fuga, zgjedh të publikosh filozofinë e lirisë së Artan Fugës.
E duke qenë se në 1 vit ne arritëm të “fitojmë” me djersën e arsyes përmes informimit “mllefin e qeverisë”, e garantojmë atë dhe këdo tjetër që punon në dëm të interesit të shqiptarëve, se qëllimet tona kanë ndryshuar veç pak në misionin tonë.
Thënë kjo, 800 mijë klikimet ditore që kemi aktualisht, po punojmë fort, po fort aman që ato 1 milion vota për të cilat krenoheni se keni marrë ne një ditë të vetme në 23 qershor të 2013-ës, sëshpejti do t’ua kthejmë në 1 milion klikime-shpulla në ditë, çdo ditë e përditë, dhe e gjitha kjo nën shembullin e premtimit tuaj solemn: Prisni, prisni se vërtetë nuk keni “lexuar” ende asgjë!…