Drejt përballjes, Shullazi në qeveri do të shporret

Brenda tre ditëve të fundit Rama dhe Tahiri e kanë kthyer zemërimin për arrestimin e ushtarit të tyre të krimit, Shullazi në një hakmarrje të verbër ndaj atyre që e kanë çuar në qeli. Fillimisht u sulmua Prokuroria, e cila së bashku me Shërbimin Informativ dhe shërbimet partnere planifikuan deri në detaje arrestimin e bosit të krimit të organizuar.
Në fjalën e mbajtur në Parlament, Rama u mundua që të hedhë baltë mbi Prokurorinë, duke deklaruar se ishte ky institucion, i cili për shumë kohë kishte refuzuar që të lejonte policinë për të përgjuar Shullazin. Deklaratë e bërë disa herë nga Rama në sallën e Parlamentit u përgënjeshtrua nga vetë ministri i Brendshëm, Tahiri, i cili tha se ai ishte një lapsus i Ramës. Se çfarë ka ndodhur në ato momente që e bënë Tahirin të reagonte, duke përgënjeshtruar Ramën është e kuptueshme. Ai përgënjeshtrim erdhi pas një reagimi të fortë të institucioneve që i bënë një paralajmërim të fortë Ramës.
Ajo deklaratë mashtruese e Ramës ishte shenja e parë e humbjes së ekuilibrit të kreut të qeverisë. Zemërimi i arrestimit të mikut terrorist i ka eurrësuar arsyen. Pas Prokurorisë, Rama u hakmorr një ditë më pas ndaj ish-Kryeministrit Berisha, njeriut i cili me denoncimin e bërë publik të shtunën e kaluar çoi direkt në ndalimin e Shullazit. Deputetët e Ramës në Byronë e Parlamentit vendosën ta përjashtojnë Berishën me 10 ditë nga Parlamenti, një vendim i cili është paralajmëruar se do të ketë një reagim të fortë nga ana e opozitës dhe se nuk do të mund të tolerohet. Se cili do të jetë ky vendim kjo pritet të shihet ditën e hënë kur është dita që ndaj Byrosë skadon koha e lënë në dispozicion nga PD për t’u tërhequr nga vendimi i përjashtimit të Berishës. Po të hënën pritet të vendosen edhe hapat e mëtejshëm që do të ndjekë PD.
Hakmarrja e verbër e një të marri që ka humbur logjikën nga arrestimi i Shullazit erdhi edhe ndaj një biznesmeni dhe ish-deputeti. Neranxi deklaroi pak orë pas deklaratës së Berishës se shqiptarët duhet të kenë të drejtën e vetmbrojtjes përmes një ligji të ri për armët se e mbështeste propozimin e Berishës. Pas kësaj deklarate, Neranxi është arrestuar nga policia me një pretekst qesharak, atë të parkimit të gabuar.
Këto veprime hakmarrëse flasin për dëshpërimin e kupolës së krimit në qeveri. Mili i partisë nuk do t’i kthehet më dhe ata e kanë të vështirë që të bëjnë llogaritë e terrorit politik në zgjedhje si dhe në goditjen me gjoba ndaj biznesmenëve.
Situata është tejet shpërthyese. Dekonspirimi i lidhjeve kriminale të Ramës dhe Tahirit me kreun e krimit të organizuar në Shqipëri ka sjellë një reagim të fortë në opinion. Deri tani kanë reaguar institucionet, të cilat kanë thënë fjalën e tyre, ndërsa revolta zien jo më ndaj një krimineli, por ndaj tutorëve të tij që janë në krye të qeverisë.
Mënyra se si po reagon Rama është ai e një personi që po përpëlitet për t’i shpëtuar zemërimit popullor duke treguar muskujt me disa vendime si ai i përjashtimit të ish-Kryeministrit Berisha nga punimet e Parlamentit për 10 ditë. Kjo provë force e Ramës mund t’i kthehet atij në ditët e ardhshme edhe në gafën fatale që vështirë se do të mund ta shpëtojë nga rrëzimi.
Askush sot nuk mund të pranojë që t’i imponohet qeverisë me rregullat e Shullazit. Parlamenti nuk mund të kthehet në një qeli si ajo ku qëndron Shullazi. Meqenëse Shullazi nuk është më në liri, askush nuk mund të pranojë Ramën që t’i heqë lirinë e fjalës në Kuvend ish-Kryeministrit që denoncoi kreun e krimit të organizuar në vend.
Ora e revoltës popullore është më afër se kurrë. Një shkëndijë e saj mund të shpërthejë nga dita në ditë dhe ajo mund të djegë Shullazin në qeveri ashtu sikurse ai nuk e ka menduar kurrë më parë. Largimi i tij nuk është më një çështje që vihet në diskutim. Kjo është çështje ditësh apo javësh. Fundi i tij është i pashmangshëm.

A.SHAHINI