Çmenduri 47 milionë paundëshe me agjentët

Tarifat ndërmjetësuese për transferimet e futbollistëve përbëjnë shpesh një pengesë të pakalueshme në negociatat zyrtare dhe ato që zhvillohen prapa kuintave, e ndonjëherë edhe skuadrat më të njohura i dorëzohen influencës gjithmonë e më të shtuar të palëve të treta. Statistikat e fundit në “Premier League”-n angleze tregojnë se, ekipet elitare kanë shpenzuar 47 milionë paund për pagesat e agjentëve dhe prokuratorëve në harkun e vetëm 4 muajve.
Manchester United kryeson këtë listë aspak të dëshiruar, me mbi 10 milionë paund në gjysmën e parë të sezonit, çfarë përfaqëson pjesën më të madhe të “tortës”, që kanë përfituar të tretët për ndërmjetësimin. Mes negociatave më të sikletshme ishin shitja e Angel Di Maria te Paris St Germain, blerja e Memphis Depay dhe firma e portierit De Gea në kontratën e re. Ka një hendek të dukshëm me vendin e dytë në rangun e shpenzimeve për agjentët, pozicion që mbahet nga Liverpool. Edhe skuadra tjetër “e kuqe” ka pronësi amerikane dhe ka derdhur mbi 6.6 milionë paund te prokuratorët dhe kompanitë menaxhuese të lojtarëve.
Manchester City është i treti, që ka vuajtur nga taksimet ekstra për blerje apo largime, ndërsa jo më pak ka shpenzuar edhe Arsenali në 4 muaj. Shifrat e reja, të ofruara zyrtarisht nga Federata angleze, janë në kontrast të plotë me rregullin e “Fair Play Financiar”, aq shumë të kërkuar nga UEFA dhe FIFA.
Ndërkohë, trajneri i ri i Chelseat, Antonio Conte, po përgatit listën e kërkesave të tij në merkaton e transferimeve. Tekniku italian që do të marrë drejtimin e klubit londinez pas përfundimit të Euro 2016 i ka kërkuar Abramoviç të sjellë në skuadër një mbrojtës e një sulmues. Kaq i ka mjaftuar manjatit rus të Chelseat që të hedhë sërish sytë nga Everton për të tentuar blerjen e John Stones dhe Lukaku.
Mësohet se për të dy këta futbollistë, “Blutë e Londrës” janë gati të ofrojnë 90 milionë euro, ndërkohë që Everton kërkon 50 milionë për Stones dhe 60 milionë për Lukakun. Por jo vetëm kaq, Chelsea duket se ka hedhur sytë edhe nga Roma, duke vënë në shënjestër mesfushorin Nainggolan. Për futbollistin e përfaqësueses belge, kampionët e Anglisë janë gati të ofrojnë 35 milionë euro.