Barcelona mund të shesë Neymarin

E ardhmja e Neymarit prej muajsh është kthyer në objekt diskutimi në ambientet e Barcelonës. Pavarësisht deklaratave të drejtuesve të klubit për rinovimin e shpejtë të kontratës së tij, deri tani nuk është bërë shumë në lidhje me këtë çështje. Kjo ka bërë që të ngrihen disa hipoteza, ku ajo për të cilën po flitet më shumë ka të bëjë me financat, kjo edhe për shkak të vështirësive të Barcelonës për të nënshkruar një kontratë sponsorizimi për sezonin e ardhshëm.
Sipas asaj që publikon tabloidi “The Sun”, dilema e kampionëve të Spanjës është të rinovojnë me Neymarin apo të garantojnë shëndetin financiar të klubit. “The Sun” thotë gjithashtu se, Neymari do të përfitojë me kontratën e re 100 mijë euro në javë, gjë që mund të asfiksojë financat e Barcelonës që në vitet e ardhshme do të përballet edhe me një investim të rëndësishëm: ndërtimin e “Camp Nou”-t të ri.
Nga kjo situatë do të kërkojë që të përfitojë Manchester United, që është një prej pretendentëve për blerjen e brazilianit, së bashku me Paris Saint Germain. Sipas “The Sun”, “Djajtë e Kuq” janë gati t’i ofrojnë Neymarit një pagë 3 herë më të lartë për ta bindur atë të transferohet në “Old Trafford”.