Banda kriminale në polici rrëmben biznesmenin Neranxi

Policia e Tiranës arrestoi dje biznesmenin e njohur Nikollaq Neranxi. Arrestimi i biznesmenit të njohur bëhet vetëm 24 orë, pasi ai mbështeti propozimin e ish-Kryeministrit Berisha për një ligj për armët, duke marrë si shembull grabitjen që kishte ndodhur në biznesin e tij. Policia bëri të ditur se shoqërimi i biznesmenit në Komisariatin Nr.6 është bërë për shkak se ka kundërshtuar forcat policore për vendosjen e një gjobe për makinën e tij, por në fakt arrestimi i biznesmenit është bërë për hakmarrje.
Fillimisht, policia njoftoi se ka shpallur në kërkim biznesmenin e njohur Nikollaq Neranxi. Rreth orës 16:10, Neranxi ka debatuar me policët që po i vinin gjobë makinës së tij, në një nga rrugët dytësore të autostradës Tiranë-Durrës. Neranxi po udhëtonte drejt qendrës së biznesit të tij, pasi po zhvillonte Panairin e Kulinarisë 2016. Pas debateve për gjobën, policia ka kërkuar që të arrestojë biznesmenin, por është penguar nga rojet e tij, të cilët janë shoqëruar në polici.
Më pas, biznesmeni është mbyllur në biznesin e tij ku po zhvillohej panairi, ndërsa të gjithë punonjësit e revoltuar kanë protestuar kundër forcave të policisë. Ndërsa Neranxi ka vijuar me aktivitetin e biznesit të tij, dhe është vetëdorëzuar më pas në Komisariatin Nr. 6 për të dhënë shpjegime.
“Unë do shkoj në polici për t’u sqaruar, të nderuar pjesëmarrës, njoftoni ambasadat, Shqipëria dhe shqiptarët po arrestohen. Përjashta, përjashta policia, shikojini dokumentet nuk ka mundësi që të jenë polica, Policia e Shtetit është shumë e respektuar nga ne. Nxirrini përjashta…”, dëgjohet të thotë Neranxi në një video që tregon momentet e tensionit në biznesin e tij ku po zhvillohej panairi.
Nikollaq Neranxi është President i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut të Shqipërisë dhe mjaft aktiv në publik muajt e fundit. Neranxi ka qenë në ballë të protestave të tregtarëve para Bashkisë së Tiranës, duke kundërshtuar rritjen e taksave. Neranxi, në emër të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut, e ka paditur Bashkinë e Tiranës në Gjykatën Administrative për rritjen e paligjshme të taksave. Po ashtu, Neranxi ka qenë mjaft aktiv në media, duke kundërshtuar me argumenta rritjen e taksave për tregtarët nga Veliaj.
Pak ditë më parë, në një status në Facebook, biznesmeni i njohur denoncoi paaftësinë e policisë për të gjetur grabitësit e biznesit të tij. Ai u shpreh pro ndryshimit të ligjit për armët, duke përmendur faktin se prej 14 muajsh, policia nuk kishte asnjë gjurmë nga grabitësit. Ndërsa dy ditë më parë, botoi në median e shkruar një koment ku argumentonte se përse e mbështeste idenë e ish-Kryeministrit Berisha për propozimin e ish-Kryeministrit Berisha për një ligj për armët, duke marrë si shembull ligjin amerikan. Neranxi argumentonte se pajisja me armë është e domosdoshme për shkak se nuk ka siguri dhe rend. Ai shkruante para disa muajsh i ishte grabitur biznesi nga disa persona me maska dhe autorët akoma nuk janë zbuluar dhe arrestuar nga policia.

Arrestimi i biznesmenit, Berisha: Hakmarrje primitive e Edvin Shullazit

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ashpër për arrestimin e biznesmenit të njohur Nikollaq Neranxi. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan: “Hakmarrje primitive e Edvin Shullazit!
Çunat e krimit arrestojnë presidentin, avokatin e fuqishëm të biznesit shqiptar, biznesmenin e njohur, Nikollaq Neranxi”!
“Të dashur miq, në një akt hakmarrjeje primitive, për mbrojtjen burrërore të të drejtave të bizneseve të vogla dhe të mesme nga arbitrariteti qeveritar, Edvin Shullazi ka urdhëruar sot falangat e krimit ta arrestojnë atë. Ky është një akt i shëmtuar stalinist ndaj një avokati të fuqishëm të të drejtave ligjore të biznesmenëve shqiptarë.
Theksoj këtu se qëndrimet dhe pretendimet e drejta te zotit Neranxi në mbrojtje të biznesit, gjetën mbështetje të plotë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Kjo Gjykatë gjeti antikushtetuese ligjin ndëshkues ndaj biznesit të Edvin Shullazit”, shkruan Berisha në Facebook.
Ish-Kryeministri Berisha i kërkon Prokurorisë të vendosë para ligjit autorët dhe urdhërdhënësit e këtij akti të shëmtuar shtetëror. “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt stalinist banditesk të hajdutëve të shtetit ndaj përfaqësuesit të biznesit shqiptar dhe interesave të tij legjitime, i bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të vendosë para ligjit të gjithë autorët dhe urdhërdhënësit e këtij akti të shëmtuar shtetëror”, shkruan Berisha.
Në një tjetër reagim në Facebook, Berisha publikon mesazhin që i ka ardhur nga vetë Neranxi. Në mesazhin dërguar Berishës, Neranxi shkruan: “Në këto momente që jam në punën time, në pronën time dhe po bëj një aktivitet për të cilin kam muaj që përgatitem, në pronën time, Policia e Shtetit që paguhet me taksat e mia, ka ardhur të më arrestojë. Nuk kam bërë asnjë krim për të cilin ato po e bëjnë këtë veprim. Merrni masa për këtë marrëzi!.N.Neranxi”.
Deputeti i PD, Gerti Bogdani dhe disa deputetë të tjerë kanë shkuar në Komisariatin Nr.6 dhe kanë kërkuar lirimin e biznesmenit Neranxi. Bogdani deklaroi për mediat se arrestimi i biznesmenit është bërë për hakmarrje pse protestoi kundër rritjes së takasave nga Bashkia e Tiranës.

Neranxi në komisariat: Nuk ka urdhër ndalimi nga Prokuroria!

Biznesmeni Nikollaq Neranxi tha se është shoqëruar në mënyrë të paligjshme nga Policia e Tiranës. Në një reagim për mediat, kompania e tij thotë se: “Biznesmeni Nikollaq Neranxi shoqërohet në ambjentet e Komisariatit Nr. 6 në mënyrë të kundraligjshme, pa një urdhër ndalimi nga Prokuroria. Ai mbahet brenda këtyre ambjenteve për mbi 3 orë, duke iu mohuar edhe e drejta e mbrojtjes nga avokatët.
Forcat e policisë, kanë hyrë forcërisht në ambjentet e shoqërisë Neranxi gjatë organizimit të Panairit të Kulinarisë, në prani edhe të trupit diplomatik. Pretendimi për shoqërimin për më shumë lidhet me kundravajten penale “Kundërshtim i forcave të rendit”; kundravajtje kjo për të cilën nuk parashikohet ndalimi nga organet kompetente”.
Neranxi tha për mediat se, punonjësit e policisë i kishin ardhur rreth orës 12:00 të ditës, duke i deklaruar se do ta shoqëronin. Ai thotë se nuk e kuptonte se për çfarë ndalohej, duke shtuar se respektonte Policinë e Shtetit dhe se ishte i gatshëm t’u përgjigjej pyetjeve në komisariatin e policisë. “Kishin ardhur kompani nga Evropa për t’u treguar konsumatorëve shqiptarë dhe tregtarëve shqiptarë si shijohet dhe si gatuhet në Evropë. Nga ora 02:00 na vijnë një grup policësh ku më thonë: Zt. Neranxi do t’ju arrestojmë dhe do t’ju çojmë në Komisariatin Nr. 6.
Mirë, u thashë, po të paktën nga ora 06:00 të mbarojë aktiviteti. Jo-thanë-është me urdhër! Më erdhi keq, pasi ishte edhe ambasadorja e Kinës. Ajo mbeti e shokuar se si mund të arrestohet një biznesmen me emër që ka bërë markë në Shqipëri dhe për tepër, që unë jam përfaqësuesi i mbrojtjes së tregtarëve dhe tregtisë në Shqipëri. Të gjithë u shokuan, por unë s’kam pse shokohem! Unë do të dorëzohem”, deklaroi Neranxi për mediat.

R.POLISI