Shullazi në qeveri po kërkon të djegë Kuvendin, PD paralajmëron

Në një akt hakmarrjeje të pastër të denoncimit që ish-Kryeministri Berisha i bëri Shullazit që çoi edhe në prangosjen e tij, sozia e tij në Kryeministri ndërmori dje në Byronë e Kuvendit vendimin për përjashtimin e Berishës nga Parlamenti për një afat prej 10 ditësh.
Ky është një ndër vendimet më të rënda të kësaj Byroje dhe pasojat e saj mund të jenë mjaft të rënda. Një Parlament që komandohet nga qelitë e burgjeve ku mbahet kreu i organizatës kriminale Shullazi nuk i duhet askujt. Ai nuk është më një Parlament.
Arrestimi i Shullazit e ka çuar Ramën deri aty sa zemërimi ta bëjë të djegë edhe institucionin më të rëndësishëm në vend që është Parlamenti. Përjashtimi i Berishës nuk është thjesht dhe vetëm një vendim ndaj një ish-Kryeministri, por është një dënim ndaj atij që guxoi të denoncojë kreun e krimit të organizuar në Shqipëri. Kjo i kalon të gjitha caqet dhe deputetë, opozita dhe shqiptarët janë sot para alternativës ose të pranojnë një Parlament të nënshtruar nga Shullazi në qeveri, ose të kthejnë dinjitetin në atë sallë.
Rama është i verbuar se i ka rënë në burg ortaku në krime dhe gjobëvënie, por kjo nuk është një alibi që ai të tolerohet të djegë Parlamentin. PD ka paralajmëruar dje Byronë që të tërheqë me urgjencë vendimin për përjashtimin e Berishës, në të kundërt është e qartë se ai Parlament nuk do të mund të funksionojë as edhe një moment të vetëm.
Vendimi i marrë dje nga Parlamenti është një vendim tërësisht antikushtetues. Përpjekja e një grupi burracakësh dhe mjeranësh që votuan dje përjashtimin e liderit të demokracisë nuk gjen kushtetueshmëri, legjitimitet, rregullim dhe standard demokratik ku të mbështetet, përveçse në Kushtetutën e diktatorit Enver Hoxha, ligjet e agjitacion-propagandës, rregulloret e Shqipërisë-burg dhe standardet e mafias.
Tufa kriminale e shërbëtorëve dhe vasalëve që Rama ka në Parlament nuk mundet të imponojnë më asgjë në këtë vend, e për më tepër ta shndërrojë Parlamentin në një teatër kukullash. Edi Rama nuk mundet të dërgojë mesazhe shprese për të burgosurin Shullazi, duke ndëshkuar opozitën.
Parlamenti nuk mund të shndërrohet në një dhomë burgu, ku deputetët të flasin sipas oreksit të kapobandës. Vërtet ata që votuan dje përjashtimin e Berishës dhe një pjesë tjetër që janë zgjedhur sipas kriterit “kush është më i inkriminuar” mund të jenë delet e Ramës, por Parlamenti është i Shqipërisë. Parlamenti nuk mund të vihet nën thundrën e krimit dhe ligji i mafias të bëhet Kushtetuta e vendit.
Parlamenti ka marrë dje goditjen më të rëndë. Realisht, opozita dhe Partia Demokratike kanë përjetuar në atë sallë plumba, grushta, dhunë, fyerje, por kurrë si dje nuk kishte ndodhur që një deputet të përjashtohej pse foli lirisht, pse propozoi një iniciativë ligjvënëse, pse ushtroi detyrën e tij kushtetuese, mandatin që i kanë dhënë qytetarët shqiptarë.
Më herët këta këlyshë të komunizmit ishin justifikuar se aktet e rënda ndaj opozitës kishin ndodhur për shkak të të çmendurve apo kriminelëve që ishin në radhët e tyre. Vendimi i djeshëm për përjashtimin e Berishës nga Parlamenti, nuk na lë as këtë herë të dyshojmë në alibinë e tyre se Rama është edhe i çmenduri edhe krimineli në radhët e tyre, por nuk jemi të sigurtë se sa të çmendur dhe të kriminalizuar janë pjesa tjetër që i shkojnë pas.
Partia Demokratike ka një përgjigje për këtë provokim të rëndë dhe përpjekje për të shkatërruar parlamentarizmin në këtë vend. Vërtet Rama dhe banda e tij në pushtet është nisur për të bitisur në qelinë e Shullazit, por nuk do të mund ta marrë me vete as lirinë, as demokracinë dhe as guximin e shqiptarëve. Lirinë dhe demokracinë i kemi nxjerrë nga burgu më ’90 kur shembëm diktaturën më të egër të Lindjes komuniste dhe Rama nuk ka takat t’i ndryjë më në qeli. Parlamentin, shtëpinë, pronat, liritë, të drejtat dhe atdheun do t’i mbrojmë edhe deri me armë, pasi Kushtetuta dhe ligji nuk janë më në shërbim të diktaturës dhe diktatorit, por të demokracisë dhe qytetarit.
Vendimi i koalicionit të qelbësirave për të përjashtuar ish-Kryeministrin Sali Berisha nga Parlamenti për 10 ditë është më shumë se një skandal, pasi e rikthen Shqipërinë 60 vite më pas në vitet e terrorit komunist.
Në pranverën e vitit 1946, diktatori Enver Hoxha vendosi eliminimin e opozitës, për arsyen e vetme se ata nuk ishin dakord me politikat kriminale të qeverisë komuniste dhe përdorën mjetet demokratike në Parlament për të ndalur revanshin e regjimit. Fatkeqësisht, vendimi i djeshëm i shumicës është një hakmarrje e pastër politike ndaj liderit antikomunist Sali Berisha, i cili ka përdorur fjalën e lirë në Parlament për të denoncuar krimet dhe korrupsionin e pushtetit dhe ka kërkuar që ligji të lejojë shqiptarët të mbrohen nga furia e bandave qeveritare që po terrorizojnë të madh e të vogël në mbarë vendin.
Njësoj si edhe 60 vite më parë, kur udhëronte diktatori Hoxha, Parlamenti iu nënshtrua dje urdhrave të Kryeministrit Rama, për të dënuar një anëtar të Parlamentit pse pati kurajo të tregonte publikisht nga podiumi i Parlamentit lidhjet e krimit me qeverinë, me Kryeministrin dhe me ministrin e Brendshëm.
Ky nuk është rasti i parë që kjo mazhorancë ndëshkon opozitën për fjalën e lirë dhe kërkon ta shantazhojë, dhunojë, frikësojë, deri edhe t’i përjashtojë nga Parlamenti për t’i mbyllur gojën deputetëve.