SHBA e shqetësuar për praninë ruse në Siri

Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim lidhur me njoftimet se Rusia po dërgon më tepër pajisje dhe personel ushtarak në Siri, ndërsa zyrtari më i lartë i NATO-s thotë se, armëpushimi mbetet mundësia më e mirë për një zgjidhje paqësore të krizës.
“Do të ishte diçka negative për Rusinë, që të çonte pajisje të tjera ose personel ushtarak në Siri”, tha Ben Rhodes, Zëvendëskëshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara.
Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes dhe të zbulimit thonë se, Rusia e ka rritur vazhdimisht praninë përreth qytetit të rëndësishëm verior të Alepos, në prag të një përpjekjeje të re ushtarake nga forcat besnike të Presidentit sirian Bashar al-Assad.
Në fillim të javës, në një bisedë telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin, Presidenti Obama theksoi rëndësinë që të gjitha palët t’i mbajnë premtimet e marra kur u arrit marrëveshja e armëpushimit.
Rusia njoftoi në mars se po i tërhiqte pjesërisht forcat ushtarake nga Siria, por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se, “ajo ka ruajtur një prani të konsiderueshme ushtarake” në mbështetje të qeverisë së Presidentit sirian Bashar al-Assad. Zoti Stoltenberg, i cili foli të enjten në Ankara, tha se megjithëse marrëveshja  e armëpushimit e arritur dy muajt e fundit, është nën presion, ajo përsëri përfaqëson shansin më të mirë për paqen në Siri.