Ronaldo drejt rinovimit me Realin

Paris Saint Germain, Manchester United, por edhe Manchester City duhet ta harrojnë Cristiano Ronaldon, sepse sulmuesi portugez do të largohet nga Reali i Madridit vetëm në momentin që gjendja e tij fizike nuk do ta lejojë të luajë në nivelet më të larta. Aktualisht, Ronaldo mund të përkufizohet më së miri me fjalën “shkëmb”, pasi rendimenti i tij gjatë këtyre viteve të fundit ka qenë me të vërtetë mbresëlënës me luzitanin që shumë rrallë mund të ketë pasur ndonjë problem të vogël fizik. Kjo është një nga arsyet kryesore që te Reali i Madridit nuk duan të humbasin kurrësesi shërbimet e yllit të skuadrës së tyre. Gazeta madrilene “AS” raporton se për disa muaj agjenti i Ronaldos, Jorge Mendes ka nisur bisedimet me drejtuesit e Los Blancos për një rinovim të mundshëm të kontratës nga ana e klientit të tij.
CR7-ta aktualisht ka një marrëveshje që e lidh me klubin merengues deri në vitin 2018, por palët po punojnë që 31-vjeçari të nënshkruajë një kontratë të re të vlefshme deri në vitin 2020 ose 2021. Që nga momenti që ka mbërritur në Madrid, 3-herë fituesi i Topit të Artë ka thyer çdo rekord, duke shënuar një breshëri me gola. Nëse Ronaldo firmos kontratën e re deri në vitin 2021, atëherë ai do të largohej nga Reali në moshën 36-vjeçare ndoshta për të vazhduar një eksperiencë të re në një kampionat më pak kompetitiv si Major League Soccer e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë tifozët e Realit mund të marrin frymë lirisht, sepse dëmtimi që pësoi sulmuesi luzitan në ndeshjen ndaj Villarealit nuk është serioz dhe Cristiano do të mungojë vetëm në ndeshjen e ardhshme ndaj Rayo Vallencanos, ndërsa do të mund të zbresë rregullisht në fushë në takimin e parë gjysmëfinal të Championsit ndaj anglezëve të Manchester City-it.