Rama-Shullazi-Tahirit po u vjen fundi

Lulzim BASHA

Në Shqipëri ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndësishme, e cila vlen shumë më tepër se logoretë e dala boje të Edi Ramës.
Prokuroria, pjesa e pakapur nga Edi Rama, pjesa jashtë kontrollit të Edi Ramës, ka vënë në pranga kryetarin e një bande të armatosur që është rritur këto tri vite jo vetëm nën hundën, por me mbështetjen e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, që ka krijuar një shtet brenda shtetit apo më saktë shtetin Rama-Tahiri-Shullazi, jo në shpellë, por në mes të Tiranës e Durrësit, në mes të kryeqytetit të një vendi të NATO-s, që ka grabitur, gjobitur, terrorizuar deri profesorët e universiteteve duke iu kërkuar të tërhiqen nga zgjedhjet, tamam si banda e punëve të pista të Edi Ramës.
Gjithë Tirana e di. Tani po e merr vesh gjithë Shqipëria si bëhesh pronar në shtetin Rama-Tahiri-Shullazi, si bëhesh pasanik në shtetin Rama-Shullazi-Tahiri: duke grabitur me armë në dorë, duke gjobitur me armë në dorë, duke kërcënuar qytetarët, pronarët, biznesmenët, nëpunësit o jetën o pronën, o firmën o pronën o plumbin.
Tirana dhe gjithë Shqipëria është më e lehtësuar nga arrestimi i kapobandës. Biznesi gjithashtu. Zyrat e shtetit ku banda bënte ligjin me bekimin e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit kanë filluar të marrin frymë.
Edi Rama dhe Saimir Tahiri sigurisht janë në zi. Janë në zi dhe në tmerr se çfarë do të flasë ky. Asnjë fjalë nuk kanë thënë në mbështetje të Prokurorisë.
Logoreja e sotme e Kryeministrit është investimi i fundit për t’i dhënë gajret bandës, për të dekurajuar hetimin e Shullazit, për të nxjerrë të palarë bandën, për t’ua lëshuar përsëri qytetarëve, biznesmenëve atë dhe dhjetëra banda të tjera që terrorizojnë sot qytetet në emër dhe me bekimin e Edi Ramës.
Ai po bën çdo përpjekje për të larguar vëmendjen nga vërtetimi publik me prova dhe me fakte i lidhjes së tij me kreun e klanit më të tmerrshëm kriminal në vend me Emiljano Shullazin. Këtë bëri edhe sot në atë palo dalje para medias, i lodhur nga gënjeshtrat e veta. Por kamerdare shpëtimi për të nuk ka. Se sado që shtyn opinionin në drejtimin që do ai, hija e Shullazit është e stampuar në portretin e tij, hije që endet në muret e zyrës që drejton përkohësisht.
Faktet janë këto:
Vetëm mbështetja e Edi Ramës i ka hapur dyert e shtetit, dyert e çdo zyre publike Emiljano Shullazit.
Nuk mund të tjetërsonte një pronë historike në mes të Durrësit që vlen miliona euro, një bandit i papunë, pa pasur mbështetjen e Edi Ramës.
“Vollga” është monumenti kriminal i vendit, ku Edi Rama ka dorën e tij.
“Vollga” është turpi, shëmtia, simboli i rënies së shtetit, i banditit që është mbi ligjin, por kjo vetëm e vetëm me ndihmën dhe përkujdesjen e Edi Ramës. Janë dhjetëra biznesmenë që kanë paguar haraçin tek ky bandit. Nuk do të kishte ndodhur kjo, nëse Shullazi nuk do të kishte mbështetjen e Edi Ramës.
Emiljano Shullazi ka kryer shumë krime e ka pasur shumë lehtësi përmes njeriut të tij në Ministrinë e Brendshme, që është Saimir Tahiri. Shkrirja me krimin u thellua më tej ditë pas dite dhe Shullazi e tejkaloi ortakërinë me Tahirin, vendosi lidhje të drejtpërdrejta me Edi Ramën. Ky pushtet kriminal në rritje, shtoi dhe lakminë dhe babëzinë për të kapur çdo institucion. Dhe kur nuk ia del dot me votë, me garë e me alternativë, fut në lojë Shullazin në zgjedhje, në referendume, në zgjedhje për të detyruar rektorin e sotëm të largohej nga gara.
Edi Rama, i bindur se është i përbuzur dhe i refuzuar si model nga studentët e pedagogët, nga bota akademike dhe intelektuale u paraqit në garën universitare me alternativën Shullazi. Si mund t’i bënte këto Shullazi pa ndihmën e Ramës, pa kërkesën e Ramës? Pa mbështetjen e Edi Ramës nuk mund të kalonte kurrë makinën e blinduar në doganë pa asnjë kontroll, siç u vërtetua pas denoncimit tonë. E pas kësaj heshtën. Pa mbështetjen e Edi Ramës, nuk mund të pastrohej skena e krimit dhe Shullazi të dilte i pastër.
Jo pak biznesmenë të grabitur me tytën e armës nga ky bandit kanë apeluar tek Edi Rama. Por tek Edi Rama nuk kanë gjetur garantin e ligjit, të rendit dhe sigurisë, por partnerin e Emiljano Shullazit. Sot, po të mos ishte për punën e Prokurorisë dhe nëpunësve të tjerë me integritet të shërbimeve shtetërore, po të mos ishte për aleatin tonë të çmuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Emiljano Shullazi do të ishte duke prerë akoma gjoba të reja, duke planifikuar atentate të reja, duke vendosur për tenderin e radhës, emërimin e radhës, duke grabitur qytetarin e radhës dhe pronën e tij. Për Edi Ramën dhe përsa i takon Edi Ramës, ky krim i pashembullt do të vazhdonte sot e gjithë ditën.
Kjo rrugë u pre nga një grup prokurorësh me integritet dhe jashtë kapjes politike të Edi Ramës, nga miqtë tanë, të cilët gjej rastin t’i falënderoj, t’i inkurajoj e t’i nxis të bëjnë një hetim të plotë të çështjes, të zbardhin lidhjet kriminale nga rruga dhe skenat e krimit deri në Kryeministri. I tërë aktiviteti kriminal i Shullazit dhe së fundmi arrestimi i tij, janë dëshmi e shtetit Rama-Shullazi-Tahiri.
Partia Demokratike dhe unë, kemi denoncuar prej tre vitesh në vazhdimësi dhe ata nuk e mohuan, nuk e përgënjeshtruan një ditë të vetme. Kaq e fortë ishte lidhja, kaq i fortë ishte urdhri, pakti, betimi për besnikëri deri në vdekje. Është pikërisht kjo rënie në krim, kjo bashkëjetesë e përditshme e Edi Ramës me krimin, burimi kryesor i të keqes në vend, i varfërisë së skajshme të qytetarëve, i grykësisë pafund të qeveritarëve dhe banditëve të tyre. E për këtë dhe vetëm për këtë, ai ka ndaluar Reformën në Drejtësi. E ka vonuar, e ka tërhequr zvarrë për dy vite. Ka vonuar ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit sepse e donte nën kontroll, e donte ta drejtonte bashkë Shullazin dhe kur kjo i dështoi, vetëm e shtynë dhe e shtynë sepse e ka frikë. E donte Byronë nën kontroll sepse në fakt nuk donte Byro të Hetimit. Donte Byro të Tahirit. Donte Byro të Shullazit.
Pse? Sepse Byroja Kombëtare e Hetimit është jo vetëm fundi i shullazëve, por bashkë me ta edhe fundi i Edi Ramës. I ka lënë Emiljano Shullazit territore të tëra në dispozicion për të mbjellë hashash, i ka ofruar postet kyçe në polici e dogana dhe sot kapet pas një deklarate, një qëndrimi që nuk është as vendim dhe as nismë, por është një propozim për gjendjen e tmerrshme kriminale me shpresën që do të fshijë Shullazin nga memoria e njerëzve. Një mision i dëshpëruar, një mision i pamundur sepse njerëzit e dinë mirë se Shullazi, krimi ishin zgjedhja e tij e parë. Ishin zgjedhja që bëri për të ardhur në pushtet. Krimi është zgjedhja e Ramës për ta ushtruar pushtetin dhe krimi është shpresa e tij e marrë për të qëndruar në pushtet, edhe përkundër votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.
Nuk ka shqetësim që banditët e tij guxojnë të kërcënojnë akademikët si në një shtet të juntave. Nuk ka shqetësim që banditët e tij po terrorizojnë qytetarët anembanë vendit. Ndërtojnë pa leje ku duan. Grabisin prona e laguna ku duan. Vendosin njerëzit e tyre në polici, dogana ku të duan. Nuk ia ndjen që solli krimin në pushtet dhe pushtetin e veshi me krim. E gënjen mendja se mund t’i lerë qytetarët në mbarë vendin peng të kriminelëve dhe bandave të tij. Orët e bandave po mbarojnë. Ora e ligjit ka trokitur. Reforma në Drejtësi ka nisur me shenjën e mirë, shenjën më të mirë të mirëpritur nga gjithë qytetarët të goditjes së bandës më të dashur për Edi Ramën dhe Tahirin. Të tjerave po u vjen radha.
Drejtësia do të bëhet. Zgjedhjet dhe vota do të jenë të sigurta. Shqipëria do të vijë në normalitet dhe klithmat e fundit të tranzicionit me Edi Ramën e banditët e tij, shumë shpejt do t’i përkasin të shkuarës.

Pushteti që Rama i dha Shullazit

-Vetëm mbështetja e Edi Ramës i ka hapur dyert e shtetit, dyert e çdo zyre publike Emiljano Shullazit.
-Nuk mund të tjetërsonte një pronë historike në mes të Durrësit që vlen miliona euro, një bandit i papunë, pa pasur mbështetjen e Edi Ramës.
-“Vollga” është turpi, shëmtia, simboli i rënies së shtetit, i banditit që është mbi ligjin, por kjo vetëm e vetëm me ndihmën dhe përkujdesjen e Edi Ramës.
-Janë dhjetëra biznesmenë që kanë paguar haraçin tek ky bandit. Nuk do të kishte ndodhur kjo, nëse Shullazi nuk do të kishte mbështetjen e Edi Ramës.
-Emiljano Shullazi ka kryer shumë krime e ka pasur shumë lehtësi përmes njeriut të tij në Ministrinë e Brendshme, që është Saimir Tahiri.
-Shkrirja me krimin u thellua më tej ditë pas dite dhe Shullazi e tejkaloi ortakërinë me Tahirin, vendosi lidhje të drejtpërdrejta me Edi Ramën.
-Jo pak biznesmenë të grabitur me tytën e armës nga ky bandit kanë apeluar tek Edi Rama
-Ka vonuar ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit sepse e donte nën kontroll, e donte ta drejtonte bashkë Shullazin
– I ka lënë Emiljano Shullazit territore të tëra në dispozicion për të mbjellë hashash, i ka ofruar postet kyçe në polici e dogana