Klodeta i telefonoi Shullazit pas kërcënimit të Profesorit

Prokuroria për Krime të Rënda bën gati fletë-thirrjet për shumë biznesmenë, zyrtarë të lartë e të ndryshëm të administratës shtetërore, noterë, gjyqtarë e profesorë të universiteteve, që do të pyeten për dosjen e Emiljano Shullazit. ABC News ka mësuar se prokurorët Elizabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, kanë bërë gati listën e personave që do të thirren me cilësinë e të dëmtuarve apo personave që kanë dijeni për çështjen, ku përfshihet emri i Shullazit dhe “banda” e tij.
Burimet thonë se, në mesin e emrave që do të thirren, janë biznesmenë të ndryshëm dhe të njohur në Shqipëri, disa prej të cilëve janë “gjobitur” nga Shullazi dhe pjesa tjetër janë personat që kanë ndërmjetësuar apo ndihmuar biznesmenët për shuma të caktuara parash. Në mesin e këtyre personave me rolin e ndëmjetësve mes Shullazit dhe biznesmenëve të ndryshëm për të ulur gjobat e vendosura, janë përfshirë edhe prokurorë, gjyqtarë apo edhe zyrtarë të lartë të administratës shtetërore.
Burimet thonë se përveç këtyre, grupi hetimor thotë se do të marrë në pyetje zyrtarë të lartë të Hipotekës në Tiranë dhe Durrës si dhe punonjës të tjerë, të cilët kanë kryer veprime konkrete për pronën e ish-hotel “Vollgës” apo pronave të tjera në kryeqytet. Në pyetje do të merren edhe drejtorë të ndryshëm të institucioneve dhe persona që rezultojnë se kanë komunikuar me Shullazin apo bashkëpunëtorët e tyre. Por kësaj liste dhe hetimit të Prokurorisë, nuk do t’i shpëtojë edhe kandidatja për rektore, Klodeta Dibra, në emër të cilës dyshohet se banda e Emiljano Shullazit ka kërcënuar profesorët Mynir Koni dhe Dhori Kule.
Burimet bëjnë të ditur se Dibra, përveç se i kishte në lagje të fortët e rrugës së “Kavajës” dyshohet se ka komunikuar me ata pas përplasjes me Profesor Konin në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Për llogari të kësaj dosje, Prokuroria thotë se do të pyeten edhe disa noterë në Tiranë dhe Durrës që kanë përpiluar disa kontrata, që dyshohet se janë të falsifikuara. Po ashtu, pyetjes do t’i nënshtrohen edhe gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit dhe Tiranës, të cilët janë shprehur në favor të Shullazit dhe bandës së tij, me vendime që bien ndesh me ato të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetueses. Këto vendime, dyshohet se janë dhënë nga frika e presionit dhe kërcënimeve të vazhdueshme, duke regjistruar edhe prona të caktuara, si ish-hotel “Vollgën” në Durrës apo prona në Tiranë.
Një prej provave që u paraqit kundër Gilmando Danit në sallën e gjyqit ishte një bisedë e përgjuar telefonike mes tij dhe ish kreut të Hipotekës së Durrësit, gjatë së cilës Dani interesohej për “dhuratën” ish-hotel Vollgës. “Pse nuk e regjistron atë pronën? Të gjitha dokumentet janë në rregull”, mësohet të jetë shprehur Dani në atë bisedë”.Sipas Prokurorisë, kjo telefonatë është bërë pasi dokumentacioni ishte depozituar në Hipotekë, por kjo e fundit po vononte procedurën. Prokurorët thanë se ish kryeregjistruesi i Hipotekës në Durrës është rrahur nga banda e Shullazit. Përveç tij janë rrahur dhe kërcënuar edhe dy punonjës të Hipotekës në Tiranë.
Kujdesi që ka pasur Emiliano Shullazi për të folur sa më pak në telefon për shkak të dyshimeve se përgjohej e ka bërë të vështirë gjetjen e provave direkte kundër tij. Për këtë arsye në përgjim, janë mbajtur njerëzit pranë tij.

Profesor Koni jo vetëm që është rrëmbyer, por edhe është dhunuar nga Shullazi

Prokuroria ka administruar pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë një jave në rrugët e kryeqytetit për të parë lëvizjet e eskortës së të dyshuarit Emiljano Shullazi dhe “bandës” së tij. Nga ana tjetër, Prokuroria ka administruar në dosje edhe pamjet filmike të rrugës “Fortuzi” në kryeqytet dhe pranë tunelit, ku profesor Koni është kanosur dhe dhunuar nga tre persona. Burimet thonë se, përveç kërcënimit, profesor Koni edhe është dhunuar fizikisht, duke i kërkuar të tërhiqet nga gara. Si pasojë e këtij kërcënimi, burimet thonë se Profesor Koni ka udhëtuar brenda ditës drejt Italisë, ku ka marrë vajzën dhe është kthyer në Shqipëri për arsye sigurie. Duke komunikuar vetëm me Profesor Dhori Kule, i cili i kishte premtuar se do të ngrite këtë shqetësim, që më pas u denoncua publikisht nga ish-Kryeministri Berisha.
Burimet i thanë ABC News se prokurorët kanë administruar pamje të kamerave të sigurisë të rrugëve, bizneseve dhe ambienteve të ndryshme në Tiranë, gjatë një jave, që nga data 11 prill deri në mbrëmjen e 17 prillit. Kjo për të parë lëvizjet e eskortës së Emiljano Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtarë të bandës së tij. Në mesin e këtyre kamerave, janë administruar edhe ata të një hoteli të njohur në vend, ku është pikasur momenti i kërcënimit ndaj Profesorit Dhori Kule. Në këto pamje, që po ekzaminohen nga Policia Shkencore e Ministrisë së Brendshme, thonë burimet, duket qartë lëvizja me shpejtësi e tre makinave që ndalen pranë Profesor Kules në hyrjen e hotelit.
Në pamje, duket qartë se Profesori Kule ishte me tre persona të tjerë, kur i janë afruar makinat dhe personat ende të paidentifikuar që dalin prej makinave, duke i kërkuar profesorit të afrohet pranë dritares së njërës prej makinave, ku flet me një person që dyshohet se ka qenë Emiljano Shullazi. Për identifikimin e fytyrës së personave që ndodheshin në eskorten prej tre makinash, Prokuroria po pret përfundimin e akt-ekspertimit të Policisë Shkencore që po punon për zbardhjen dhe identifikimin e tyre.
Në deklarimet që Profesor Kule ka dhënë para hetuesve, ka treguar me detaje të gjithë veprimet e kërcënuesve dhe bisedave që ai ka bërë me personat e tjerë për këtë kërcënim. Gjithashtu, ai ka treguar edhe për bisedën me kryeministrin Edi Rama dhe takimin një orësh me ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe drejtorin e Policisë së kryeqytetit Ervin Hodaj, disa orë para shoqërimit të Emiljano Shullazit.

R.POLISI