Hetimi: Njerëz në Qeveri pas gjobave të Shullazit

Hetimet e Prokurorisë bien në gjurmët e zyrtarëve të qeverisë që kryenin rolin e ndërmjetësit me Shullazin në vënien e gjobave biznesmenëve apo uljen e tyre. Burimet bëjnë të ditur se, me ndihmën e hetimeve me metoda speciale, përveç se janë identifikuar biznesmenët e gjobitur, janë zbardhur edhe emrat e personave që kanë ndërmjetësuar mes Shullazit dhe biznesmenëve për të ulur shumën e gjobës. Për këtë fakt, hetuesit thonë se do të marrin në pyetje edhe këta ndërmjetës, që mbajnë detyra të larta në administratën shtetërore apo institucione të pavarura kushtetuese.
Po ashtu, bëhet e ditur se grupi hetimor do të marrë në pyetje zyrtarë të lartë të Hipotekës në Tiranë dhe Durrës si dhe punonjës të tjerë, të cilët kanë kryer veprime konkrete për pronën e ish-hotel “Vollgës” apo pronave të tjera në kryeqytet. Në pyetje do të merren edhe drejtorë të ndryshëm të institucioneve dhe persona që rezultojnë se kanë komunikuar me Shullazin apo bashkëpunëtorët e tyre.
Edhe pse Prokuroria për Krime të Rënda ka ngritur akuzën e “gjobëvënies” për Emiljano Shullazin, asnjë biznesmen i gjobitur nuk paraqitet për të bërë kallëzimin penal. Burimet thonë se edhe biznesmeni i hidrokarbureve, ai i kafes dhe dyqaneve në Durrës si dhe personi me precedent penal që tashmë ushtron aktivitetin e biznesit në fushën e qendrave tregtare nuk kanë pranuar të paraqiten në Prokurori për të bërë kallëzimet.
Prokuroria kërkon verifikimin e pronave dhe pasurisë së Emiljano Shullazit si dhe të të dyshuarve si pjesëtarëve të bandës së tij. Nga ana tjetër, kompanitë e telefonisë lëvizëse kanë konfirmuar se Emiljano Shullazi nuk ka numër të regjistruar në emrin e tij. Emiljano Shullazi nuk përdorte telefon, të regjistruar në emër të tij. ABC News ka mësuar se kompanitë e telefonisë lëvizëse kanë njoftuar Policinë dhe Prokurorinë se në emër të Emiljano Shullazit nuk ka numër të regjistruar pranë tyre. Përgjigja e kompanive, ka bërë që hetuesit të krijojnë bindjen, se Shullazi ishte shumë i kujdesshëm me përdorimin e telefonave.
Ata thonë se, Shullazi përdorte celularët e personave të tjerë që mbante pranë tij, si Gilmando Dani apo i arrestuari tjetër Blerim Shullazi. Të dy këta të dyshuar, thonë burimet, kanë edhe më shumë biseda të përgjuara, por që janë treguar të kujdesshëm në komunikim. Nga ana tjetër, burimet thonë se, grupi hetimor po verifikon numrat e personave të tjerë që rrinin në krah të Shullazit apo familjarëve të tyre. Sipas Prokurorisë, në shumicën e rasteve pjesëtarët e këtij grupi kriminal, përdornin telefonat vetëm për të lënë takime me personat e tjerë. Ku në shumicën e bisedave, personat e përgjuar flisnin në emër të Emiljano Shullazit, i arrestuar për disa akuza, mes tyre gjobëvënien ndaj shumë biznesmenëve në Tiranë. Burimet thonë se grupi hetimor i kryesuar nga dy prokurorët Elizabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, kanë deleguar një sërë detyrash tek oficerët e Policisë Gjyqësore për të kryer disa veprime hetimore për dosjen.
Në mesin e tyre janë edhe evidentimi nga Hipoteka e të gjitha pronave dhe pasurisë së Emiljano Shullazit dhe personave të tjerë të dyshuar, për përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale. Si dhe, është kërkuar nga bankat e nivelit të dytë në vend të identifikojnë llogaritë bankare në emër të Emiljano Shullazit dhe pjesëtarëve të afërt të familjes së tij. Veprim ky, i marrë nga grupi hetimor, pasi dyshohet se Shullazi ka përfituar shuma të mëdha parash nga aktiviteti kriminal i gjobëvënies ndaj biznesmenëve të ndryshëm në vend

Prokuroria: 3 gjyqtarë nën hetim për pronësinë e hotel “Vollgës”

Prokuroria e Durrësit ka filluar hetimin për tre gjyqtarë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në rastin e shqyrtimit gjyqësor civil për pronësinë e ish-hotel “Vollga”. Prokuroria e Durrësit, e cila po zhvillon hetime për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave” mbi mënyrën e tjetërsimit të truallit dhe godinës së ish-“Vollga” në qendër të qytetit, ka konstatuar një vendim të dyshimtë gjykate mbi këtë çështje.
Në një proces civil që ka zgjatur për disa vite, dy palë kanë pretenduar pronësinë mbi truallin dhe objektin. Konkretisht, Mohammmed Abdullah Bavazeri, përfaqësues i “Saudi Brother Commercial Company” dhe shtetasi Zanmir Hasa, janë përballur në Gjykatë me pretendimet e tyre dhe çështja ka arritur deri në Gjykatën e Lartë.
Por, Prokuroria e Durrësit ka konstatuar se, ndërkohë që po zhvillohej shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën e Lartë, Gjykata e Durrësit, për të njëjtin objekt, ka marrë vendimin Nr.449, dt. 18.02.2013, në bazë të të cilit urdhërohet Hipoteka e Durrësit të regjistrojë si pronar në këtë pronë shtetasin Mohammed Abdullah Bavazer, duke fshirë automatikisht nga regjistri hipotekor emrin Zanmir Hasa, i cili rezultonte deri në atë kohë si pronar pranë ZVRRP Durrës.
Prokuroria e Durrësit dyshon se Vendimi Nr. 449, dt. 18.02.2013 i gjyqtarëve Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura, është marrë në kundërshtim të hapur e flagrant me ligjin, pasi nuk referohet në asnjë bazë ligjore dhe në dijeni të plotë të ekzistencës së një gjykimi paralel, i cili ndodhej në Gjykatën e Lartë.
Prokuroria e Durrësit vlerëson se vendimi gjyqësor i mësipërm nuk ka asnjë bazë ligjore, pasi në asnjë dispozitë të Ligjit Nr.7843, dt.13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” nuk parashikohet koncepti i “fshirjes” së një regjistrimi të kryer apo “anulimi” i fshirjes. Në vlerësimin e Prokurorisë, shkelja është e dukshme, pasi Gjykata, në asnjë moment të vendimit të saj, nuk ka shprehur se në çfarë dispozite e bazon vendimmarrjen e saj konkrete për anulimin e fshirjes së kryer nga ZVRPP Durrës.
Prokuroria e Durrësit, deri në këtë fazë të hetimit, ka krijuar dyshime të arsyeshme se ky vendim i Gjykatës është marrë haptazi në kundërshtim me ligjin, pasi, duke mospasur asnjë bazë ligjore, Gjykata ka vendosur diçka, të cilën nuk mund ta vendoste në asnjë rast.
Ky veprim i Gjykatës është kryer me dijeni të plotë të paligjshmërisë nga ana e saj, pasi vetë Gjykata në vendim është shprehur se zgjidhja përfundimtare e çështjes do të sigurohet, pasi të shqyrtohej nga Gjykata e Lartë Vendimi Nr.433, dt.13.03.2002 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në zbatim të të cilit, Hotel “Iliria” (ish-“Vollga”) ishte regjistruar në emër të Zanmir Hasës.
Pra, nga njëra anë Gjykata ka pranuar se zgjidhja përfundimtare e çështjes do të vinte pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të konfliktit të themelit nga ana e Gjykatës së Lartë dhe nga ana tjetër, po kjo gjykatë, ka vendosur fshirjen e regjistrimit të pronës nga emri i Zanmir Hasës dhe regjistrimi në emër të shoqërisë Saudit Brothers Commercial Company.
Krahas hetimit të nisur tashmë, Prokuroria do të njoftojë Presidentin e Republikës dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë mbi dyshimet e saj për vendimmarrjen e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Zhduken nga Hipoteka e Tiranës dhe Durrësit materialet e hotel “Vollgës”

Prokuroria për Krime të Rënda po heton blerjen dhe përfitimin e ish-hotel “Vollgës” që nga pronarët e vërtetë, te kompania arabe dhe më pas aksionerët shqiptarë, mes tyre Emiljano Shullazi. Por ajo që bie në sy nga hetuesit, është fakti se nga verifikimi i dosjes së sekuestruar në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës rezulton se janë zhdukur materialet që tregojnë origjinën e kësaj prone, që është një nga pistat e tjera të hetimit të kësaj dosje.
Burimet pranë grupit hetimor, konfirmuan se Prokuroria ka sekuestruar të gjithë dosjen e ish-hotel “Vollgës” në Hipotekën e Durrësit dhe atë të Tiranës, për të verifikuar të gjitha veprimet e kryera për këtë pronë që nga viti 1994. Pasi dyshohet se kjo pronë, ka përfunduar në pronësi të familjes Kodra dhe Shullazi me anë të falsifikimit dhe kërcënimeve të vazhdueshme.
Burimet thonë se, autorizimi për shitjen e kësaj prone në marsin e vitit 1994 që i kalon pronarëve dyshohet se është e falsifikuar. Po atë vit, në dhjetor pronarët i kanë shitur këtë pronë shtetasit arab Muhamed Abudulla Baëzeer. Që në atë kohë, dyshohet se veprimet hipotekore janë falsifikuar nga pronarët dhe personat që janë autorizuar për të kryer veprime. Pas kalimit të pronësisë, janë zhvilluar disa procese gjyqësore mes pronarëve të vërtetë dhe kompanisë arabe. Në vitin 2003, trashëgimtarët e familjes Fortuzi arrijnë të regjistrojnë pronën në emër të tyre. Po atë vit, shtetasi Zamir Hasa që tashmë ka kallzuar për vjedhjen e pronës së tij, ka regjistruar pronën në emër të tij me prokurë dhe autorizim të pjesëtarëve të familjes Fortuzi.
Në këtë kohë, kompania arabe hap përsëri një proces gjyqësor që në korrik të 2014, Gjykata e Lartë vendos të pezulloi regjistrimin e kësaj prone në emër të kompanisë arabe. Pavarësisht këtij vendimi, Gjykata e Durrësit me një vendim të çuditshëm hedh poshtë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe urdhëron regjistrimin e pronës në emër të kompanisë arabe. Ky vendim, dyshohet se është zbatuar nga drejtues të Hipotekës së Tiranës dhe Durrësit me anë të presionit dhe kërcënimeve.
Me regjistrimin e pronës, kompania arabe në nëntor të 2014 i shet pjesëtarëve të familjes Kodra 2/3 e sipërfaqes së kësaj prone me 670 mijë euro. Një muaj më pas, në dhjetor të 2014 përfaqësuesi i kompanisë arabe Ylvi Beqja dhe pjesëtarët e familjes Kodra në shenjë mirënjohje i dhurojnë 30% të sipërfaqes së ish-hotel “Vollgës” Emiljano Shullazit. Ky dhurim, dyshohet se është kryer pasi, Shullazi kishte arritur që me anë të presionit dhe kërcënimeve të regjistrojë pronën në emër të shoqërisë arabe dhe në shenjë shpërblimi i kanë dhënë 30% të sipërfaqes totale të ish-hotel “Vollgës”. Por ajo që bie në sy nga hetuesit, është fakti se nga verifikimi i dosjes së sekuestruar në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës rezulton se janë zhdukur materialet që tregojnë origjinën e kësaj prone, që është një nga pistat e tjera të hetimit të kësaj dosje.

Kalimi i “Vollgës” tek Shullazi, gjyqtari ia hedh fajin Hipotekës

Një nga 3 gjyqtarët e akuzuar nga Prokuroria e Durrësit se ka dhënë një vendim të padrejtë, duke i dhuruar hotel  “Vollgën” Emiljano Shullazit, shmang përgjegjësinë, duke thënë se fajin e ka Hipoteka. Në një prononcim për “Ora News”, Vladimir Skënderi thotë se vendimi i dhënë nga trupa gjyqësore në vitin 2013 është i drejtë dhe i bazuar në ligj dhe prova. Vendimi gjyqësor që mban firmën e tij, nuk ka lidhje me dhurimin e pronës tek Emiljano Shullazi. Gjyqtari Skënderi, thotë se procesi gjyqësor, ka zgjatur një vit derisa ka marrë formën e prerë, ndërsa prona rezulton të jetë dhuruar disa muaj më vonë.
“Në rastin konkret, ne si gjyqtarë me këtë vendim kemi ndrequr një parregullësi që ishte bërë nga ana e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Çfarë kishte bërë kjo zyrë? Punonjësit e asaj kohe kishin çregjistruar pronësinë e hotel “Vollgës” që ishte e regjistruar në emër të shoqërisë “Saudi Brother Commercial Company”, e kishin çregjistruar pronësinë nga emri i kësaj shoqërie pa vendim gjyqësor dhe pa u thirrur kjo zyrë. Kushtetuta thotë që askujt nuk mund t’i hiqet prona pa një proces të rregullt ligjor, Neni 42 i Kushtetutës. Këtë shkelje që kishte bërë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që kishte hequr pronën shoqërisë “Saudi Brother Commercial Company” e rregulloi trupi gjykues dhe anuloi fshirjen që kishte bërë Zyra e Regjistrimit dhe e ktheu gjendjen në situatën e mëparshme, që do të thotë e urdhëroi Zyrën e Regjistrimit që prona të qëndrojë e regjistruar në emër të “Saudi Brother Commercial Company”, shprehet Skënderi.
Gjyqtari Valdimir Skënderi, thotë se nuk ka një njoftim zyrtar ndaj tij nga Prokuroria dhe as Gjykata, ndërsa lajmin për hetimin, e ka marrë nga të afërmit nëpërmjet mediave.

R.POLISI