Dua armë

Nikollaq NERENXI

Pamjet që shihni në videon tek ky link janë të Kompanisë “Neranxi”, e cila u grabit 14 muaj më parë nga njerëz me maska dhe të armatosur deri në dhëmbë.
U desh ajo ngjarje e shëmtuar, që unë të reflektoja mbi ligjin që ne kemi aktualisht për vetmbrojtjen, i cili na bën ne njerëzve që duam të jetojmë me ndershmëri, që të jemi të pafuqishëm për të mbrojtur jetën dhe pronën dhe si rrjedhim, ky ligj i jep super fuqi kriminelëve.
Pikërisht për këtë arsye, unë dola aso kohe në disa media, duke ngritur problemin e ndërhyrjes në nenin 19 të Kodit Penal, i cili flet për vetmbrojtje, që ai të bëhet siç është në vende të zhvilluara, në Gjermani, Amerikë etj.
Sot rihapet ky diskutim, të cilin unë dua ta zhvesh nga çdo lloj përdorimi politik dhe propagandistik që mund t’i bëhet kësaj çështjeje.
Vendet me demokraci të zhvilluar, të japin mundësi që të jesh një qytetar me dinjitet dhe të kesh mundësi të mbrohesh dhe të jetosh i qetë.
Kjo sepse një ligj i mirë, është provuar tashmë, ul automatikisht kriminalitetin, sepse kriminelët nuk janë aq trima sa mendojmë ne. Ndërkohë një ligj i keq si i joni, do më çonte mua në burg po të tentoja të mbroja pronën, jetën time dhe të punonjësve të mi.
Dhe ky diskutim vlen akoma më shumë, duke patur parasysh se në të shumtën e rasteve kriminelët nuk kapen. Pas 14 muajsh grabitje, poshtërim dhe tronditje psikologjike të punonjësve të mi, kriminelët nuk janë kapur akoma.
Ata e drejtuan benzin e tyre me xhama të zinj nga Fushë-Kruja dhe më pas “humbën gjurmët”. Me anë të këtij statusi, shpreh gjithashtu shqetësimin edhe të shumë tregtarëve dhe sipërmarrësve, të cilët janë anëtarë të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë.
Edhe ata ndjehen për ditë të kërcënuar nga krimi. Në fund dua ta mbyll me një thënie të një gazetari shumë të njohur të kronikës, i cili i ftuar në një emision bashkë me mua, ku flitej se sa i pasigurtë ishte biznesi nga krimi, bëri një deklaratë ekzaktësisht kështu:
“Tashmë nuk përbën sekret që bizneset e autostradës, janë të ndara mes dy të fortëve, njëri kontrollon anën e majtë, tjetri anën e djathtë”.
Dhe këtë e tha me një qetësi, sikur po pohonte gjënë më normale të botës. Dhe kur krimi kthehet në normalitet në një vend, çdo gjë ka marrë fund.