Bien akuzat politike, Apeli i jep pafajësinë Xhelal Mziut

Gjykata e Apelit në Tiranë ka shpallur të pafajshëm kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, duke rrëzuar akuzat politike. Pas shumë peripecish dhe presoni të hapur ndaj organeve të drejtësisë nga ana e mazhorancës, ku më e fundit ishte ajo e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahirit të enjten nga Komisariati Nr.5, dje drejtësia ka vënë të drejtën në vend ndaj Xhelal Mziut, duke konfirmuar qartë se akuzat e Prokurorisë dhe vendimi i Gjykatës në Shkallën e Parë ka qenë të ndikuara hapur politikisht. Gjykata e Apelit ka vendosur pushimin e çështjes dhe shpalljen e pafajshëm të kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu dhe dy vartësve të tij, drejtorit Juridik Atli Hoti dhe drejtorit të Tatim-Taksave, Bujar Loshi. Relatori i Kolegjit Penal në Gjykatën e Apelit, Lefter Jahja, ka rrëzuar jo vetëm vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë, që e dënonte Mziun me 2 vite burgim për akuzën e shpërdorimit të detyrës, por në vendimin e pushimit të çështjes nga ana juridike lë të kuptohet se hetimet ndaj Mziut nuk duhej të kishin filluar ose nuk duhej të kishin vazhduar. “Drejtësia u vu në vend. Uroj që këtë presion politik të mos e përjetojë askush tjetër”, tha Mziu pas dhënies së vendimit. Pas kësaj deklarate të z.Mziu duhet të kujtojmë faktin se pas gjithë këtyre sulmeve ndaj kryebashkiakut të Kamzës ishte Edi Rama, mazhoranca e cila kërkonte që padrejtësisht të ndikonte në dënimin e kreut të Bashkisë Kamëz dhe me çdo mjet të fitonte Bashkinë Kamëz. Përpos mjaft mënyrave si presioni mbi administratën dhe qytetarët, blerja e votës, ishte vet kryeministri që thuajse në pjesën më të madhe të takimeve elektorale që bënte kërcënonte Xhelal Mziun. Kjo nuk ndodhi, sepse në zgjedhjet e 2015, Rama, Tahiri dhe soji i tij morën përgjigjien më të mirë nga qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit që në rrugë demokratike si gardianë të votës votëbesuan bindshëm për herë të tretë Xhelal Mziun si kryebashkiak të Kamzës.

Pse akuzat nuk qëndronin

Tenderi s’u realizua kurrë, s’u harxhua asnjë qindarkë. Brenda afatit 30 ditor kompania nuk solli sigurimin e kontratës dhe asnjë dokument sipas ligjit. Sa i përket taksës, ajo nuk përcaktohet nga kryetari i Bashkisë, por Këshillit Bashkiak dhe miratohet në Prefekturë. Paradoks është fakti që të njëjtën taksë, për të njëjtin subjekt, për vitin 2014, Prokuroria e Tiranës e ka mbyllur hetimin e ka pushuar çështjen. E montuar, pa prova, e pabazuar në ligj ishte çështja e ngritur ndaj Xhelal Mziut. Konkretisht, zoti Mziu akuzohej për një tender që nuk është bërë kurrë. Kompania që ka bërë kallëzimin, nuk ka paraqitur sipas ligjit, dokumentacionin e nevojshëm për lidhjen e kontratës që janë; sigurimi i kontratës, formularin e kontratës së nënshkruar, setin e dokumenteve të tenderit origjinal, apo një kopje të noterizuar. Këto dokumente nuk i ka paraqitur, edhe pse Bashkia i la kompanisë afatin maksimal që parashikon ligji. Pra, nga 5 deri në 30 ditë, Bashkia i la 30 ditë kohë. Megjithatë, kompania nuk përmbushi asnjë nga detyrimet ligjore. Kemi këtu gjithë provat që vërtetojnë këtë që po them. Për tenderin në fjalë, nuk kishte asnjë dëm ekonomik. Zoti Mziu nuk i ka shkaktuar asnjë dëm arkës së Bashkisë, sepse kemi të bëjmë me një tender të parealizuar. Nuk ka humbur asnjë qindarkë, pra bie si akuzë, sepse nuk ka pasojë. Duhet të kishte pasojë, pra dëm ekonomik, për të pasur një akuzë. Subjekti që ka ngritur gjithë këtë fabul, që ka bërë kallëzimin, nuk ka paraqitur sigurimin e kontratës, kusht primar ligjor. Prokuroria me dashje nuk ka hetuar faktin se, subjekti pretendues nuk ka paguar sigurimin e kontratës, kusht primar ligjor për lidhje kontrate. Pavarësisht kësaj, mbrojtja ka marrë në rrugë ligjore këtë provë, dhe e ka paraqitur para Gjykatës, provë kjo që nuk përmendet fare në vendimin e Shkallës së Parë, por që Apeli e ka konsideruar. Pra, Shkalla e Parë nuk e ka përmend provën kyçe, që zgjidh këtë histori.
Përsa i përket çështjes së taksës. I njëjti subjekt ka bërë kallëzim në Prokurori për taksën e vitit 2013, duke e pretenduar atë si të paligjshme. Sqarojmë se kjo taksë, taksa e zënies së hapësirës për subjektet tregtare, parashikohet dhe buron nga paketa fiskale. Paketa fiskale miratohet nga Këshilli Bashkiak, organ kolegjial, dhe konfirmohet nga prefekti, dhe zbatohet nga zyra e tatim taksave të Bashkisë. Më gjeni ju ku është kompetenca e kryetarit të Bashkisë në këtë zinxhir procedurial. Paradoks është fakti që të njëjtën taksë, për të njëjtin subjekt, për vitin 2014, Prokuroria e Tiranës e ka mbyllur hetimin e ka pushuar çështjen, për të njëjtën pretendim për të njëjtën taksë të këtij subjekti. Vendimi i pushimit të hetimit është depozituar në Gjykatë si provë shkresore, e megjithëkëtë, sërish prokurorja e çështjes dhe Gjykata nuk e kanë konsideruar këtë akt procedurial.
Të gjitha këto fakte lehtësisht të verifikueshme, tregojnë qartë, se ky proces është jo-ligjor dhe si i tillë, nga ana jonë konsiderohet i paqenë. Ne do të ndjekim rrugën e ankimimit, e të gjithë mjetet ligjore për të rivendosur në vend të drejtën e shkelur. Një seancë para dhënies së vendimit avokati Bujar Loshi paraqiti një vendim të Gjykatës Administrative që kishte rrëzuar pretendimet e kompanisë Gjoka Shpk ndaj Bashkisë Kamzës, vendim të dhënë dje për pafajësinë e Mziut.