Berisha me Lu e Vlahutin, denoncon lidhjet e bandës së Shullazit me drejtues të policisë

Ish-Kryeministri Berisha priti në një takim ambasadoren e BE, zonjën Romana Vlahutin dhe ambasadorin e SHBA, zotin Donald Lu. Sipas zyrës së shtypit të ish-Kryeministrit, dy ishin çështjet kryesore që u diskutuan në këtë takim: Reforma në Drejtësi dhe ecuria e saj. Në këtë takim Berisha rikonfirmoi mbështetjen e tij për Reformën në Drejtësi, si një proces jetik për shtetin ligjor në Shqipëri.
“Çështja Shullazi, ajo e bandës së tij, arrestimi, lidhjet e tij me zyrtarët e niveleve më të larta në qeveri, Parlament, polici dhe institucione të tjera, terrori i kësaj bande në qytetin bregdetar të Durrësit në pjesën jugore të Tiranës dhe zona të tjera të vendit, arsenali i armëve që disponon kjo bandë, më e madhja në historinë e vendit dhe më e fuqishmja në lidhjet e saj politike. Arrestimin rreth 7 herë gjatë qeverisë së mëparshme dhe dënimin e tij në gjykata, si dhe dëmshpërblimin e tij në kundërshtim flagrant me ligjin, në vitin 2014, nga miqtë e tij qeveritarë e kryeqeveritarë”, tha Berisha në lidhje me takimin në një postim në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Në takim u diskutua gjerësisht mbi lidhjet e politikës me krimin në tërësi dhe lidhjet direkte të bandës së Emiljano Shullazit me drejtues të policisë, qeverisë dhe institucioneve të tjera, si dhe krimet e tij të shëmtuara. Biseda ishte e hapur dhe kaloi në mirëkuptim të plotë.
“Në takim u diskutua gjerësisht mbi lidhjet e politikës me krimin në tërësi”.
Gjithashtu pjesë e diskutimeve ishte edhe Reforma në Drejtësi. “Reforma në Drejtësi dhe ecuria e saj ishte çështja tjetër për të cilën u diskutua gjerësisht. Në këtë takim rikonfirmova mbështetjen time për Reformën në Drejtësi, si një proces jetik për shtetin ligjor në Shqipëri”, shkruan Berisha.