100 milionë euro nga bankat tek obligacionet

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Interesat e ulëta të depozitave bankare i kanë nxitur individët të zgjerojnë investimet në tituj afatgjatë të borxhit të qeverisë përgjatë vitit 2015. Madje janë braktisur edhe Bonot e Thesarit, duke tentuar obligacionet më afatgjatë 2-5-vjeçare në kërkim të një norme të lartë interesi.
Sipas Bankës së Shqipërisë rritja vjetore e investimeve në tituj të borxhit të qeverisë ishte rreth 18.3 miliardë lekë ose 15% gjatë vitit të kaluar.
Sipas instrumentit, rritja e investimeve në obligacione dhe Bono Thesari, ka qenë përkatësisht 27% dhe 6%, ose 14.1 miliardë lekë (rreth 100 milionë euro) dhe 4.2 miliardë lekë.
Preferenca e publikut ka qenë dukshëm për obligacionet qeveritare, të cilat ofrojnë edhe normën më të lartë të kthimit. Në fund të vitit 2015, investimet e individëve në depozita dhe tituj të borxhit të qeverisë në total janë zgjeruar me pothuajse 3.5% në terma vjetore, ku rreth 1.8% vjen nga zgjerimi i investimeve në tituj të borxhit qeveritar dhe rreth 1.7% nga depozitat në sistemin bankar.
Zhvendosja e individëve nga depozitat në investime në letra me vlerë në kërkim të normave më të larta të kthimit, është më e dukshme në monedhën vendase. Gjatë pjesës së dytë të vitit, depozitat e individëve në lekë kanë rënë me mbi 7 miliardë lekë, kurse investimet e tyre në letra me vlerë në lekë janë rritur rreth 7.7 miliardë lekë, njoftoi Banka e Shqipërisë.
Në lidhje me depozitat në valutë, prirja nuk është e njëjtë. Gjatë periudhës, depozitat e individëve në valutë janë rritur me rreth 18 miliardë lekë, ndërkohë investimet e tyre në letra me vlerë në valutë kanë rënë në masë të papërfillshme, rreth 0.6 miliardë lekë. Përgjithësisht vërehet se vijon prirja që individët t’i investojnë fondet e tyre më parë në depozita në valutë, sesa në letra me vlerë në valutë.