Tahiri i dërgoi Shullazin, Gjutajve për pajtim, tritolin e vendosi vetë

Të dhëna të reja u denoncuan dje në Parlament mbi bashkëpunimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Emiljano Shullazin, në lidhje me ngjarjen e vendosjes së eksplozivit pranë banesës së babait të Tahirit.
“Një ditë prej ditësh shqiptarët marrin vesh se “Bashkim kontrabandisti”, Bashkim Tahiri, i arrestuar për kontrabandë në flagrancë, dikush i vuri tritol tek farmacia e tij dhe dikush tjetër i dërgoi një kallëp tritoli në rrugën ngjit me shtëpinë, ndër ata të parët që e ka quajtur “akt terrorist” kam qenë edhe unë, e kam dënuar dhe pavarësisht se ai është një kontrabandist i mirëfilltë, por çdo akt terrorist e dënoj dhe do ta dënoj me ashpërsinë më të madhe. Kush i vendosi ato? Për tritolin tek farmacia e kontrabandistin u arrestuan 7 vetë, por vetëm një mendje idioti mund të thotë se 7 vetë u morën me vendosjen e një tritoli. Po të jenë 3 e marrin vesh 13, por të jenë 7 e marrin vesh 70, këtë nuk e hante kush. U arrestuan të gjithë Gjutajt, edhe Bruka, unë nuk njoh asnjë prej tyre dhe kërkoj ndjesë që detyrohem t’u përmend emrat këtu. U soll tjetri nga Suedia.
U bënë një seri arrestimesh. Ec procesi, ngec procesi. Thirri Prokuroria Bashkim kontrabandistin, tha se ata më janë vendosur për shkak të detyrës së djalit tim. U arrestuan 7 vetë, por çfarë ndodhi? Një ditë prej ditësh Prokuroria i liroi të gjithë ata ndërkohë zotëria hapte fjalën se një nga Gjutajt ka tradhtuar Gjutajt e tjetër dhe se ka dëshmuar kundra tyre. Mirëpo ata, nga i pari tek i fundit dolën jashtë. Pse dolën jashtë? Ja ku e kam dokumentin: “Përshëndetje zoti Berisha. Jam një oficer policie që ka marrë pjesë në hetimin e atentatit të vendosjes së tritoleve kundër të atit të ministrit të Brendshëm. Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, unë, së bashku me një kolegun tim arritëm në konkluzionin e prerë se tritolet i kishte vendosur banda e Shullazit, por ministri i Brendshëm, sapo e mori vesh, akti i parë që bëri ishte të më largojë nga hetimi, më pas më transferoi në periferi dhe unë sot jam jashtë radhëve të policisë”.
Prokuroria njofton se edhe i tmerrshmi i të tmerrshmëve, Vladimir Gjuta dhe një me mbiemrin Bruka, të lirohen menjëherë nga paraburgimi. Çfarë kishte ndodhur? Jua them unë. Saje Qorrin e kishte kërkuar Prokuroria jo një herë, por disa herë, zoti ministër urdhëroni dhe dëshmoni. Saja nuk shkonte. Po pse nuk shkonte? Sepse Gjutajve u kishte dërguar Shullazin. Saje Qorri i dërgoi Emilin Vladimir Gjutës disa herë dhe zhvilloi negociata të mëdha që ta mbyllnin këtë punë, sepse Emili e kishte vendosur vetë. Përse u arrestuan Gjutaj? Sepse përpara zgjedhjeve, në Bllok e kishin shtrirë përtokë Saje Qorrin dhe rrahur në mënyrën më të egër. Dhe tani Saje Qorri u bë me krahë dhe duhet t’u bënte rremën Gjutajve dhe për t’u bërë rremën Gjutave duhet të vendoste me Emilin e Partisë… Nëse Saja s’e kishte vendosur vetë tritolin me Emilin, shkonte në Prokurori ai, por Saja nuk shkonte dot nga përgjimet, të cilat fatmirësisht kësaj here nuk janë vetëm të një burimi, por të disa burimeve.
Saje Qorri nuk shkoi të kryente detyrën, sepse veten e konsideron mbi ligjin, sepse Emilin e tij e ka mbi ligjin dhe ligji nuk ekziston për ta. Ligji ekziston për ata që kanë detyrim 35 dollarë, për ata që parkojnë diku gabim, për ata që bëjnë gabime të tilla, po për Sajen, Emilin dhe Edvin Shullazin nuk ka dënime. Ai kishte frikë. Mediat kapën një gjë interesante para dy ditësh. Për herë të parë në jetën e tij ai shqiptoi emrin e Emilit të Partisë, nuk e shqipëronte dot. E kisha akuzuar me dhjetëra herë këtu dhe ai një herë të vetme nuk e kishte shqiptuar emrin e tij. Po pse? Sepse e kishte në mendjen dhe në shpirtin e tij, sepse Emili i kishte gllabëruar shpirtin këtij njeriu” u shpreh ish kryeministri.

Roja i paraburgimit: Shullazi i dërgoi sms Saimir Tahirit të përgënjeshtronte Ramën

Berisha publikoi dje në Parlament denoncimin e rojes së paraburgimit ku mbahet Shullazi, sipas të cilit, Shullazi i dërgoi një sms nga qelia Tahirit që të korigjonte fjalimin e Ramës në Parlament në lidhje me faktin se nga kush erdhi arrestimi i tij, nga policia apo nga prokuroria.
“Çfarë më shkruan sot, para një ore, gardiani dixhital: “Përshëndetje Doktor, ndoqa me vëmendje diskutimet në Parlament. Jam në roje të paraburgimit të Shullazit. Ju garantoj se sms Saimir Tahirit për të përgënjeshtruar Ramën, ja ka dërguar direkt Shullazi, i cili ka dyshimet më të mëdha se ja ka bërë policia, i cili nuk beson se ajo ishte një grackë e Prokurorisë siç e paraqesin mediat dhe pasi e kërcënoi Saje Qorrin se do të nxjerrë gjithçka di për të, Saja doli i mori fytyrën Ramës dhe tha se ai bëri një lapsus”. Cila është kërkesa ime? Kërkesa ime është kjo: i bëj thirrje prokurorit të sekuestrojë të gjithë trafikun e thirrjeve e sms të komunikimit të Shullazit, të gardianëve të Shullazit, të Saje Qorrit dhe Emil Shullazit. Me këtë rast Prokuroria do të gjejë një nga çelësat e të vërtetave mbi Shullazin. Edi Rama tha këtu se kemi kërkuar përgjimin e tij. Po s’mund të binte Prokuroria në kurthe të Edi Ramës, kurrsesi. Në fakt Rama ra në kurthin e Prokurorisë dhe të shërbimeve të tjera. Pra, ky është gardiani dixhital. A e pyetët veten ju si ka mundësi ta përgënjeshtrojë Saje Qorri në mënyrën më flagrante Edvin Shullazin? Ai të thotë se e arrestoi Prokuroria, kurse ky të thotë se ishte një lapsus pasi e arrestoi Prokuroria” tha ish-kryeministri. Berisha denoncoi nga ana tjetër terrorin që po ushtrohet ndaj qytetarëve nga OSHE. “Qytetarët kanë gjithë ditën që dëgjojnë krimet e shëmtuara, dëgjojnë emra vrasësish kriminelë, qeveritarësh kriminelë, anëtarë bandash e me radhë, por unë kam dy probleme të tjera të rëndësishme. Në Elbasan çdo faturë elektrike është dyfishuar me urdhër, sepse punonjësit e OSHEE mbetën pa rroga për shkak të “suksesit” të madh të Çelës dhe tani bjeru qytetarëve të thjeshtë. Qytetari tjetër më thotë: “Përshëndetje zoti Berisha, kemi mbifaturim nga OSHEE rreth 200 kv për çdo familje, jemi 17 familje që jemi në këtë pellg dhe na kanë bërë këtë gjë”. Kurse nga Shkodra një qytetar më thotë: “Ne në qytet, na kanë faturuar kësaj radhe për çdo familje 100 kv më shumë sesa rrethinave me aforfe”. Çfarë më njofton biznesi i Korçës, kanë nxjerrë që biznesmenët duhet të paguajnë taksën e komunave, të cilën s’e kanë paguar nga 2007 dhe kanë rekrutuar individë që s’plotësojnë kriteret për të qenë agjentë tatimorë, të cilët shkojnë e ja u marrin me dhunë, pa dokumente, po shkojnë po i gjobisin vetëm e vetëm për të mbushur arkën dhe janë gjoba të paapelueshme.  Mendoj se këto zhvillime janë dëshmi e një shpartallimi tuajin, janë dëshmi e një shpartallimi përfundimtar të kësaj mazhorance, e cila ka humbur çdo ligj dhe moral për të qeverisur më tutje. Ndaj dhe ftoj qytetarët që me një revolucion demokratik e me mjete paqësore t’i hedhim sa më parë aty ku e meritojnë: në koshin e plehrave të historisë!” tha Berisha.  Ish kryeministri dënoi me ashpërsi kiber-atakun ndaj portaleve, të cilat irritojnë shumë Ramën. “Të gjitha të dhënat e deritanishme tregojnë se ai kiber-atak është ndërmarrë nga grupi i mbrojtjes kibernetike të Këshillit të Ministrave nën drejtimin e kushërirë Kolekës. I bëj thirrje Prokurorisë të bëjë një hetim ndaj këtij akti të shëmtuar censorial të një njeriu, i cili udhëhiqet nga haluçinacione dhe fuga paranojake” tha Berisha.