Reagim i Bashkisë Kamëz: Tahiri, ushtar i Shullazit ndodhet në panik

Bashkia e Kamzës ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i cili tha se PD-ja duhet të reagojë për dënimin e Mziut për korrupsion. Në një njoftim për shtyp thuhet se, Saimir Tahiri, ky ushtar i Emiliano Shullazit, që prej 2 ditësh nuk guxonte t’i përmendte as emrin padronit që ndodhet pas hekurave në panik e sipër, sot sikundër të tjerë eksponentë të kësaj mazhorance të lidhur me krimin, guxuan që nga Kamza të atakonin kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziun.

“Bashkia Kamëz i kujton Saimir Tahirit që njerëzit e lidhur me krimin si ai duhet të përgjigjen për atë që tashmë di çdo qytetar shqiptar. Saimiri, ky ushtar i Shullazit, duhet të jetë mërzitur, pasi ka frikë se mos ai flet në organet e drejtësisë dhe opinioni publik mëson më shumë nga sa di. Saimir Tahiri dhe soji i tij përgjigjen nga Kamza dhe Xhelal Mziu e kanë marrë më 21 qershor 2015, ku me gjithë makinerinë e pushtetit, presionin, blerjen e votës dhe mënyra të tjera antiligjore dështuan, pasi qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit votuan bindshëm Xhelal Mziun për një mandat të tretë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Bashkisë Kamëz.

Bashkia Kamëz I drejton 5 pyetje ministrit Tahiri. Saimir Tahiri duhet t’u japë përgjigje disa pyetjeve që sot pret me padurim i gjithë opinioni publik: Kush i jepte imunitet Shullazit në gjobat që u ka vënë biznesmenëve? A është ai ushtar i Shullazit? Çfarë e lidh Saimir Tahirin me Shullazin, vjedhjen e votave? Kush ndërhyn për lirimin e kriminelëve nga qelitë e komisariateve? Përse u përplas policia me prokurorinë në rastin e Shullazit? Nga vinin urdhrat në Drejtorinë e Policisë Tiranë? Këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjet Saimir Tahiri në detyrën që mban pasi ai nuk është as prokuror dhe as gjykatës, me Kamzën merret Xhelal Mziu i votuar 3 mandate nga bashkëqytetarët.

Edmond DURAKU