Prokuroria çon në gjyq drejtoreshën e IKMT, shembi restorantin me leje

Prokuroria e Pogradecit ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, Kryeinspektoren e Inspektoratit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Dallëndyshe Bici. Po ashtu për gjykim ka shkuar edhe Drejtuesi i Njësisë Operacionale të këtij institucioni, Fatmir Meta. Dy zyrtarët akuzohen se kanë prishur në mënyrë të paligjshme objektin “Bar-Restorant” me sipërfaqe 450 m2, në pronësi të shtetasit M.C., në zonën e Liqenit të Ohrit, në ish-Komunën Udënisht.
Shtetasi i dëmtuar ka kallëzuar në Prokurorinë e Pogradecit se dy drejtuesit e IKMT, në kundërshtim të plotë me ligjin, kanë shkatërruar godinën e biznesit të tij “B…A…”, pavarësisht se ai ishte i pajisur me dokumentacionin e plotë ligjor për ndërtesën dhe ushtrimin e aktivitetit. Po sipas kallëzuesit, pas prishjes së ndërtesës, ai nuk është përfshirë në skemën e dëmshpërblimit në formën e shpronësimit publik.
Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Pogradecit ka arritur të faktojë se godina në pronësi të kallëzuesit ka qenë e pajisur me lejen e ndërtimit nga organet kompetente. Po ashtu, ditën e ndërhyrjes së inspektorëve të IKMT për prishjen e godinës, në dt. 20.09.2014, pronarit të ligjshëm të saj nuk i është vënë në dispozicion asnjë akt administrativ përkatës. Një akt i tillë për prishjen e godinës së shtetasit M.C., nuk gjendet as në arkivin dhe protokollin e IKMT-së në Tiranë.
Në bazë të dokumentacionit zyrtar, të vendosur në dispozicion nga kallëzuesi në funksion të hetimit, rezulton se godina e prishur në mënyrë të paligjshme ka vlerën e rreth 60 milionë lekëve. Për efekte të biznesit, pronari i ligjshëm ka vendosur kolateral këtë ndërtesë për marrjen e një kredie në vlerën e mbi 18 milionë lekëve.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Pogradecit arrin në përfundimin se dy zyrtarët e lartë të IKMT-së kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, bazuar në sa më poshtë, të paraqitura në mënyrë të përmbledhur:
– Vendimi datë 19.09.2014 për prishjen e lokalit “B…A…” është një vendim selektiv, arbitrar dhe haptazi në kundërshtim me dispozitat ligjore, konkretisht me Nenin 5 të Ligjit Nr.9780 datë 16.07.2007, pasi objekti ishte ndërtuar me leje të dhënë nga organi kompetent dhe ishte i regjistrtur në ZVRPP. Nëse leja e dhënë binte në kundërshtim me dispozitat ligjore,  çështja do të zgjidhej në Gjykatë.
Vendimi i mësipërm është selektiv, pasi kishte të paktën edhe dy lokale të tjerë, pjesërisht të ndërtuar në liqen, të konstatuar nga vetë punonjësit e IKMT si ndërtime në kundërshtim me lejen e dhënë. Në këto raste, asnjë prej tyre nuk u konsiderua si ndërtim i kundraligjshëm. Përkundrazi, këto raste janë trajtuar si prishje në kuadër të shpronësimeve për zbatimin e projektit  buzë Liqenit të Ohrit.
Objekti “B…A…” në pronësi të shtetasit M. C., është ndërtuar me lejen e KRRT-së të ish- Këshillit të Rrethit Pogradec, dt.12.06.2000, pjesërisht në brendësi të Liqenit të Ohrit dhe pjesërisht në breg të tij, pasi, kur është bërë ky ndërtim, nuk kishte kufizime për të mos ndërtuar në liqen. Edhe rikonstruksioni është ndërtuar me leje dhe ndërtimi është bërë mbi objektin ekzistues.
– Po kështu, vendimi për prishjen e lokalit “B…A…” është marrë pa verifikuar dokumentacionin dhe urdhëri i prishjes është dhënë në çast, duke mos respektuar kërkesat e Nenit 12 dhe 14 të Ligjit Nr.9780 datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, për afatet e kundërshtimit të aktit administrativ, duke i mohuar pronarit të objektit të drejtën e ankimit në Gjykatë.
– Nga veprimet hetimore rezulton, se në krye të operacionit për prishjen e lokalit ka qenë personalisht Kryeinspektorja e IKMT, Dallëndyshe Bici, e cila, me veprimet e saj, ka shpërdoruar detyrën, duke i shkaktuar shtetasit M. C. dëm ekonomik të konsiderueshëm.