Vritet vëllai i të ekzekutuarit që ruhej me policë në Elbasan

Një tjetër vrasje ka tronditur dje qytetin e Elbasanit. 40-vjeçari Saimir Beqiri është gjetur i vrarë mëngjesin e djeshëm në një lokal përgjatë aksit Elbasan-Metalurgji, në fshatin Katund i Ri. Burime nga policia lokale bënë të ditur se viktima është vrarë, pasi ka plagë me armë zjarri në trup. Bëhet e ditur se autorët e vrasjes kanë qenë dy persona me paruke dhe lëviznin me “Benz” “Elegancë”. Dyshohet se vrasja mund të jetë kryer gjatë natës në lokal. Në oborrin e lokalit ku u gjet i ekzekutuar 40-vjeçari, aty pranë ndodhet edhe një karburant që është në pronësi të tij. Sajmir Beqiri ishte babai i tre fëmijëve dhe merrej me biznes. Ai zotëronte një pikë karburanti dhe merrej me tregti ushqimore.
Mësohet se viktima Saimir Beqiri 40 vjeç, është vëllai i Gentian Beqirit, i cili u ekzekutua me silenciator në banesë në vitin 2012, teksa ruhej nga policët, pasi ishte në “arrest shtëpie”. Ndërsa rreth 1 orë më vonë, po atë ditë i ati gjeti vdekjen pas një infarkti të pësuar nga tronditja. Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie prej rreth 2.5 vitesh, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005. Policia e Elbasanit bëri të ditur se, viktima e djeshme ishte person me precedent të mëparshëm penalë.

Si u ekzekutua biznesmeni Sokol Çapja në vitin 2005

Gentian Beqiri, i cili kohët e fundit kishte ndërruar identitetin dhe njihej me emrin Ardian Meta, është arrestuar pak muaj pas vrasjes së biznesmenit elbasanas, Sokol Çapja. Sipas Prokurorisë së Elbasanit, në bazë të sigurimit të provave shkencore dhe analizës së ADN-së, dyshohej që Beqiri të ishte një nga autorët e vrasjes së Çapjas. Prokurori Elvin Gokaj kishte kërkuar dënimin me 25 vjet burg të Gentian Beqirin, por Gjykata kërkoi dy herë rigjykim të tij, dhe dy vite e gjysmë më parë vendosi për të masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Ngjarja për të cilën akuzohej 40-vjeçari ka ndodhur 7 vite më parë. Biznesmeni 33-vjeçar, Sokol Çapja u ekzekutua mbrëmjen e 26 dhjetorit të vitit 2005, nga të paktën tre persona të armatosur dhe me maska në lokal. Atentatorët qëlluan në drejtim të tij disa herë me pistoleta dhe me automatik “Skorpion”. Pas ngjarjes, policia deklaroi se autorë të atentatit ishin Dritan Sheme, Armando Hasani dhe Gentian Beqiri (Meta).
Pas kësaj vrasjeje, në kohë të ndryshme ndodhën një varg ngjarjesh misterioze. Oficeri i Policisë Rrugore, Fadil Mema, u plagos me armë në këmbë në një atentat të ngritur nga dy persona, në afërsi të shtëpisë së tij. Ndërsa familja Çapja sipas policisë kishte akuzuar Memën si organizator të atentatit.
Të dy familjet kishin lidhje të ngushta miqësore mes tyre. Pas plagosjes, policia ndaloi një nga nipat e Sokol Çapjas dhe një person tjetër. Por, Prokuroria nuk provoi se ai ishte i përfshirë në atentatin ndaj Fadil Memës. Pas pak kohësh u ekzekutua në autoshkollën e Fadil Memës kunati i tij, Ardian Ibrahimi. Një nga të akuzuarit, Gentian Beqiri (Meta) u kap nga policia, ndërsa tentoi të arratisej për në Greqi. Gjatë operacionit, ai u plagos në njërën këmbë. Pas kapjes së Gentian Metës, u vra në rrethana misterioze në Tiranë, Dritan Sheme.

Historia/ Familja e Saimir Beqirit e vrarë në atentate

Vrasja e mëngjesit të sotëm në Elbasan dyshohet se është pasojë e një zinxhiri ekzekutimesh mes një hasmërie të vjetër në qytet. Dyshohet se porosia për vrasjen e Saimir Beqirit është marrë përsipër nga vrasës me pagesë, pasi asnjë dëshmitar i zonës nuk ka mundur të identifikojë personat që e ndoqën. Dyshohet se ai është tërhequr në një ambjent të veçuar nga ekzekutorët dhe më pas është qëlluar për vdekje.
40-vjeçari është vëllai i Gentian Beqirit, i vrarë 4 vite më parë brenda në shtëpinë e tij, ndërsa qëndronte në masë arresti, i ruajtur nga policët. Bashkë me të, brenda në shtëpi, u vra edhe babai i tij. Në gusht 2012, Gjykata kishte vendosur për të “arrest shtëpie”, ku e ruanin dy policë, por vrasësit arritën të futen brenda, në sy të policisë, dhe e vranë në gjumë.
Në atë kohë, fillimisht u tha se babai i viktimës, dëshmitar i vetëm i ngjarjes, pësoi atak kardiak dhe vdiq një orë pas ngjarjes, pasi nuk mundi ta përballojë traumën që i shkaktoi vrasja e të birit.
Por më pas, Prokuroria sqaroi se babai kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra.
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Qemal Stafa” të Elbasanit. Viktima Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie prej rreth 2 vitesh e gjysëm, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.
Viktima 40 vjeç, kishte më shumë se 6 vjet që ishte thuajse i paralizuar, pasi në tentativë për t’i shpëtuar policisë, u hodh nga një lartësi e konsiderueshme në Komisariatin e Sarandës, ku ai ishte arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin.
Pak para se të ndodhte krimi, nëna e viktimës ka dalë për të bërë pazar. Ka qenë pikërisht ky moment i shfrytëzuar nga autorët, të cilët duket se kishin menduar mjaft mirë edhe dialogun që do të bënin me policinë, në mënyrë që të arrinin të futeshin pa telashe në banesën e shënjestrës së tyre.
Fillimisht ata janë përballur me efektivin që ruante te porta hyrëse e pallatit. Por ata kanë arritur të ngjisin shkallët pa asnjë problem. Duket që polici ka menduar se dy personat e panjohur ishin mysafirë të ndonjë fqinji të personit që kishte nën ruajtje.
Më tej, kur janë ngjitur në katin e pestë janë përballur me policin e dytë. Ata kanë nisur të flasin shumë miqësisht me të, duke iu prezantuar si djem të tezes së Gentian Beqirit.
Njëri nga autorët ka pyetur policin roje nëse ishte “tezja” në shtëpi, teksa i ka bërë me shenjë që bëhej fjalë për hyrjen ku banonte familja Beqiri. Por ai u ka thënë dy të panjohurve se e zonja e shtëpisë sapo kishte dalë në treg për të bërë pazar.
Në këtë moment, njëri prej tyre ka vazhduar dialogun, duke i thënë policit roje se po shkonin të takonin “djalin e tezes”, Gentianin, pasi kishin kohë pa e takuar.
Autori i ka rënë derës së banesës, të cilën e ka hapur i babai i moshuar i viktimës, Nezir Beqiri. Dera e banesës ishte në një kthinë të sheshpushimit ku qëndronte polici roje, i cili siç mësohet nuk ka vënë re asgjë të pazakontë.
Vetëm pak minuta ka zgjatur “vizita” e dy personave, të cilët kanë dalë nga banesa me hapa krejt normalë. Pasi kanë zbritur shkallët, ata kanë kaluar edhe policin e dytë roje. Ky i fundit, i habitur nga vizita e shpejtë, i ka pyetur se pse kishin qëndruar aq pak.
Por pikërisht në këtë moment është zbuluar çfarë kishte ndodhur, pasi të dy personat kanë vrapuar, duke u futur nëpër rrugicat e lagjes. Policët kanë shkuar me të shpejtë në vend dhe konstatuan vrasjen e personit që ata e ruanin prej 2.5 vitesh, ndërsa përtokë pa ndjenja ishte edhe babai i tij, Nezir Beqiri, i cili dyshohet se është qëlluar në kokë me qytën e pistoletës që të mos jepte alarmin e krimit.
Sipas Policisë, vrasja është kryer me pistoletë me silenciator, ndërsa viktima ka marrë disa plumba në kokë dhe në trup. Dyshohet se në momentin e ngjarjes 40-vjeçari ndodhej ende në gjumë.