Korrupsion me fondet e rrugës “Pavarësia”, PD padit kryebashkiakun Dako

Partia Demokratike e Durrësit ka denoncuar në Prokurori, Kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako.
Denoncimi është bërë nga kryetari Degës së PD të Durrësit, Osman Stafa, për shpërdorim të fondeve për investime publike të rrugës “Pavarësia”. Investimi në këtë rrugë përfundoi vjet, por nuk dihet pse janë akorduar fonde të reja për punimet.
Stafa deklaroi për mediat se janë kryer investime 2 milionë dollarë, të cilat që kanë përfunduar 1 vit më parë dhe tashmë, ai investim është shkatërruar dhe po kryhet një tjetër i ri. Po ashtu, kreu i demokratëve të Durrësit pohoi se po shkatërrohet dhe sezoni turistik.
Prej pak ditësh, ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës “Pavarësia” në zonën e Plazhit në qytetin e Durrësit. Banorët e qytetit pohojnë se kanë vënë re mjete të rënda e punëtorë, të cilët kanë bërë rrethtimin e trotuarëve, prishjen e kuadrateve të gjelbërta të lulishteve, vendeve të parkimit si dhe të shëtitores së biçikletave, investim ky që u inaugurua në muajin qershor të vitit 2015, pak ditë përpara zgjedhjeve lokale. Poshtë këmbëve të Urës së Dajlanit është vendosur tabela me të dhënat sqaruese të firmës së ndërtimit, vlerës së projektit dhe kohëzgjatjes së përfundimit të punimeve.
Bëhet e ditur se investitori i projektit, me afat punimesh 9 muaj, është Bashkia e Durrësit. Projekti konsiston në rehabilitimin e të dyja anëve të rrugës “Pavarësia” dhe sistemimet e rrugëve dalëse në Plazh me vlerë rreth 2.2 miliardë lekë. Por investimi i dytë që po bëhet në të njëjtën rrugë, ka pasuar me reagimin e ashpër të banorëve të kësaj zone si dhe të bizneseve në plazhin e Durrësit. Të revoltuar, banorët i kanë kërkuar Bashkisë të bëjë transparencë me fondet publike, por njëkohësisht i kanë bërë thirrje të bëjë transparent projektin. Ata shprehen, se projekti i ri ngushton rrugën me dy korsi dhe heq plotësisht parkingjet anës rrugëve.
Kjo rrugë e rikonstruktuar është inauguruar vitin e shkuar dhe konkretisht shëtitoren e biçikletave, në të cilën u vendosën pemë dhe u bënë lulishte, dhe çuditërisht 7 muaj më pas po i prishin me një ndërtim të ri, për të cilin u investuan miliona të ardhura që e kanë burim nga taksat e qytetarëve.
Për më tepër është absurde të bëhen punime në fillim të sezonit turistik. Kjo do të pasojë me largimin e pushuesve dhe me dëmtimin e biznesve përreth si dhe për vetë qytetin tonë. Po vitin e shkuar në këtë rrugë u ngritën parkingjet, dhe paradoksi qëndron se këtë vit atë çfarë vjet ndërtuan, po prishen këtë vit. Reagime në lidhje me këtë situatë ka patur edhe nga media, duke parashtruar të njëjtat fakte si në këtë kallzim.