Bale: Te Reali, pritshmëritë janë gjithmonë të larta

Pas dëmtimit të gjatë që e la jashtë fushe për disa javë, Gareth Bale është rikthyer te paraqitjet e tij të mira. Anësori nga Uellsi, i intervistuar së fundmi përshkruan dy sezonet e tij me Realin e Madridit, duke rrëfyer dhe momentin më emocionues. “Ky klub ka pritshmëri shumë të larta dhe jam shumë i lumtur që kam ardhur në këtë skuadër. Që kur kam ardhur këtu, kemi fituar 4 tituj, dhe rendimenti im është rritur së tepërmi. Fitorja e La Decima-s në sezonin tim të parë me fanellën e Realit të Madridit ishte e pabesueshme për mua. Nuk do t’i harroj kurrë festimet që u zhvilluan në qytet”, u shpreh Bale.
Në intervistën e tij, Gareth Bale nuk harroi të jepte një “asist” për Zinedine Zidane, duke votuar publikisht për qëndrimin e trajnerit në krye të Realit të Madridit. “Zidane në këto muaj ka treguar se është një trajner i shkëlqyer. Është një nder të drejtohesh nga një prej futbollistëve më të mirë të historisë, me të argëtohem shumë. Shpresoj që Zidane të qëndrojë sa më gjatë në drejtimin e kësaj skuadre”, tha ai.