Vidal tek Chelsi?

Firma e Antonio Kontes me Çelsin pritet të ndezë merkaton e kësaj vere, duke qenë se në Londër duan të bëjnë gjëra të mëdha për të ringritur skuadrën, prandaj shumë nga lëvizjet e futbollistëve do të varen nga ofertat e presidentit rus, Roman Abramoviç. Ky i fundit e ka marrë të qartë sinjalin se trajneri italian kërkon Arturo Vidalin në skuadër dhe për mesfushorin e Bajernit të Mynihut, i cili nuk ia ka mbyllur derën një ribashkimi me Konten, padyshim që oferta prej 40-50 milionë eurosh e bluve mund të pranohet nga gjermanët.
Drejtuesit e klubit nga Mynihu nuk i kanë pëlqyer disa bëma të Vidalit, përveçse disa deklaratave në lidhje me Konten, prandaj nuk pritet të bëjnë rezistencë. Kjo edhe për faktin se nga ana tjetër, trajneri i ardhshëm i gjigantëve të Bundesligës, Karlo Ançeloti, është i bindur se mund të tërheqë në “Allianz Arena” Klaudio Markizion. Mesfushori 30-vjeçar i Juventusit është një dëshirë e vjetër e “Karletos”, i cili kërkoi ta tërhiqte edhe te Reali i Madridit, por ndoshta, duke parë që mosha e futbollistit kalon, ky mund të jetë rasti i fundit që një skuadër si Bajerni të shtrijë dorën, për të tentuar fitoren e Champions-it.
Ançeloti ka urdhëruar Rumenigen dhe bordin bavarez që të bëjnë një sakrificë financiare, gati 50 milionë euro, një shifër kjo, e cila mund të vërë në vështirësi reale drejtorin Marota dhe presidentin Anjeli, të cilët mund të shtyjnë për mbylljen me sukses të tratativës. Gjithsesi, deri në verë ka shumë kohë për të bërë vlerësimet.
Mund të jetë Radja Nainggolan përforcimi i parë i Chelsea-it të Antonio Contes në merkaton e ardhshme. Sipas asaj që zbulojnë mediat italiane drejtuesit e Bluve të Londrës kanë nisur kontaktet e para me drejtorin sportiv të Romës, Walter Sabattini për të bërë të mundur kalimin e mesfushorit belg në “Stamford Bridge”. Ka qenë pikërisht Sabbatini i shoqëruar edhe nga menaxheri i Mohamedd Salah, Remy Abbas që ka udhëtuar drejt Londrës për të takuar drejtuesit e klubit londinez.
Në takimin mes palëve më shumë sesa për sulmuesin egjiptian fati i të cilit tashmë është shkruar, pasi Roma do ta blejë përfundimisht kartonin e Salah, është folur pikërisht për Radja Nainggolan. Roma kërkon 35 deri në 40 milionë euro për t’u privuar nga ish-lojtari i Cagliarit shumë të cilën presidenti i Bluve, Roman Abramovich është mëse i gatshëm ta paguajë për të kënaqur Antonio Conten. Radja Nainggolan ka shkëlqyer me fanellën e klubit kryeqytetas gjatë dy sezoneve të fundit dhe me të drejtë ai ka përfunduar në radarët e disa klubeve të rëndësishme në Europë. Por nga Roma, Conte nuk dëshiron vetëm 27-vjeçarin me origjinë indoneziane, por që përfaqëson Belgjikën, pasi pëlqen edhe qëndërmbrojtësin grek Kostas Manolas, me Chelsea-in që pritet ta bëjë një tentativë edhe për këtë të fundit.