Si u manipuluan shifrat e referendumit të deleve

PS ka shënuar dje fundin e një cikli të një partie dhe instalimin e kultit të një individi me probleme të rënda psikike në krye të PS. Manipulimi i turpshëm i shifrave të referendumit të djeshëm në PS ishte shenjë e qartë se Rama i ka humbur socialistët dhe tashmë i vetmi mekanizëm që ai beson se mund ta mbajë atë gjatë në krye të partisë dhe të pushtetit është ai i manipulimit.
Vetë arsyet se përse u bë ky referendum nuk kanë të bëjnë me ciklin e një partie që ushtron detyrat ndaj anëtarëve të saj në një sistem demokratik. Përmes manipulimit të këtij referendumi, Rama ligjëroi dënimin me zgjedhje të zgjedhjeve në parti. Ky mentalitet i vrasjes së forumeve të një partie sot është një këmbanë për demokracinë. Një individ që nuk bën zgjedhje në parti është i prirur që të njëjtin model ta shtrijë edhe më tej. Ai po paralajmëron ekzekutimin e zgjedhjeve parlamentare përmes manipulimeve. Dje, shndërroi në një farsë një referendum, nesër do të kërkojë të kthejë në farsë edhe zgjedhjet parlamentare.
Si mbërriti Rama deri këtu është e qartë. Ai asnjëherë nuk është votuar. Në të gjithë sukseset e tij politike, ai ka fituar përmes manipulimeve. Në krye të PS u bë me të famshmen frazë, një votë, një pallat. Tani është e qartë se për të mbajtur këtë pushtet për të cilin Blushi heshti atëherë kur ai erdhi në krye të PS, ai përdor të gjitha mekanizmat e pushtetit, që nga presioni dhe deri tek joshjet.

Braktisje masive e referendumit nga socialistët

Të dhënat e djeshme nga burime në qendrat e votimit kanë raportuar për një braktisje në masë të referendumit nga socialistët: Kanë votuar më pak se 25% e anëtarësisë aktuale në rang vendi, ndërsa shifra që është zyrtarizuar nga Rama ka qenë ajo e farsave të dikurshme të PPSH prej 99%.
Në zona të ndryshme është raportuar se ka pasur edhe numër të barabartë të votave mes atyre “pro” dhe “kundër”, por pala që ka qenë kundërshtare e Ramës nuk është lejuar për asnjë moment që të monitorojë procesin. Burime të sigurta të marra nga anëtarë të komisionit të PS Kurbin për rezultatin e referendumit theksuan se edhe se janë telefonuar me qindra herë anëtarët e PS nga drejtuesi i Bashkisë kanë marrë pjesë 534 votues nga këta 4 vota kanë dalë të pavlefshme dhe rezultati 301 me 229.
Duke parë këtë rezultat është ndërhyrë fuqishëm në plotësimin e fletëve për të nxjerrë pjesëmarrje dhe fitues Kryeministrin. Kudo po përflitet rezultati shumë i keq ndaj Ramës.

Si u manipulua me rezultatet

Në Shkodër është raportuar për një sherr të madh të Komisionit të numërimit të votave të referendumit me deputeten Mimoza Hafizi. Komisioni kërkonte që të rriste deri në 85% pjesëmarrjen e socialistëve në referendum, kur në fakt shifrat flisnin se kishin marrë pjesë më pak se 50% e anëtarësisë.
Në Shkodër i kanë marrë me dhunë dje anëtarët për të votuar, duke kërcënuar me vendet e punës!
Në Laç kanë marrë pjesë 230 votues, nga këto 150 pro dhe 80 kundra, dhe kanë shtuar 100 vota, duke e nxjerrë shifrën me 330 votues. Në Mamurras kanë marrë pjesë 190 votues, janë shtuar 50, dhe rezultati real 86 pro, 100 kundra, dhe 4 të pavlefshme.

Manipulimi me anëtarësinë, si u përjashtuan zgjedhësit potencialë

Referendumi së pari ka ngjallur hije dyshimi, sepse nga votimi janë përjashtuar së paku 18 mijë socialistë ose gati 20% e zgjedhësve potencialë.
Në korrik të vitit 2015, në një takim me të rinjtë e PS në Jalë, Rama shpalli objektivin e tij për rritjen e anëtarësisë.
Ai tha në atë takim se, objektivi është që nga 100 mijë anëtarë të PS-së deri në atë moment, anëtarësia e PS-së do të shkojë në 150 mijë, në vitin 2017. Pra, me shifrat e vetë Ramës PS ka humbur saktësisht 18428 anëtarë, në raport me korrikun e kaluar dhe të gjithë ata që janë anëtarësuar në fushatën që pasoi nga korriku deri më tani.
Sepse është bërë ky falsifikim kuptohet lehtë: Që referendumi të quhet i vlefshëm duhet që në votime të dalin më shumë se 50% e anëtarësisë. Por frika se mos shumë nga socialistët bojkotojnë, pasi e kanë kuptuar falsitetin e kësaj gare, i ka shtyrë socialistët ta ulin numrin e votuesve?
Po pse kjo frikë nga bojkoti dhe falsiteti i garës?
Sepse për të shkuar deri në referendumin, qëllimi i të cilit ishte të shmangte garën e kreut aktual me kandidat alternative përballë u bë një seri shkeljesh dhe manipulimesh.
Së pari, sepse vetë referendumi ishte i paligjshëm ashtu siç tha vetë në kongres hartuesi i statutit të ri të PS, Fatmir Xhafa. Ai ishte i paligjshëm, sepse normalisht ai nuk mund të kishte fuqi prapavepruese për një garë që duhej bërë tri vite më parë. Por ai ishte i paligjshëm ashtu sikurse tha Xhafa, sepse nëse socialistët e votuan vetë statutin e ri në kongres, atëherë ata këtë nen e kishin miratuar në këtë statut, prandaj 9 prilli ishte i panevojshëm.
Një tjetër arsye e paligjshmërisë ishte edhe ajo që kapi Ben Blushi. Nëse kodi i zgjedhjeve të PS sanksionon se referendumet nuk mund të organizohen dy muaj para dhe dy muaj pas kongresit, zhvillimi i tij këtë të shtunë e shndërron atë në nul.
Por kalvari i shkeljeve vazhdon: Pyetja e referendumit nuk u miratua në kongres, ai u realizua pa fushatë pro dhe kundër dhe mbi të gjitha pa komisionerë të atyre që e kundërshtojnë atë.
Për të gjitha këto, Rama e shndërroi votimin e 9 prillit në një farsë, aq groteske dhe aq të pabesueshme, sa në fund e zuri frika se mos socialistëve nuk u interesonte kjo butafori dhe nuk shkonin në kutitë e votimit. Ndaj ai u fut në rrugën e manipulimit, të cilën e filloi me pastrimin e listave nga mbi më shumë se 18 mijë zgjedhës (pa përfshirë të anëtarësuarit në PS këtë vitin e fundit).

Hafizi përgënjeshtron PS: U manipulua pjesëmarrja

Sapo është mbyllur proçesi i votimit, në një deklaratë për mediat deputetja socialiste Mimoza Hafizi është shfaqur kritike mbi mënyrën se si u organizua referendumi, ndërsa e quajti të manipuluar proçesin për Shkodrën. Gjatë të gjithë ditës nuk kam arritur të kontaktoj më komisionin zgjedhor dhe as të akreditoj vëzhguesit e mi tha deputetja Hafizi. Madje ajo ju referua monitorimit që i bëri një qendre në Berdicë, ku për 45 minuta votoi vetëm një person. Kritike u tregua edhe me qeverisjen e vendit, duke u shprehur se partia dhe qeveria janë të pandara dhe problemet e brendshme janë reflektuar.  Në Shkodër sipas degës lokale të PS pjesmarrja në votime shkoi në 80%, nga 1420 anëtarë të thirrur për të shprehur vullnetin e tyre.
“Ne përfundim është deklarata më e rëndësishme, se ne nuk na u dha mundësi të kemi akses në këtë prooces. Me kodin zgjedhor të PS e kemi të garantuar. Kjo e drejtë nuk na u dha. Kam ardhur që dje që të marr në dorëzim listat e zgjedhjeve, të bëjë akreditimin dhe te monitorojmë procesin përmes vëzhguesve. Pjesëmarrja është nën 50%. Ky është i vetmi rast kur një proces që organizohet dhe monitorohet vetëm nga një palë e vetme. Nëpër ish-komuna kam arritur të gjej një qendër votimi në Berdicë dhe për 45 minuta që qëndrova aty erdhi vetëm 1 votues. Ky proces, i cili nisi si proces i pa rregullt u inicua, u monitorua, u organizua vetëm nga një palë”.