Ballina Aktualitet Prokuroria ngre padi penale: Jo të ligjshme motivet e fluturimit

Prokuroria ngre padi penale: Jo të ligjshme motivet e fluturimit

Prokuroria e Shkodrës regjistron procedimin penal për helikopterin e rrëzuar se në Liqenin e Shkodrës janë shkelur rregullat e fluturimit ajror dhe për lëvizje të trupave ushtarake pa të drejtë apo pa një shkak të ligjshëm. “Shkelje të rregullave të fluturimit ajror” dhe “Lëvizje e trupave pa të drejtë”, janë dy akuzat për të cilat do të merren nën hetim edhe eprorët e pilotëve. Burimet nga organi i akuzës së qytetit verior bënë të ditur se, nga verifikimet paraprake, procedimi penal është regjistruar për këto dy vepra penale të parashikuara në Nenin 48 dhe 83 të Kodit Penal Ushtarak. Për veprën penale të “Lëvizjes së trupave pa të drejtë”, mendohet se do të mbajnë përgjegjësi eprorët e pilotëve, pasi kanë lejuar ngritjen e helikopterit pa një urdhër specifik apo plan masash të detajuar dhe arsyetuar për misionin e kryer, siç parashikon rregullorja.
Ligji parashikon që “Komandanti që pa autorizim, urdhër, mision të veçantë ose shkak tjetër të ligjshëm, urdhëron lëvizjen e trupave ose mjeteve tokësore, detare apo ajrore, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me ulje në gradë, me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në 2 vjet”.
Vepra tjetër penale, për të cilën po vazhdojnë hetimet nga Prokuroria e Shkodrës është ajo e parashikuar në Nenin 83 të Kodit Penal Ushtarak. Ku parashikohet se, “Shkelja nga ushtaraku e rregullave të flutirimit dhe të përgatitjes së teknikës së fluturimit, kur nga këto janë shkaktuar vdekje ose pasoja të tjera të rënda, dënohet me burgim deri në 15 vjet burg”.
Burimet shtuan se, përsa kohë nuk dihet ende se përse helikopteri EC145 me ekuipazh dy pilotët që humbën jetën Florian Deliaj dhe Donald Hoxha dhe të mbijetuarin Gerald Baramuça është ngritur nga baza e Farkës, dyshimet e Prokurorisë fokusohen tek këto dy vepra penale. Burimet shtuan se, Prokuroria e Shkodrës i ka kërkuar Prokurorisë së kryeqytetit të kryejë disa veprime hetimore, siç janë marrja e dokumentacionit në bazën ajrore të Farkës si edhe në qendrën e kontrollit të raportimit në Rinas.
Nga ana tjetër janë ngritur dyshime se, helikopteri i llojit “EC 145” gjatë fluturimit ka pësuar një defekt teknik në bishtin e saj, duke marrë flakë. Të ndodhur në këto kushte, dy pilotët kanë tentuar të ulin në ujë helikopterin që të kenë mundësi të fikin zjarrin. Por në momentin që slitat kanë prekur ujin, jastëku i ajrit të krahut të majtë nuk është hapur dhe helikopteri ka rënë në ujë. Në këtë kohë, thuhet nga informacionet paraprake, dy pilotët nuk kanë arritur të lirohen nga rripat e sigurimit, por kane gjetur vdekjen. I vetmi që ka mundur të shpëtojë është ushtaraku Gerald Baramuça, i cili ishte ulur në pjesën e pasme.
Gjithashtu, nuk dihet ende itinerari i saktë i helikopterit, megjithëse shefi i Shtabit të Përgjithshëm menjëherë pas rrëzimit të helikopterit deklaroi se itinerari i helikopterit ka regjistruar si shkëputje nga baza në Farkë orën 12:10, ndërkohë që kontakti i fundit në fluturim ishte në orën 13:45 minuta të datës 6 prill.
Ndërkohë ende nuk është marrë në pyetje i mbijetuari Baramuça për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Megjithëse ushtria raportoi se helikopteri u nis sipas një programi të planifikuar për një fluturim stërvitor, hetuesit kanë zbuluar se nuk ka patur as një plan stërvitor të detajuar. Ende mbetet e paqartë dinamika se kush ishte piloti kryesor, përgjatë të cilit korridor ajror fluturonte Eurocopteri dhe cilat janë shkaqet e rrëzimit të tij.
Prokuroria thotë se për zbardhjen e dinamikës do të ndihmojë edhe kutia e zezë, e cila u nxor dje nga Liqeni dhe pritet të merret nga ekspertët e kompanisë Eurocopter, që i janë bashkuar kërkimeve për nxjerrjen e mbetjeve të helikopterit të rrëzuar në Liqenin e Shkodrës.

Babai i pilotit Florian Deliaj: Aksidenti më duket paradoksal

Jah Deliaj, babai i pilotit Florian Deliaj, i cili humbi jeten në aksidentin tragjik pas rrëzimit të helikopterit të ushtrisë në Liqenin e Shkodrës ka rrëfyer mes dhimbjes dhe lotëve pasionin e të birit për profesionin dhe momentet e fundit të ndarjes me të. Jah Delia e cilëon paradoksal rrëzimin e avionit dhe i kërkon drejtësisë të zbardhë ngjarjen.
Prej tre ditësh familjarët e Florian Deliajt kanë hapur dyert e mortit. Piloti 43-vjeçar ishte baba i tre vajzave, më e madhja 12 vjeçe dhe më e vogla 6. Mes dhimbjes për humbjen e djalit, babai i 43-vjeçarit rrëfen çastin e fundit kur kishte përcjellë të birin si zakonisht për në punë

-Kur keni komunikuar për herë të fundit me djalin?
Komunikova në 7:15 kur ai dilte në punë. Merrte makinën që tani ka mbetur aty. Merrte dhe nusen e vet.

-Si e mësuat ngjarjen e rëndë?
Ngjarjen e mësova nëpërmjet televizionit, dhe deri në momentin e fundit nuk e besoja që një prej vikimave është im bir. Mora vesh që është një helikopter. E dija që djali ishte në veri. Njëherë është një i vdekur, njëherë është dy. Njëherë është një i plagosur dhe doli dhe derisa në fund emrat dolën.

-Ç’mund të thoni për aksidentin e helikopterit?
Nuk i di ende shkaqet e aksidentit tragjik. Është pak paradoksale që një mjet i testuar nga NATO dhe kur e ballafaqoj me kohën e mirë që ishte dhe kushtet më duket…nuk e di se çfarë ka ndodhur. Kërkoj nga drejtësia që të zbardhet ngjarja.

-Si e përjetuat ngjarjen tragjike?
Për mua është goditje e rëndë, djali nuk më vjen. Falënderoj të gjithë shqiptarët që u bënë pjesë e kësaj dhimbjeje. Për vetë mirënjohjen që po tregojnë shqiptarët, edhe politika nuk është përzjerë. Kur të dalë e vërteta…ne kemi besim se do të dalë shumë shpejt.

-Çfarë pengu ju ka mbetur nga djali?
Jeta e djalit, kjo është pengu kryesor. Famijët që do t’i shoh për ditë duke u rritur pa baba, peng është.

Përmirësohet gjendja e ushtarit që i mbijetoi rrëzimit të helikopterit

Gerald Baramuça, ushtari që i mbijetoi aksidentit të rrëzimit të helikopterit ndodhet ende i shtruar në Spitalin e Traumës. Ai është jashtë rrezikut për jetën, por i mbikëqyrur rreptësisht nga Policia Ushtarake. Gëzon shëndet të mirë ndonëse aksidenti ishte fatal për dy kolegët e tij.
Gerald Baramuça është ende nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë. Zyra e shtypit e këtij spitali bën të ditur se, gjendja shëndetësore e tij është brenda parametrave jetësore. Këtë fundjavë nuk parashikohet të dalë, por të hënën pritet të jepet një vlerësim nga mjekët. Ndërkaq Baramuça vazhdon të mbikëqyret rreptësisht nga Policia Ushtarake.
Ndërkohë një burim nga Spitali i Traumës bën me dije, se për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, ushtarit Baramuça nuk i është thënë lajmi i hidhur për humbjen e jetës së 2 shokëve të tij, kapiten Florian Delia dhe toger Donald Hoxha, me të cilët po fluturonte me helikopterin e ushtrisë. Sipas familjarëve, për momentin atij i kujtohet vetëm ndihma që i ka dhënë një peshkatar i zonës.
Ushtari i plagosur, Gerald Baramuça, kishte menduar se kishin rënë në pjesën malazeze të Liqenit të Shkodrës ndaj edhe kishte kërkuar ndihmë në gjuhën serbo-kroate. “Unë së bashku me Xhixhin, shkuam dhe nxorëm ushtarin e plagosur nga uji. Ai sa na pa duke menduar se kishte rënë në pjesën malazeze të liqenit na kërkoi ndihmë në gjuhën serbo-kroatishte. Më pas përsëriste gjithmonë, “ku është spitali, ku është spitali”, ndërsa na tregoi se kishin qenë tre persona në bordin e helikopterit. Nuk e dimë çfarë plagësh dhe ku i kishte marrë, ndërsa Xhixhi e çoi në spital”, tregon Skënder Cenaj.
Më herët ushtari që i mbijetoi aksidentit të rëndë, në një intervistë për shtyp tregoi çaste para rrëzimit të helikopterit. “Isha i ulur në pjesën e pasme të helikopterit. Para meje qëndronin të ulur dy kolegët dhe shokët e mi, Donaldi dhe Floriani. Në vesh kishim vendosur kufjet dhe unë isha duke bërë një video me celularin tim. Ndonjëherë bënim dhe gallata gjatë rrugës”, deklaroi ai.
Kjo ka qenë e qeshura e fundit për tre shokët. Fluturim patrullimi përfundoi me rrëzimin e helikopterit në liqen. Geraldi nuk mban mend shumë detaje. Ai tregon se ka arritur të dalë menjëherë nga kabina duke notuar në ujë derisa një varkë arriti ta shpëtojë.
Incidenti i tre ditëve më parë solli humbjen e jetëve të kapiten Florian Deliajt dhe toger Donald Hoxhës, që të dy pilotë të talentuar që kishin kaluar disa kurse të gjata trajnimi, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Kush e shkatërroi “kutinë e zezë” të helikopterit

Specialistët dhe polumbarët kanë arritur të nxjerrin nga uji “kutinë e zezë” të helikopterit të rrëzuar para tre ditësh ku humbën jetën dy pilotë dhe u plagos një ushtarak. Por bëhet e ditur se, “kutia” është e plasur dhe e copëtuar ndryshe nga sa garantohet një objekt i tillë që shërben për gjetjen e shkaqeve të rrëzimit të avionëve dhe helikopterëve.
Siç shihet në foto, disa pjesë të saj janë të ndara nga trupi kryesor i kutisë së zezë, duke krijuar dyshime se të dhënat brenda saj mund të jenë dëmtuar. Nga liqeni ka qenë e pamundur të nxirren pjesë të vogla të saj, kështu që dëmtimi i kutisë së zezë ka ndodhur pas nxjerrjes nga uji. Dëmtimi i kutisë është konstatuar edhe nga prokurorët e Shkodrës, të cilët po hetojnë shkaqet e rrëzimit të helikopterit.
Prokuroria e Shkodrës ka nisur çështje penale pavarësisht se një urdhër i ministres së Mbrojtjes kërkon të kufizojë hetimin brenda institucionit. Organi i akuzës dyshon se janë shkelur rregullat e fluturimit dhe se fluturimi ka qenë pa një shkak të ligjshëm.
“Kutia e zezë” ose “kamera” e helikopterit të rrëzuar në Shkodër u nxorr dje në mesditë nga polumbarët. Ndërkohë, ekspertët francezë të kompanisë Eurocopter, janë rikthyer në vendin e ngjarjes. Për shkak të kushteve të vështira të motit gjatë së premtes, ata bënë vetëm këqyrjen e vendit të ngjarjes, verifikimin e pjesëve të nxjerra nga liqeni si dhe u informuan nga ushtarakët shqiptarë lidhur me të dhënat që kishin grumbulluar.
Helikopteri EC-145 që u rrëzua në liqenin e Shkodrës kishte në bord vetëm dy profesionistë, dy personat që mbetën të vdekur nga rrëzimi. Personi tretë që për fat shpëtoi ishte ushtari profesionist Gerald Baramuça me detyre zjarrfikës. Protokolli e kërkon që helikopteri që kryen misione të gjera sic ishte edhe lëvizja e asaj dite duhet të kishte në bord një person tjetër të specializuar dhe jo një ushtar zjarrfikës. Personi i tretë duhej të ishte tekniku i bordit i helikopterit ose inxhinieri i helikopterit të cilët janë me detyre funksionale dhe marrin pagesën e veshtirësisë për këtë punë që bëjnë. Perkatësisht tekniku i bordit merr 240,000 mijë lekë të vjetra në muaj shtesë mbi pagën mujore dhe inxhinieri i fluturimit 280.000 lekë të vjetra mbi rrogën bazë pikërisht për këtë arsye.

R.POLISI

Exit mobile version