Çfarë po kërkon të fshehë Mrika nga rrëzimi i helikopterit?

Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të helikopterit në Liqenin e Shkodrës ku mbetën të vdekur dy pilotë duket se kanë ngecur. Ndonëse kanë kaluar tre ditë nga ngjarja tragjike, rrethanat e këtij aksidenti mbeten ende të paqarta, ndërsa tv Klan bën të ditur se Prokuroria e Përgjithshme është tërhequr nga hetimet, duke ia lënë këtë çështje hetuesve ushtarakë. “Pasi ka nisur hetim për ngjarjen, Prokuroria e Përgjithshme është tërhequr nga hetimet duke ia lënë këtë çështje hetuesve ushtarakë. Gjithashtu edhe për nxjerrjen e mjetit, pritet që të vihen në dispozicion mjetet e ushtrisë”, saktësoi tv Klan.
Megjithëse nuk kanë dalë versionet zyrtare mbi këtë aksident, ka dyshime paraprake mbi pasigurinë që kishte mjeti fluturues. Ai është i ndërtuar në formë të tillë që uljen e ka me slitë, që nënkupton se në rast aksidenti, duhet të kishin funksionuar jastëkët e ajrit. Në rastin konkret, duket se ata nuk kanë qenë aktivë, çka ka sjellë edhe tragjedinë. Që dy pilotët mund të kenë besuar në mjetin që drejtonin, kjo përforcohet edhe nga fakti që ata ishin me rrip sigurimi të lidhur, çka tregon se nuk tentuan hedhjen nga helikopteri, duke shpresuar minimalisht në hapjen e jastëkëve të ajrit pranë pjesës së slitës. Helikopteri “EC 145” i Forcës Ajrore Ushtarake Shqiptare ka kryer dy fluturime para se të rrëzohej në Liqenin e Shkodrës, ku fatkeqësisht humbën jetën dy pilotët Florian Deliaj dhe Dorian Hoxha.
Dje mbërritën në Tiranë edhe ekspertë të kompanisë prodhuese të helikopterit EC 145 që ra në Liqenin e Shkodrës. Rreth orës 13:00 ata kanë mbërritur në Aeroportin “Nënë Tereza” ku janë pritur nga përfaqësues të Ministrise së Mbrojtjes. Më pas, grupi i ekspertëve është nisur për në Shkodër, në bregun e liqenit, ku ka ndodhur edhe aksidenti ajror. Helikopteri EC 145 kishte ardhur në Shqipëri 7 muaj më parë, pasi ishte pjesë e një partie helikopterësh të blerë nga Ministria e Mbrojtjes.
Ndërkohë, nxjerrja e helikopterit nga Liqeni i Shkodrës ka dështuar. Polumbarët e Forcave RENEA kanë provuar në disa tentativa, që të vendosin jastëkë ajri për të ngritur në sipërfaqe të Liqenit të Shkodrës, helikopterin EC 145, që u rrëzua tre ditë më parë. Orvatjet e tyre nuk kanë sjellë rezultat. Sipërfaqja e butë e rërës në fundin e Liqenit ka bërë që me peshën e rëndë mjeti të zhytet dhe të jetë e pamundur të lidhen jastëkët e ajrit.
Misioni i dështuar, bën edhe më të domosdoshme praninë e ekspertëve të kompanisë prodhuese, si dhe angazhimin e mjeteve të tjera për nxjerrjen e helikopterit, qoftë të një helikopteri tjetër apo të një vinçi, pasi vetë helikopteri i zhytur peshon afërsisht 1 ton e 800 kilogramë. Prej dy ditësh mjeti që u rrëzua duke i marrë jetën pilotit Florian Deliaj dhe Togerit Donald Hoxha, ruhet nga një motoskaf i Policisë Kufitare. Në brigjet e liqenit janë vendosur forca të Policisë së Rendit dhe Policisë Ushtarake, të cilët nuk lejojnë civilët të afrohen. Tragjedia me dy viktima dhe një të plagosur ndodhi mesditën e së mërkurës. Ende nuk dihet misioni i helikopterit me tre pensona në bord në Veri të vendit.
Dje pasdite janë nxjerrë nga Liqeni disa mbetje të helikopterit ushtarak. Tek pjesët e nxjerra rezultojnë të jenë një sedilje e helikopterit, një pjesë e motorit të helikopterit si dhe disa mbetje të tjera. Ndërkohë, që nga operacioni nuk është gjetur ende kutia e zezë. Bëhet e ditur se mbetjet janë transportuar me një furgon të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë. Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe një përfaqësues i kompanisë ‘Eurocopter’.
Nxjerrja e helikopterit do t’i shërbejë edhe hetimeve të nisura tashmë nga Prokuroria për shkaqet e rënies së tij. Mësohet se në hetime do të përfshihet edhe kompania franceze “Eurocopter” nga e cila u blenë vitin e kaluar dy helikopterë të modelit “EC 145”. Përveç polumbarëve, nga Tirana në operacionin e nxjerrjes së pjesëve të helikopterit kanë qenë edhe forcat RENEA.
Dyshohet se helikopteri i ushtrisë ka patur për mision ardhjen në ndihmë të helikopterit privat “Shega Trans”, që sipas burimeve, kishte rënë në Malësinë e Madhe, në një kohë që është e ndaluar me ligj që helikopterët e ushtrisë të kryejnë misione që nuk i përkasin Forcat e Armatosura.
Helikopteri i kompanisë private “Shega Trans” pësoi një defekt gjatë fluturimit për të cilin lajmëroi operatorin e kullës në Rinas. Kjo e detyroi që të ulet rreth orës 10:00 në zonën ku është parë në liqenin e Shkodrës. Për t’u shkuar në ndihmë është nisur nga Farka, Helikopteri EC 145, me numër 637, me 3 persona ekuipazh në bord. Janë këto burime jo zyrtare për abc neës që sjellin një variant të ndryshëm të aksidentit që ndodhi ditën e mërkurë. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli deklaroi se, helikopteri ishte ngritur në fluturim për një stërvitje rutinë, por në fakt ai gënjeu për të fshehur skandalin që rëndon mbi të.

Të dhëna kontradiktore për shëndetin e ushtarakut Baramuça

Ushtari profesionist Gerald Baramuça që u plagos pas rënies së helikopterit në Liqenin e Shkodrës qëndron në një dhomë në pavionin “VIP” të Spitalit Ushtarak në Tiranë, nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe ende nuk është marrë në pyetje nga Prokuroria për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike që ka shfaqur. Familjarët e tij janë të irrituar sa i përket botimit të disa intervistave që sipas tyre janë të sajuara, pasi asnjë person tjetër veç mjekëve nuk ka hyrë në dhomën e Geraldit.
Ndërkohë një burim nga Spitali i Traumës bën me dije, se për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, ushtarit Baramuça nuk i është thënë lajmi i hidhur për humbjen e jetës së 2 shokëve të tij, kapiten Florian Delia dhe toger Donald Hoxha, me të cilët po fluturonte me helikopterin e ushtrisë. Sipas familjarëve, për momentin atij i kujtohet vetëm ndihma që i ka dhënë një peshkatar i zonës.Një mjek i Spitalit të Shkodrës konfirmoi një ditë më parë se, situata e Baramuçës pas aksidentit ishte e stabilizuar dhe se ai ishte në gjendje të mirë.
Ushtari i plagosur, Gerald Baramuça, kishte menduar se kishin rënë në pjesën malazeze të Liqenit të Shkodrës ndaj edhe kishte kërkuar ndihmë në gjuhën serbo-kroate. “Unë së bashku me Xhixhin, shkuam dhe nxorëm ushtarin e plagosur nga uji. Ai sa na pa duke menduar se kishte rënë në pjesën malazeze të liqenit na kërkoi ndihmë në gjuhën serbo-kroatishte. Më pas përsëriste gjithmonë, “ku është spitali, ku është spitali”, ndërsa na tregoi se kishin qenë tre persona në bordin e helikopterit. Nuk e dimë çfarë plagësh dhe ku i kishte marrë, ndërsa Xhixhi e çoi në spital”, tregon Skënder Cenaj.
Incidenti i tre ditëve më parë solli humbjen e jetëve të kapiten Florian Deliajt dhe toger Donald Hoxhës, që të dy pilotë të talentuar që kishin kaluar disa kurse të gjata trajnimi, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Vrasja e tifozit në Vlorë, familjarët: Prokuroria të zbardhë ngjarjen

Familjarët e tifozit 42-vjeçar që humbi jetën në shkallët e Stadiumit “Flamurtari” në Vlorë, pasi u shty nga një punonjës policie dhe ra nga shkallët e stadiumit, i bëjnë apel Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen. Nga vendi ku Mikel Selmanaj humbi jetën, ata thanë se ndoqi deri në fund ekipin e zemrës, Flamurtarin. “Ne nuk po arrijmë të gjejmë një njeri të drejtë që ka qenë këtu në shkallët e stdiumit që ta ketë parë. Mënyra si u la ky djalë aty shtrirë është për t’u tmerruar. Edhe unë jam i bindur se është një dorë që e ka shtyrë atë njeri. Ai do kishte bërë gjënë më të mirë aty dhe të kishte thënë që ajo ndodhi. Edhe polici do ta shtyjë tifozin dhe fatkeqësisht mund të bjerë dhe të vdesë”, u shpreh dje Xhelil Xhelilaj, daja i viktimës.
Ngjarja tragjike ka ndodhur të mërkurën në stadiumin e Vlorës, pas përfundimit të ndeshjes mes Flamurtarit dhe Kukësit. Dëshmitarët në vendngjarje thanë se, 42-vjeçari Mikel Selmanaj, banues në Rradhimë të Vlorës, u rrëzua, pasi u shty nga një punonjës policie pas përfundimit të ndeshjes. Një tifoz deklaroi pas ngjarjes së rëndë, se e kishte parë vetë policin që kishte shtyrë 42-vjeçarin Mikel Selmanaj. Ngjarja tragjike u publikua edhe në një video në internet ku dukej se si ishte shtyrë tifozi nga policia dhe kishte rënë në tokë i vdekur.
Ndërkohë, bëhet e ditur se efektivi që dyshohet se ka kryer këtë akt është pezulluar ditën e djeshme, por identiteti i tij nuk bëhet me dije. Prokuroria e Vlorës ka nisur një hetim për ngjarjen, ndërsa janë marrë në pyetje edhe disa efektivë të policisë për të hedhur dritë mbi rrethanat e episodit tragjik.
Prokuroria e Vlorës bëri të ditur dje, se është në pritje të rezultateve mjeko-ligjore, si edhe janë pyetur disa tifozë, dëshmitarë në stadium. Ende nuk është arritur në një konkluzion, nëse Mikel Selmanaj ka rënë aksidentalisht, apo është shtyrë nga një efektiv policie në shërbim thotë Prokuroria.

Rrëzimi i helikopterit nga cilësia e karburantit?

Dalin në dritë fakte të reja për rrëzimin e helikopterit të Ushtrisë në Liqenin e Shkodrës. Ish-Kryeministri Berisha shkruan në një postim në Facebook se, qytetarët dixhitalë japin të dhëna të reja mbi helikopterin e rënë në Liqenin e Shkodrës dhe vdekjen e dy pilotëve të tij. Duke cituar një nga qytetarët, Berisha shkruan se shkak i mundshëm i rrëzimit të tij mund të jetë karburanti jo i cilësisë së duhur, për çka opozita ka thirrur në interpelancë ministren. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar tre mesazhet e qytetarëve.
“Mirëmëngjes, nga burime të besueshme rezulton se helikopteri i ushtrisë nuk ka komunikuar me Albkontroll (të Belinda Ballukut) ndërkohë që thuhet se e ka detyrim nëse largohet 5 km nga Farka ku ka vendqëndrimin. Kurse helikopteri i Shega Trans është regjistruar nga Albkontroll, por nuk dihen oraret. Mos komunikimi me Albkontroll është shkelje, por ata të Albkontrollit ndjehen më mirë kështu se në rast rrëzimi do të ishin pjesë e hetimeve”, shkruhet në njërin nga mesazhet që qytetari i ka dërguar ish-Kryeministrit Berisha.
“Përshëndetje Doktor! Burimet nga regjimenti i helikopterëve, thonë se aksidenti më së shumti i dedikohet defektit në motora për shkak të:
1. Karburantit të mbajtur jashtë kushteve teknike (denoncuar nga opozita në interpelancë parlamentare në shkurt 2015. Burimet thonë gjithashtu se po përpiqen të rregullojnë letrat në lidhje me këtë, dhe se po pengohet Prokuroria të administrojë dokumentacionin).
2. Problemet e mirëmbajtjes për shkak se firma është inkompetente dhe e përzgjedhur për arsye ryshfeti në tender (tender i kundërshtuar me forcë nga drejtuesit e Regjimentit në kohën kur është bërë pazari”, shkruhet në mesazhin tjetër të qytetarit.
“Zoti Berisha, skandali policisë dhe rojeve që rrethuan perimetrin e zonës ku ra helikopteri s’ka të sosur. Helikopteri ka rënë nga një lartësi prej 15 m dhe me sa pamë nga disa pamje fotografike ai nuk ishte dëmtuar aq sa pamë sot, në pjesë aq të vogla, ky është skandal. Dje janë dëgjuar shpërthime me tritol në liqen pranë asaj zone apo pikërisht aty, nuk dihet saktësisht, por një gjë është e sigurt. Peshkatarë këto ditë nuk ka pasë për arsye se nuk i lejonte policia të afroheshin”, shkruhet në mesazhin e qytetarit.

R.POLISI