Autizmi, zonjat e para të trupit diplomatik vizitojnë qendrat

Në vazhdim të muajit të ndërgjegjësimit të Autizmit, Qendrat Rajonale 1 dhe 2 (në Farkë dhe Mjull-Bathore, Sauk,) kanë mirëpritur sot 4 gra ambasadore dhe bashkëshortet e ambasadorëve të akredituar me mision diplomatik në vendin tonë. Të shoqëruara nga zonja e parë e vendit, Odeta Nishani, përfaqësueset e trupit diplomatik janë pritur nga presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Liri Berisha dhe stafi i Fondacionit.
Zonjat e para të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë janë njohur me qendrat e autizmit, shërbimet terapeutike që ofrohen aty, si dhe me modelet e organizimit të punës së ngritur.
Një moment prekës dhe emocionues për këto zonja ishte marrja si dhuratë e flamujve të tyre kombëtarë, punime artizanale nga duart e fëmijëve me çrregullim të autizmit nën asistencën e terapistëve. Këto punime kanë shërbyer jo vetëm si fokus terapie për këta fëmijë, por edhe si model pune integrimi.
Liri Berisha u përcolli zonjave të para një shpjegim të shkurtër mbi këtë çrregullim, mundësitë që ekzistojnë për rehabiltimin e tyre si dhe avantazhet e ndërhyrjes së hershme.
Ndërmjet të tjerash ajo u shpreh: “Solidarizohemi me këta prindër që vuajnë gjithë jetën. Solidarizohemi, duke u dhënë shpresë, besim, duke u dhënë kurajo se ata nuk janë vetëm, por kanë njerëz që i kthejnë sytë edhe nga dhimbja e tyre. Në jetë fëmijët vijnë të gjithë si ëngjëj. Janë shumë të dashur për familjet e tyre, të mezipritur, krijojnë dashuri dhe gëzim, atmosferë krejt të veçantë. Por jo të gjithë janë të njëjtë. Disa vijnë në jetë dhe vrapojnë shumë shpejt, kapin finishin të parët, disa të tjerë janë në karroca, siç janë tetraplegjikët dhe paraplegjikët, dikush ndërton atë që ka projektuar dikush tjetër, kurse në këtë qendër ka fëmijë që vuajnë çrregullimin e spektrit autik. Një shoqëri është e civilizuar atëherë kur të gjithë pjesëtarët janë pjesë e saj dhe punojnë për këtë shoqëri.  Autizmi nuk do ilaçe. Autizmi mund të prekë këdo. Dhe logo e Fondacionit tonë është “Autizmi nuk zgjedh”. Puna më e madhe e jona është ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi i gjithë shoqërisë t’i kthejë sytë dhe zemrat përpara kësaj dhimbje të madhe që e ka emrin Autizëm”.
Në fund, përfaqësueset e trupit diplomatik ndoqën me shumë interes dokumentarin “Na mbështesni SOT, të jemi të pavarur NESER”.