Trafikanti në krye të OSHEE në Kurbin

Lekë Tuna është kreu i një grupi kriminal që vidhte dhe trafikonte makina, e pikërisht me Edi Ramën u shpërblye duke u bërë drejtori i OSHEE për Kurbinin. Emërimi u denoncua dje nga Kryetari i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj, i cili përmes një denoncimi për mediat deklaroi se inkriminimi i institucioneve nuk ndalet dhe pasurimi i zyrave me trafikantë vazhdon me të njëjtat ritme.
“Lajme të reja vijnë nga inkriminimi Ramist i zyrave publike. Pas një hetimi të gjatë të Prokurorisë së Shkodrës ky person u arrestua natën e 5 prillit, nën akuzën e trafikimit të mjeteve motorike. Por lajmi po mbahet i fshehtë, dhe megjithëse nën arrest për këtë vepër të rëndë penale, Tuna vazhdon të jetë zyrtarisht kreu i OSHEE për Kurbinin. Inkriminimi i institucioneve nuk ndalet dhe pasurimi i zyrave me trafikantë vazhdon me të njëjtat ritme.
Ndërsa Edi Rama krekoset me represionin ndaj të pamundurve, banda e tij në OSHEE vazhdon të dhunojë qytetarët, vazhdon të shtojë radhët me kriminelë me damkë. Në gjithë Kurbinin, mes qindra të rinjve e të rejave, burrave e grave me integritet e të arsimuar, Edi Rama i vuri gishtin pikërisht këtij vjedhësi dhe trafikanti makinash, kreut të një grupi të strukturuar kriminal, me lidhje dhe me mafian rajonale, për t’i besuar drejtimin e OSHEE”, bëri të ditur Alibeaj.
Ndaj dhe ai bëri thirrje për nisjen pa humbur kohë të ligjit për dekriminalizimin në mënyrë që të nisë spastrimi i politikës dhe administratës publike nga personat e inkriminuar.
“Prandaj dhe pikërisht për këta trafikantë me të cilët ndan pushtetin, me të cilët sundon qytetet dhe i ka sjellë deri në Parlament, Edi Rama nuk e donte dekriminalizimin dhe bëri çdo përpjekje për ta ndalur atë. Prandaj dekriminalizimi është jetik dhe duhet të zbatohet një orë e më parë, që zyrat publike dhe politika të pastrohen nga banditët e Edi Ramës”, tha Alibeaj.

Rama po zvarrit qëllimisht dekriminalizimin

Me nisjen e zbatimit të ligjit për dekriminalizimin, të gjithë funksionarët, duke nisur nga Kryeministri e deri tek zyrtarët e çdo niveli të administratës publike brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e vendimit janë të detyruar të depozitojnë formularin e vetëdeklarimit pranë organit përgjegjës. Çdo formular vetëdeklarimi regjistrohet me një numër unik identifikimi, si dhe ruhet e dokumentohet në rrugë elektronike. Subjekti që ka lënë mangësi ka dhe një mundësi për ta plotësuar vetëdeklarimin për 5 ditë të tjera. Nëse ai nuk e dorëzon vetëdeklarimin të plotësuar sipas konstatimeve fillestare të strukturës apo personit përgjegjës, ai konsiderohet se nuk e ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit.
Në këtë rast, organi përgjegjës e trajton këtë si refuzim për të deklaruar dhe personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Brenda 3 muajve nga skadimi i afatit, organi përgjegjës për administrimin e formularit të vetëdeklarimit është i detyruar të verifikojë të dhënat e deklaruara nga personi sipas hapave të parashikuar në mënyrë të detajuar. Organi përgjegjës dhe më pas Prokuroria brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, nëse provohet ekzistenca e rekordeve kriminale për funksionarët aktualë, organi përgjegjës zbaton procedurat kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra. Për të ardhmen ligji parashikon që për deputetët, Kryeministrin dhe ministrat jo deputetë dhe të zgjedhurit vendorë, formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Prefekti e kryen këtë për kandidatët në funksione publike që emërohen nga këshillat bashkiakë ose të qarkut.
Kryetari i Kuvendit për drejtues apo anëtarë të organeve kushtetuese apo të krijuara me ligj që zgjidhen nga Kuvendi. Kështu me radhë çdo organ përgjegjës ka subjektet e veta dhe secili prej tyre krijon një strukturë të posaçme ose cakton personat përgjegjës për regjistrimin, administrimin dhe përpunimin e formularit. Formulari me numër unik identifikimi ruhet dhe dokumentohet elektronikisht. Publikimi i tyre në faqet zyrtare në internet është i detyrueshëm dhe organi përgjegjës brenda muajit mars të çdo viti informon Kuvendin dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për numrin e personave që kanë rezultuar në kushtet e ndalimit apo që nuk kanë dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Por dekriminalizimi ende vijon të mbahet peng nga Rama.