Simeone: Torres do të jetë titullar

Atletico e Madridit nuk heq dorë nga asnjë prej dy objektivave sezonalë. Pavarësisht 6 pikëve disavantazh ndaj Barcelonës në klasfikimin e La Ligas, dhe humbjes 2-1 në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit, në kampin e Los Colchoneros kanë besim se mund t’i bëjnë një mbyllje fantastike këtij sezoni. Në prag të ndeshjes ndaj Espanyolit që do të zhvillohet këtë të shtunë në stadiumin “Cornelia Al Prat”, Diego Pablo Simeone i doli në mbrojtje sulmuesit Fernando Torres, me këtë të fundit që në sfidën e Championsit përballë Barcelonës la skuadrën në baltë, duke u larguar nga fusha me karton të kuq që në pjesën e parë.
“Torres ndaj Barcës bëri një punë shumë të mirë. El Nino do të jetë titullar edhe ndaj Espanyolit. A do të rinovojë me Atleticon? Për diçka të tillë klubi do të na informojë në ditët e ardhshme, por unë jam i bindur se Fernando do të qëndrojë këtu”, u shpreh Simeone.
Të mërkurën, Atletico e Madridit do të sfidojë Barcelonën në çerekfinalen e kthimit të UEFA Champions League ku do të synojë të përmbysë disavantazhin 2-1 të ndeshjes së parë. Gjithsesi El Cholo për momentin është i përqendruar vetëm te sfida ndaj Espanyolit. “Espanyoli është një skuadër shumë e rrezikshme në kundërsulm, në atë skuadër ka një harmoni të mirë mes futbollistëve dhe trajnerit, sëfundmi katalanasit kanë bërë paraqitje shumë të mira. Për momentin mendoj vetëm për Espanyolin, ndeshja e radhës nuk më intereson”, tha ai.