Katër shtyllat e programit ekonomik të PD

Kjo qeveri e ka zhytur ekonominë në depresion

Lulzim BASHA

“Nëse ekonomia po jep shpirt arrestoje, nëse ende nuk ka dhënë shpirt qëlloje dhe nëse ka vdekur brohorit me zë të lartë, po bëjmë shtet dhe varrose!”.
Prej mëse dy vitesh ky është realiteti jo laboratorik, por që unë dhe bashkëpunëtorët e mi prekim në takimet me njerëzit, me qytetarët aty ku jetojnë, jo në sallë si kjo që jemi mbledhur sot, por me biznesmenë, me fermerë, me blegtorë, me sipërmarrës, me të rinj, me të punësuar, me të papunë, me të shpunësuar dhe dëgjojmë prej tyre, prekim bashkë me ta realitetin, prekim bashkë me ta ekonominë reale dhe efektet që kanë patur mbi ekonominë reale politikat ekonomike dhe fiskale të ndërmarra nga qeverisja Rama në këto vite.
Ajo që shohim, ajo që prekim dhe jetojmë çdo ditë nuk na pëlqen. Është fakt që ekonomia shqiptare prej kohësh është në stanjacion dhe ka marrë rrugën e recesionit.
Është fakt se ajo nuk prodhon punësimin, se papunësia sipas INSTAT-it është 17.7% në fakt shumë më e lartë. Ndërsa tek të rinjtë 33%, në fakt afër 40%.
Është fakt që borxhi publik është sot mbi 73% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një rrezik i madh për ekonominë shqiptare që nuk lëviz.
Produktet shqiptare vuajnë mungesën e standardeve dhe nuk arrijnë të konkurrojnë as me çmimet e tyre.
Është fakt që eksportet kanë dy vjet që tkurren, ndërsa bilanci tregtar vetëm përkeqësohet. Dilentantizmi i qeverisë me politikat publike është një acarim i përhershëm me ekonominë dhe është e dukshme që ekspertiza e vetme e qeverisë në këto dy vite e gjysmë ka qenë kapja e shtetit.
Është fakt se nuk realizohen të ardhurat dhe as investimet publike, aq të nevojshme për rritjen ekonomike.
Është fakt që infrastruktura në vend që të përmirësohet dhe ta ndihmojë biznesin po përkeqësohet dhe e pengon atë.
Është fakt që ka evazion qeveritar dhe shpërdorim të fondeve publike ku vetëm në vitin 2015 mungojnë mbi 1.2 miliard euro, 400 milionë në pikën e mbledhjes, 777 milionë në pikën e shpenzimit.
Arbitrariteti mbizotëron tek politikat dhe aksionet e qeverisë nga ekspeditat ndëshkimore ndaj biznesit deri tek trillimi i fundit oligarkik i partneritetit familjar publik-privat.
Është fakt që qeveria nuk e dëgjon zërin e biznesit, zërin e ekonomisë dhe se asnjë fiskale apo e natyrës ekonomike nuk është dakordësuar me biznesin.
Është fakt që janë rritur me ligje dhe vendime qeverie kostot e jetesës dhe biznesit që nga fatura e energjisë, tek dyfishimi i taksave qendrore dhe shumëfishimi i taksave lokale. Ndërsa kemi çmimin më të lartë të karburantit në rajon dhe ndër më të lartët në Europë.
Nuk garantohet konkurrenca e lirë dhe e ndershme, por suksesi i biznesit varet nga afërsia familjare apo xhepistë me qeveritarët.
Është fakt që nuk ka besim në treg, se ka rënie të konsumit.
Është fakt që ka largim të kapitalit nga vendi. Prej dy vitesh ka mungesë të kreditimit dhe rënie të kreditimit.
Është fakt që hapësira për politika monetare është ngushtuar e po ngushtohet frikshëm.
Është fakt që pozicioni i Shqipërisë në raport me vendet e rajonit është përkeqësuar. Vetëm këtë vit Shqipëria ka humbur 35 vende në raportin e “Doing Bussines”, renditet e 97-ta në botë dhe e fundit në rajon. Në indeksin e lirisë ekonomike ka humbur 5 vende. Në indeksin e konkurrueshmërisë ekonomike të matur nga “World Economic Forum” ka humbur 8 vende.

Politikat e Ramës kanë pasuruar një grusht njerëzish

Modeli i zhvillimit i bazuar tek konsumi duket afër ezaurimit dhe nuk jep më shtysa për zhvillim.
Është fakt që shqiptarët janë sot më të varfër, kurrsesi më të pasur se dje.
Të gjithë këto janë të vërteta të padiskutueshme, të konfirmuara nga të dhëna zyrtare kombëtare dhe ndërkombëtare. Dhe vulën e thatë mbi këto fakte e vendosin qindra mijë shqiptarë që largohen nga vendi drejt Europës dhe qindra mijë të tjerë që kanë hedhur hapa aktivë për largimin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo qeveri e ka zhytur ekonominë shqiptare në depresion me veprën e vet, me aksionin e vet arbitrar, ka errësuar vizionin për të ardhmen për çdo familje shqiptare pa përjashtim.
Kjo padyshim nuk është Shqipëria që shqiptarët duan. Kjo nuk është Shqipëria që do të arrijë Bashkimin Europian. Nuk është Shqipëria ku qytetarët, mes tyre edhe unë si prind duam të rrisim fëmijët tanë.
Për mua, për Partinë Demokratike është e qartë se mënyra dhe qëllimi i ndërtimit të politikave institucionale dhe ekonomike është ajo që sjell ndryshimin mes shpresës dhe dëshpërimit, mes bollëkut dhe varfërisë.
Dhe po kështu është e qartë se politikat e deritanishme të qeverisë Rama kanë pasuruar një grusht njerëzish, kanë varfëruar një popull të tërë.
Thatcher thoshte që vjen një moment që socialistëve iu mbarojnë paratë e të tjerëve. Ky moment ka ardhur, është e qartë që Shqipëria nuk ka rilindur, por është një vend ku shqiptarët pavarësisht propagandës 24-orëshe nuk duan të jetojnë.
Ne nuk mund të rrimë duarkryq, na takon të punojmë për të ndërtuar një të tashme dhe një të ardhme të sigurtë, një ekonomi të fortë për të gjithë shqiptarët.
Kemi një alternativë zhvillimi që sjell qëndrueshmëri, besim dhe zhvillim ekonomik. Kryefjala e të cilës është mbështetja, është shërbimi ndaj qytetarit, ndaj fermerit, sipërmarrësit pa dallim. Sa më shumë hapësirë për ta, sa më shumë mundësi për ta kudo ku janë sepse ata janë ekonomia dhe pasuria e vërtetë e vendit.

Punësimin dhe mirëqenie për të gjithë shqiptarët

Partia Demokratike ka sot një alternativë zhvillimi, ky është një projekt me objektiv rritjen ekonomike që garanton punësimin dhe mirëqenien për të gjithë shqiptarët. Ky projekt vendos në qendër të tij qytetarin dhe sipërmarrjen, iniciativën e tyre të lirë dhe prandaj ka në fokus modelin e zhvillimit që rrit prodhimin e kapitalit fizik dhe njerëzor dhe jo modelin e rritjes së konsumit të ezauruar tashmë. Ky projekt garanton ristrukturim dhe transformim cilësor ekonomik. Ky program ekonomik garanton rritjen e të ardhurave për qytetarët dhe në veçanti për pensionistët.
Garanton zvogëlimin e qeverisjes arbitrare dhe rritjen e hapësirës ekonomike dhe mundësive për çdo shqiptar. Ka në qendër të vet realizimin e plotë të lirisë ekonomike, të individit dhe sipërmarrjes, ishte kryefjala e komisionerit Hahn dhe ministrit të Jashtëm, Kutz për sa i përket të ardhmes së ekonomive të vendeve që duan të integrohen në Bashkimin Europian. Çliron ekonominë nga pengesat e deritanishme, garanton rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Padyshim rritja ekonomike, zhvillimi ekonomik, krijimi i shanseve për punësim, për më shumë vende pune dhe paga më të mira nuk është thjesht dhe vetëm politikë ekonomike, por është një përqasje tërësore. Shkurtimisht dua të prek tre nga katër kolonat e kësaj përqasje tërësore para se të përqendrohem tek ajo më kryesorja që ka të bëjë me vizionin tonë ekonomik. Së pari, që ekonomia të rritet të zhvillohet, që kapitali të lëvizë, që kreditimi të rritet dhe po kështu investimet e huaja lipset një mirëqeverisje dhe sundim i ligjit. Pra, institucione të forta të ekonomisë së tregut për të gjithë që mbrojnë pronën private përpara gjithçkaje. Në fushën e mirëqeverisjes dhe zbatimit të ligjit ku garantohen dhe konsolidohen institucionet e ekonomisë së tregut dhe barazia në shërbim të qytetarit dhe sipërmarrjes duke filluar me titujt pronësisë, këtë plagë 25-vjeçare, këtë gjyle të rëndë në këmbët e ekonomisë tonë. Luftën kundër korrupsionit, këtë kancer shoqëror dhe sëmundje permanente të ekonomisë tonë. Forcimin e zbatimit të kontratave si tiparin më dallues i shkallës së zhvillimit dhe zhdërvjelltësisë së një ekonomie kombëtare.
Rritjen e performancës buxhetore dhe qëndrueshmërinë e politikave fiskale për të rritur parashikueshmërinë dhe përmirësuar besueshmërinë e institucioneve publike dhe mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri. Për të ulur koston e transaksioneve, pra për të rritur, lehtësuar dhe zgjeruar kreditimin dhe ndërmjetësimin financiar.

Finalizim investimeve publike që janë bllokuar nga Rama

Shtylla e dytë ka të bëjë me konsolidimin dhe finalizimin e infrastrukturës përmes investimeve publike që sot, tash dy vjet janë bërë një fenomen ekzotik në Shqipëri, i cili nuk gjendet në formën e tij të pastër, por vetëm në formën e tij rilindëse, janë fasada të investuara me tre-katër herë kosto e investimit dhe me zero impakt në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Pra, projekte zbukurimi palmash, betoni në qendrat e disa qyteteve, me tenderat 3 dhe 4-fish preventivin e tyre dhe që nuk sjellin asnjë përmirësim, por shpeshherë përkeqësim në indikatorët ekonomikë që duhet të ndihmojë zhvillimin në infrastrukturë siç janë lëvizshmëria, kostoja e transportit, etj.
Konsolidimi, finalizimi i infrastrukturës përmes investimeve publike për Partinë Demokratike dhe mua personalisht do të thotë një portofol robust të punëve publike.
Përfundimin e veprave të mëdha që edhe sot e kësaj dite mbeten të papërfunduar, siç është pjesa e rëndësishme e Korritorit 8, rrugës Tiranë–Elbasan, Rruga e Arbërit përfshi këtu edhe tunelin e komunikimit, përfundimi i akseve të jugut. Dhënia e Shqipërisë të një porti plotësisht të lartë me rëndësi strategjike dhe kapacitet furnizimi logjistik të të gjithë rajonit të Ballkanit dhe më gjerë dhe pjesët e tjera lidhëse të infrastrukturës energjetike, dixhitale, telekomunikacionit dhe natyrave të tjera.
Shtylla e tretë, fuqizimi i kapitalit njerëzor përmes mbështetjes së arsimit dhe rritjes përmes fleksibilitetit të tregut dhe shtimit të vendeve të punës.
Në fushën e kapitalit njerëzor, krijimi i vendeve të punës ku rritet cilësia e forcave të punës, sigurohet përputhshmëria për tregun kombëtar dhe më gjerë.
E domosdoshme është thjeshtimi maksimal i rregullave për qytetarët dhe ne do të kujdesemi për trajnim të vazhdueshëm të administratës tatimore dhe të biznesit, veçanërisht në kushtet kur Shqipëria vlerësohet ndër vendet e fundit me njohuri financiare sipas publikimeve të “Standard & Poors”. Biznesit do t’i ofrohet çdo mundësi për të qenë në gjendje të konkurrojë pas viteve mbytëse që ka përjetuar. Ne e dimë se jo gjithmonë shkeljet ndaj biznesit janë të qëllimshme dhe jo çdo penalitet nga ana jonë do të kryhet në mënyrë automatike, por në bazë të analizës së riskut dhe në mbështetje të performancës fiskale historike të çdo subjekti. Në këtë mënyrë do të konsolidojmë dhe eliminojmë taksat e fshehta ose të dubluara apo tarifat administrative paralele siç janë taksat mbi karburantet apo mbi ambientin, apo si këtu në Bashkinë e Tiranës për shkollat, apo taksa e prezantuara para dy apo tre ditësh 30 mijë lekëshi për patentën, taksat që sa vijnë e shtohen të një qeverie që i kanë shteruar jo vetëm paratë, por edhe idetë. Kjo ishte përsa i përket klimës së biznesit.

Taksë e sheshtë 9% për të ardhurat personale e kontributet

Përsa i përket lehtësimit fiskal, platforma jonë është bërë tashmë e ditur madje në këtë sallë, por më lejoni të risjell në vëmendje prezantimin e taksës së sheshtë në nivelin 9% për të ardhurat personale dhe për kontributet, si një objektiv madhor i domosdoshëm për t’u bërë konkurrues me fqinjët tanë në rajon dhe për ta bërë ekonominë të aftë të thithë investime të brendshme dhe të huaja që aktualisht sipas studimeve dhe raporteve e shohin Shqipërinë si zgjedhjen e fundit në Ballkan. Tatime e norma minimale e fikse mbi biznesin e vogël dhe mbi të gjitha për të nxitur konsumin dhe në këtë kuadër propozojmë uljen e normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në nivelin 15%. Taksa të thjeshta që nënkuptojnë çlirimin e sipërmarjes shqiptare nga zgjedha e taksave dhe tarifave vendore që imponohen shpeshherë më të larta se detyrimet ndaj qeverisjes qendrore. Biznesi po kështu do të çlirohet nga kërkesat e ringjallura të burokracisë për leje, licenca, autorizime, miratime, aprovime, etj., ku një qebaptore në Tiranë i kërkohet leje mjedisore për 3 mijë euro, ndërsa në mes të parkut ndërtohet pa leje mjedisore.
Financat publike. Rritja ekonomike do të mbështetet nga një mirëmenaxhim i borxhit publik duke rikthyer rregullin fiskal që borxhi publik të mos e kalojë nivelin prej 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto duke vendosur një rregull të ri fiskal që niveli i deficitit buxhetor të jetë nën nivelin e 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe tavani i shpenzimeve buxhetore, 31% i Prodhimit të Brendshëm Bruto duke e konsideruar këtë si një rregull fiskal të paluajtshëm. Asnjë qindarkë, cent, euro, apo dollar nuk do të merret borxh për shpenzime publike jashtë investimeve publike. Përparësinë do ta kenë investimet publike që nxisin zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Përsa i përket politikave sociale dhe pensioneve, sot pagat e qytetarëve janë të ngrira që nga viti 2013. 21 mijë persona janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike. Përfitimet nga rritja ekonomike do të çojnë në rritjen e të ardhurave për shumicën e popullsisë, por e dimë që të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit duhet të përdoren edhe për drejtësi sociale ndaj angazhimi ynë është rritja e pagës minimale, angazhimi ynë është rritja e pensioneve duke integruar edhe skemën private në një skemë të liberalizuar, duke prezantuar kolonat e dyta dhe të treta për ata që dëshirojnë të ardhura pensionale dinjitoze sipas parimit kontribuo që të kesh.

Subvencionim të faturës së energjisë për familjet në ndihmë ekonomike

Në fushën sociale, Partia Demokratike është angazhuar që tani në opozitë përmes amendamentit që kemi depozituar në Kuvend, i cili aktualisht është rrëzuar në komisionin përkatës, por do të kemi një shans të luftojmë në seancën plenare për subvencionim të plotë të faturës së energjisë deri në masën 200 kilovat për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike dhe të njëjtin propozim përsa i përket faturës së ujit.
Të dhënat tregojnë për sektorin e energjisë, një tjetër prioritet i zhvillimin ekonomik në platformën tonë, se një në pesë procedime penale kanë qenë për vjedhje të energjisë, 65% e personave të proceduar kanë qenë pa punë. Prioritare është siç e thashë jo vetëm për subvencionimin e plotë për familjet në ndihmë ekonomike, por edhe krijimi i një fashe mbrojtëse për shtesat në nevojë. Ndërkohë ekonomia shqiptare, edhe në këto kushte, ka nisur të përfitojë nga politikat tona të mëparshme në energji nga produktiviteti i investimeve private, të cilat prodhuan 24.5% ose një të katërtën e energjisë së përgjithshme në vitin 2015 pas një investimi në gjysmë miliardi euro në periudhën 2005-2013. Ndaj ne synojmë ta nxisim më tej investimin në këtë fushë, ndërkohë që do të inkurajojmë liberalizimin e tregut duke mbrojtur më tej investitorët dhe konsumatorin familjar.
Sektor prioritar i zhvillimit për nxjerrjen e ekonomisë nga kriza në vizionin tonë është bujqësia shqiptare. Politikat tona për investimet në rrugët dytësore, subvencioni ndaj fermerëve për ujitje dhe kullim kanë qenë të suksesshme pasi çuan në rritjen e këtij sektori në gati 100 milionë euro në vit deri më 2013. E ardhmja e këtij sektori është e rëndësishme me anë të mbështetjes së fermerëve me një buxhet prej 1.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, afro 200 milionë dollarë në vit, ne parashikojmë që gjithë sektori i bujqësisë të arrijë rritje ekonomike mbi 5% vitin e parë. Këtu kam parasysh dy kolona: investimet kapitale në ndihmë të bujqësisë, infrastrukturës bujqësore dhe subvencionin e drejtpërdrejtë për fermerin shqiptar. Pra, drejtpërdrejtë dhe jo përmes grumbulluesve, as importuesve, as tregtarëve të naftës apo të plehrave kimike.
Reformat e parashikuara në programin tonë ekonomik në të katër fushat e zhvillimit siç thashë përbëjnë një unitet. Nuk mund të zbatohen dhe nuk mund të kenë sukses nëse nuk ecin bashkërisht dhe paralel me njëra-tjetrën. Ne garantojmë ligje dhe rregulla të thjeshta dhe transparente së bashku me një infrastrukturë moderne me burime njerëzore të kualifikuara që janë parakushte për investimin privat.

Ky program garanton mbarimin e tranzicionit shqiptar

Rritja e investimeve, si private të brendshme ashtu edhe atyre të huaja apo edhe investimeve publike, janë çelësi për të krijuar punësim. Puna vjen përmes investimeve në ekonomi. Rritja e mundësive për punësimin është mënyra e vetme për eliminimin e varfërisë, është mënyra e vetme për krijimin e mirëqenies. Pra, zhvillimi i sektorit privat, rritja e pjesëmarrjes në një treg më të zhvilluar sjell më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, të ardhura që do të shkojnë për investime publike dhe për uljen e borxhit. Programi ynë ekonomik nxjerr përfundimisht ekonominë shqiptare nga kriza dhe apatia e sotme. Ai do të çlirojë burime njerëzore dhe financiare që sot keqpërdoren, vidhen, shpërdorohen apo marrin rrugën për parajsa fiskale tropikale. Ai çliron mbi 1 miliard euro burime financiare në ekonomi çdo vit, 1 miliard euro që i mungojnë shqiptarëve në vitin 2015 e tash 3 vite e që ndoshta gjendet në kontinente të tjera në kontot e qeveritarëve të korruptuar.
Ky është programi ekonomik me taksat më të ulëta në historinë 25-vjeçare të demokracisë që vendos gjithçka në mbështetje të sipërmarrjes. Ky është programi që synon të nxisë në mënyrë të drejtpërdrejtë inovacioni dhe rinovimin teknologjik, rritjen e sipërmarrjes dhe fermave dhe vetëm përmes këtyre politikave të guximshme, inovative, por në të njëjtën kohë prudente ne do të rrisim vlerën dhe konkurrueshmërinë e çdo pike djerse të shqiptarit, të çdo produkti dhe shërbimi që krijohet në Shqipëri.
Programi ynë pra garanton një ekonomi që prodhon, që punëson dhe që i pasuron shqiptarët. Një ekonomi ku konkurrohet lirshëm, ku nuk ka nevojë të njohësh qeveritarin për të patur sukses. Një ekonomi ku ndërtohet e ardhmja dhe përparimi i çdo shqiptari, ku secili gëzon djersën e vet dhe është i motivuar të punojë më shumë, të fitojë më shumë. Ku dominon iniciativa e lirë, prona private dhe shkëmbimi vullnetar.
Ky program garanton mbarimin e tranzicionit shqiptar. Ky program mundëson ardhjen e ekonomisë shqiptare në shekullin e 21-të është një program ekonomik që i drejtohet në veçanti rinisë, të tashmes dhe të ardhmes së saj që të mos jenë kontingjent emigracioni, por të kenë më shumë mundësi, më shumë hapësirë që të punojnë, të jetojnë e të përparojnë në vendin e tyre.
Përmes kësaj oferte ne duam të nxisim, mbështesim dhe fuqizojmë idetë e tyre për biznesin, për pasurim dhe për sukses dhe për një Shqipëri konkurruese dhe të pasur. Për një Shqipëri ku duam të jetojmë e jo të ikim. Për një Shqipëri ku duam të rrisim dhe trashëgojmë fëmijët tanë.

Taksë e sheshtë 9%

Punësim përmes ulje taksash, investime publike, liri për sipërmarrjen dhe barazi para ligjit. Këto janë shtyllat kryesore të programit të PD për daljen e vendit nga kriza. Në një prezantim të posaçëm të Fondacionit për Liri Ekonomike, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar platformën ekonomike të Partisë Demokratike, me objektiv rritjen ekonomike që garanton punësim dhe mirëqenie për të gjithë shqiptarët. Në konferencë ishin të pranishëm Barbara Kolm, drejtore e Qendrës Ekonomike të Austrisë, Michael Williams, ALTIUS Financial Inc, Mark Crawford, president i Dhomës amerikane të Tregtisë, María Blanco, president i Institutit Liberal të Spanjës. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar programin ekonomik me taksat më të ulëta në historinë 25-vjeçare të demokracisë që vendos gjithçka në mbështetje të sipërmarrjes. “Që ekonomia të rritet, të zhvillohet, që kapitali të lëvizë, që kreditimi të rritet dhe po kështu investimet e huaja e punësimi kërkohet një mirëqeverisje dhe sundim i ligjit. Punësimi dhe vendet e reja të punës vijnë përmes investimeve në ekonomi. Rritja e mundësive për punësimin është mënyra e vetme për eliminimin e varfërisë, është mënyra e vetme për krijimin e mirëqenies”, theksoi lideri i opozitës, duke prezantuar programin e Partisë Demokratike.
Sistemi fiskal: Taksë e sheshtë në nivelin 9%, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në nivelin 15%. Asnjë qindarkë, cent, euro apo dollar nuk do të merret borxh për shpenzime luksi, por vetëm për investimeve publike. Përparësinë do ta kenë investimet publike që nxisin zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Do të konsolidojmë dhe eliminojmë taksat e fshehta ose të dubluara, tarifat administrative paralele siç janë taksat mbi karburantet apo mbi ambientin apo si këtu në Bashkinë e Tiranës për shkollat apo taksa e prezantuara para dy apo tre ditësh 30 mijë lekëshi për patentën, taksat që sa vijnë e shtohen të një qeverie që i kanë shteruar jo vetëm paratë, por edhe idetë. Fuqizimi i kapitalit njerëzor përmes mbështetjes së arsimit dhe rritjes përmes fleksibilitetit të tregut dhe shtimit të vendeve të punës. Biznesit do t’i ofrohet çdo mundësi për të qenë në gjendje të konkurrojë pas viteve mbytëse që ka përjetuar.
Bujqësia: Buxhet prej 1.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, afro 200 milionë dollarë në vit. Parashikojmë që gjithë sektori i bujqësisë të arrijë rritje ekonomike mbi 5% vitin e parë. Këtu kam parasysh dy kolona: investimet kapitale në ndihmë të bujqësisë, infrastrukturës bujqësore dhe subvencionin e drejtpërdrejtë për fermerin shqiptar. Pra, drejtpërdrejt dhe jo përmes grumbulluesve, as importuesve, as tregtarëve të naftës apo të plehrave kimike.
Infrastruktura: Përfundimin e veprave të mëdha që mbeten të papërfunduar, siç është pjesa e rëndësishme e Korridorit 8, rrugës Tiranë-Elbasan, Rruga e Arbërit përfshi këtu edhe tunelin e komunikimit, përfundimi i akseve të jugut. Dhënia e Shqipërisë të një porti plotësisht të lartë me rëndësi strategjike dhe kapacitet furnizimi logjistik të të gjithë rajonit të Ballkanit dhe më gjerë dhe pjesët e tjera lidhëse të infrastrukturës energjetike, dixhitale, telekomunikacionit etj.
Politika sociale: Rritje e pagesës për ndihmën ekonomike, subvencionim të plotë të faturës së energjisë deri në masën 200 kilovat për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike dhe të njëjtën për faturën e ujit, si dhe krijimin e një fashe mbrojtëse për shtresat në nevojë.