BB: Shqipëria vendi me rënien më të madhe të rrogave në Europë, papunësia e lartë

Banka Botërore ka prezantuar raportin për “Ribalancimin e rritjes ekonomike” për vendet e rajonit. Raporti vlerëson se në Shqipëri papunësia mbetet e lartë dhe e qëndrueshme, pagat kanë pësuar rënie, ndërsa varfëria po zbutet me ritme më të ngadalta se në vendet e tjera. Banka Botërore ka rishikuar në ulje projeksionet për rritjen ekonomike të vendit, duke pranuar për herë të parë se rënia e eksporteve po bëhet pengesë. Rritja ekonomike nuk po reflektohet në ekonominë reale. Raporti i fundit i Bankës Botërore “Ribalancimi i rritjes ekonomike” vlerëson se, pavarësisht krijimit të vendeve të punës, papunësia mbetet ende e lartë dhe qëndrueshme në Shqipëri, ndërkohë që pagat jo vetëm që nuk janë rritur, por përkundrazi, kanë pësuar rënie për periudhën 2010-2014. Për herë të parë, raporti thekson se ngadalësimi i eksporteve do të ketë kosto për ekonominë. Banka Botërore ka ulur projeksionet e saj për rritjen ekonomike në 3.2% për këtë vit dhe në 3.4% vitin e ardhshëm. “Arritja është projektuar më poshtë krahasuar me vitin e kaluar dhe kjo ka ardhur si pasojë e monitorimit të situatës në tregjet eksportuese, konkretisht çmimet e lëndëve bazë dhe mineraleve. Po shikojmë që dhe në Shqipëri firmat që merren me eksporte po ecin më poshtë se parashikimet tona të kaluara. Kjo kryesisht ka motivuar uljen e parashikimit për rritjen ekonomike gjatë 2016, por dhe një ulje të lehtë më 2015 nga 2.7 në 2.6%. Nga 2010 më 2014 paga reale, diferenca ka rënë”, shprehet Hilda Shijaku, ekonomiste e BB për Shqipërinë. Banka Botërore vlerëson se varfëria po zbutet me ritme shumë më të ngadalta se në vendet e tjera të rajonit. “Tendenca rënëse e varfërisë është më e vogël sesa në mesataren e rajonit”, thotë Shijaku. Sipas Bankës Botërore, ekzistojnë risqe për rritjen ekonomike. Përveç ndikimit në tregjet ndërkombëtare, rrezik i mundshëm në ngadalësimin e ekonomisë vlerësohen zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Rënia e pagave

Banka Botërore deklaroi se Shqipëria është vendi që ka shënuar rënien më të madhe të pagave në Europë gjatë 5 viteve të fundit. Në raportin e fundit mbi situatën ekonomike në Europën Juglindore, Banka vëren se në periudhën 2010-2014 paga reale në Shqipëri ka rënë mesatarisht me 2 për qind çdo vit, çka përbën rënien më të lartë.
Kjo do të thotë se për këtë periudhë 5-vjeçare pagat mesatare të shqiptarëve kanë rënë me mbi 10 për qind, çka përbën një përkeqësim të ndjeshëm në standardin e jetesës. Ky tregues është më i keq edhe se sa ai i Greqisë, e cila pavarësisht se po kalon një krizë të thellë shënoi rritje pagash me 1.6 për qind vitin e kaluar.
Në vendet e tjera të rajonit, pagat kanë ruajtur fuqinë e tyre blerëse duke mos u ulur dhe në disa vende madje kanë vazhduar të rriten në terma reale. Më konkretisht sipas Bankës Botërore, në Serbi pagat kanë rënë me rreth 0.2 për qind në vit, në Maqedoni kanë mbetur të pandryshuara, ndërsa në Mal të Zi dhe Bosnje ato janë rritur mesatarisht me 0.3 për qind dhe 0.2 për qind në vit. Serbia u detyrua të ulë pagat në sektorin publik për shkak të krizës së thellë buxhetore. Por pavarësisht krizës fiskale, pagat reale në këtë vend janë ulur më pak se sa në Shqipëri.

Buxheti në vijën e parë

Qeveria shqiptare prej tre vitesh ka vendosur ngrirjen e pagave në sektorin publik, edhe pse çmimet kanë vazhduar të rriten duke çuar kështu në rënien reale të pagës për punonjësit e administratës. Por në sektorin privat rënia e rrogave ka qenë edhe më e lartë për shkak të situatës së vështirë të bizneseve dhe krizës së konsumit. Në periudhën 2004-2009 Shqipëria ka qenë vendi i dytë me rritjen më të lartë të pagave në rajon. Sipas Bankës Botërore, paga reale gjatë kësaj periudhe është rritur me gati 10 për qind në vit duke çuar në një përmirësim të fortë në standardin e jetesës së punonjësve. Por veçanërisht pas vitit 2012, kjo tendencë u përmbys dhe pagat filluan të uleshin me ritme të shpejta.

Familjet shtrënguan rripin

Sipas Bankës Botërore, pagat përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të familjeve. Kjo do të thotë se ulja e tyre përkeqëson standardin e jetesës për pjesën më të madhe të familjeve në vend, çka është konfirmuar edhe nga një tjetër tregues. Të ndodhura përballë rënies së të ardhurave familjet ulën konsumin. Sipas Bankës Botërore, konsumi privat më 2015-ën ra me 2.3 për qind për herë të parë në shumë vite, çka frenoi rritjen ekonomike.

Gjysma e popullsisë në Shqipëri jeton në mjerim

Gjysma e popullsisë në Shqipëri jeton në varfëri, me më pak se 5 dollarë në ditë. Shifrat tronditëse vijnë nga Banka Botërore, institucioni më i specializuar në botë për matjen e varfërisë. Në një raport të fundit, Banka vëren se 6.1 për qind e shqiptarëve jetojnë në mjerim të plotë me më pak se 2 dollarë në ditë. Kjo është ajo që banka konsideron si varfëri ekstreme. Ndërsa, nëse shifra rritet në 5 dollarë në ditë, që është kufiri i varfërisë së moderuar, atëherë rezulton se 46.2 për qind e familjeve shqiptare janë të varfëra. Të dhënat janë shprehur sipas standardit të fuqisë blerëse për të përfaqësuar të ardhurat reale dhe për të bërë të mundur krahasimin mes vendeve. Të dhënat dëshmojnë se, Shqipëria është vendi më i varfër i rajonit. Sipas tyre në të gjitha ekonomitë e ngjashme fqinje familjet kanë një nivel më të lartë të ardhurash. Në Bullgari, shifra e popullsisë që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë është vetëm 14.8 për qind, në Kroaci 9 për qind, ndërsa në Serbi 14.4 për qind. Sipas Bankës Botërore, edhe Mali i Zi dhe Maqedonia, kanë një standard dukshëm më të lartë jetese se ai i familjeve shqiptare. Përveçse vendi më i varfër në rajon, Shqipëria është duke ecur më ngadalë se të tjerët në zbutjen e varfërisë, veçanërisht gjatë viteve të fundit. Të dhënat zyrtare nga Banka Botërore tregojnë se në tre vitet e fundit, popullsia që jeton në varfëri është ulur me vetëm 1 pikë përqindje, nga 47.2 për qind që ishte në vitin 2013 në 46.2 për qind në fund të 2015. Me këto ritme do të duhen dhe 50 vjet të tjera përpara se familjet shqiptare të dalin nga kurthi i varfërisë. Ndërkohë që vendet e tjera, të cilat kanë sakaq një standard më të lartë jetese, janë duke e ulur më shpejt varfërinë.

Borxhi u rrit në nivel rekord, qeveria dështoi me të ardhurat

Raporti i BB, treguesit për vitin 2015
•    Rritja ekonomike ishte 2.6 për qind, shifër kjo më e ulët nga sa ishte parashikuar.
•    Ekonomia shqiptare shënoi një përmirësim të lehtë në vitin 2015, e mbështetur kryesisht nga investimet private.
•    Borxhi i përgjithshëm ka arritur një nivel rekord, 73.3 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).
•    Mbledhja e të ardhurave nuk ishte në nivelet e parashikuara.
•    Çmimet e pafavorshme të naftës dhe mineralet sollën një performancë të keqe të eksporteve reale.
•    Eksportet neto kontribuan pozitivisht në rritjen ekonomike.
•    Deficiti buxhetor ka arritur në 4.8 për qind të PBB-së në vitin 2015, nga 5.9 për qind në vitin 2014.
•    Konsumi kontribuoi negativisht në rritje e PBB-së, por ka patur shenja të lehta përmirësimi nga fundi i vitit.
•    Kontribut shumë të madh në shërimin e ekonomisë ka patur projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe punimet për hidrocentralin e Devollit (projekti Devolli Hydropower), në jug të Shqipërisë.
•    Dërgesat e emigrantëve u rritën në gjysmën e parë të vitit, por pas krizës në Greqi, pësuan rënie në gjysmën e dytë të vitit.
•    Punësimi në bujqësi pësoi ulje në tremujorin e tretë të vitit, pas rritjes së fillimit të vitit. Ndërkohë që punësimi në ndërtim, prodhim dhe miniera performoi më mirë.
•    Niveli i punësimit është përmirësuar paksa për meshkujt, por ka mbetur në stanjacion për gratë.
•    Papunësia e të rinjve (15-29 vjeç) ra në lidhje me vitin e kaluar, por mbetet e lartë në 32.3 për qind.

Rreziqet dhe sfidat
•    Norma e lartë e informalitetit në punësim pengon mbledhjen e taksave dhe rritjen e të ardhurave buxhetore.
•    Shqipëria do të përballet me sfidën e gjetjeve të burimeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike.
•    Është shumë i rëndësishme zbatimi i reformave strukturore dhe fiskale.
•    Qeveria duhet të gjejë një zgjidhje për numrin e lartë të kredive të këqija, forcimin e klimës së biznesit në vend, tërheqjen e investimeve të jashtme, forcimin e administratës tatimore, reforma në energji dhe menaxhimi sa më i mirë i investimeve publike.