Basha ironizon: Rama si Borat, recetë për presidencialet në SHBA

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka ironizuar dje deklaratën e Ramës, i cili u shpreh dy ditë më parë, se nëse Donald Trump zgjidhet President i SHBA, atëherë qeveria shqiptare do të prishë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. “Lideri global ka marrë së fundmi një angazhim mbi të zakonshmen, ka vendosur të mësojë amerikanët si të zgjedhin Presidentin e tyre. Nuk është nga ato pleqërimet me Koçon te lapidari i Vunoit, është një punë që kërkon ta bëjë tani, sa më shpejt. Pasi e ndriti në Shqipëri, duke vendosur krizën dhe varfërinë më të thellë, duke instaluar oligarkinë kriminalo-korruptive, duke konkuruar edhe Trumpin për pasuri personale, pasi shkel çdo ditë ligj dhe Kushtetutë, kokoshi ka gati recetën për presidencialet amerikane. Arroganca dhe deliri si rregull e kanë një kufi, por lideri botëror po tregon se për të, këto çrregullime janë të pamata. Amerikanët shpesh e gjejnë një Borat për të kaluar ca orë në ekrane apo kinema. Kësaj radhe regjisorët s’kanë nevojë të lodhen shumë. Personazhi është vetofruar”, është shprehur Basha.