Renditja e FIFA-s, kombëtarja zbret në vendin e 45

Kombëtarja shqiptare humbet shumë pozicione në klasifikimin e FIFA-s për këtë muaj. Skuadra kuqezi tashmë e sheh veten në vendin e 45 me 632 pikë, 10 shkallë më poshtë në krahasim me renditjen që kishte muajin e mëparshëm.

Kombëtarja jonë fitoi me Luksemburgun 2-0 në miqësore, por kishte humbur më parë me Austrinë 2-1, ndeshje kjo që pati ndikim në humbjen e pikëve dhe si pasojë edhe të pozicioneve.

Renditja e FIFA-s pësoi ndryshime edhe në vendet e para të saj. Tani është Argjentina ajo që ka dalë në krye me 1532 pikë, duke zbritur në vendin e dytë Belgjikën, ndërkohë që në vendin e tretë është ngjitur Kili. Kanë pësuar rënie në klasifikimin e FIFA-s edhe Gjermania e Spanja. Skuadra kampione e Botës e sheh veten në vendin e pestë, pas Kolumbisë, ndërsa kampionët në fuqi të Evropës janë të gjashtët.

Zbresin në renditje Anglia e Italia, që gjenden respektivisht në vendin e 10 dhe të 15, ndërsa Franca është ngjitur në vendin e 21.