“Panama Papers” po ndihmojnë kandidaturën e Sanders në SHBA

Matthew Turner

Për disa amerikanë, Hilari Klintoni është mishërimi i një elite globalem që përfiton prej skemave të shmangies së taksave. Bernie Sanders, kundërshtari i saj, është antiteza.
Zbulimi se të pasurit dhe të pushtetshmit po fshehin para në parajsa fiskale jashtë vendeve të tyre nuk është befasues. Megjithatë, përmasa e 11.5 milionë dokumentave të dalë prej kompanisë panameze Mossack Fonseca, ka shkaktuar një furtunë dhe ka rikthyer në agjendë problemin e drejtësisë së taksimit. Me shumë gjasë, Panama Papers është vetëm maja e ajsbergut, dhe nëse zbulohen të tjera gjëra për punët financiare të udhëheqësve botërorë, pasojat për politikën globale do të jenë shumë të mëdha.
Zgjedhjet primare mes demokratëve në SHBA janë karakterizuar nga rritja e zemërimit ndaj elitës globale. Skandali i Panama Papers vetëm sa do të rrisë indinjatën popullore ndaj veprimeve të figurave të establishmentit – atyre që kanë ndenjur duarkryq dhe kanë lejuar të ndodhë kjo gjë.
Ndonëse deri në këto momente nuk ka patur “viktima” amerikane pas daljes së dokumentave, të gjithë kandidatët presidencialë do të pyeten për skandalin. Dhe askush nuk do të gjendet në më shumë presion, se sa Hilari Klintoni, ajo është mishërimi i “elitës globale”, ndërkohë që Bernie Sandersi është antiteza.
Rrjedhja e madhe e dokumentave ekspozon qeveritë përreth globit që me vetëdije injorojnë shmangien e taksave prej të pasurve. Ndonëse Klintoni nuk është lidhur me asnjë transaksion pas rrjedhjes së dokumentave, ka një ndjesi se ajo është mes elitës së të pasurve, disa prej atyre anëtarëve pra, që kanë përfituar prej skemave të tilla.
Eshtë zbuluar se Clintoni nxiti Marrëveshjen e tregtisë së Lirë me Panamanë, në të njëjtën kohë që Sandersi e kundërshtoi me forcë, duke cituar studime që thoshin se ajo do të kufizonte aftësinë e qeverisë për t’iu kundërvënë në raste aktivitetesh të paligjshme. Edhe nëse Klintonët mbeten të papërmendur në dokumentat e ardhshme, Sandersi mund të vazhdojë të shfrytëzojë narrativën që Klintoni është pjesë e demografisë përgjegjëse, dhe se ka asistuar abuzimet flagrante përmes marrëveshjeve tregtare.
Ndërkohë që duket se skandali do të shtrihet në kohë, tani ka gjithnjë e më shumë gjasa që votuesit e pavendosur do të priren drejt Sandersit në primaret e ardhshme, duke përfshirë Nju Jorkun. Në zgjedhjet e përgjithshme, e kaluara Donald Trumpit me shmangien e taksave do ta lërë të ekspozuar shumë, përballë të kaluarës tejet të pastër të Sandersit. Ai është madje i vetmi kandidat që përmend 1 përqindëshin kundrejt 99 përqindëshit. Nëse siguron kandidimin, sondazhet e tanishëm tregojnë se do të fitonte edhe kundër Trumpit.
Por më shumë se betejë kandidatësh, kjo është betejë idesh.
Sa më gjatë të zgjasë ky skandal, aq më mirë do të jetë për Bernie Sandersin. Dhe nëse më shumë skelete në sirtarin e Klintonëve shohin dritën, kjo do ta parashutonte Bernie Sandersin në Shtëpinë e Bardhë.

Fitorja e radhës
Sanders doli fitimtar ditën e martë në zgjedhjen e kandidatëve demokratë në Wisconsin, duke e vazhduar kështu radhën e fitoreve kundrejt Hilari Klintonit. Gjatë fjalimit të fitores nga Wyoming, Sanders tha se kjo ishte një arritje shumë e madhe dhe argumentoi përse ishte një kandidat më i fortë se Klinton për president.
“Jemi duke mposhtur Trampin me shifra tepër domethënëse”, tha ai për kandidatin deri tani kryesor të republikanëve, përpara se të vinte në shënjestër klasën e bilionerëve që ishin duke financuar me para fushatat e tjera. “Po, mund ta ndryshojmë status kuonë, kur mendojnë gjëra të mëdha dhe kur kemi vizion”, tha Sandersi. “Unë nuk jam naiv, e njoh mirë pushtetin e Wall Streetit  dhe furnizimet e tyre të pashtershme të parave”.
Klinton postoi në Twitter urime për fitoren e Sanders duke shtuar: “për të gjithë votuesit dhe vullnetarët që dhanë zemrën e tyre në këtë fushatë: Përpara!” me këtë fitore të madhe, Sanders ka futur në xhep plot gjashtë nga shtatë betejat e mëparshme edhe pse e ka kaluar me shumë pak kandidaten tjetër rivale.
Megjithatë, duket se Klinton nuk i ka humbur aspak shpresat. “Nuk do të dorëzohemi, do të vazhdojmë të luftojmë me çdo mundësi që kemi dhe me çdo shans që do të na paraqitet”, tha ajo. Klinton do të duhet të luftojë më shumë dhe për më gjatë nga sa kishte planifikuar për të arritur fitoren e kandidaturës. Tani që gara do të spostohet drejt New Yorkut, një shtet që ajo priste ta fitonte me një marzh të madh, duket se beteja do të jetë e ngushtë, sipas Dan Gerstein, drejtues i “Gotham Ghostwriters” dhe analist i pavarur politik në New York. “Do të jetë një vazhdim i një dinamike më globale”, tha Gerstein. “Klinton ka për të fituar, por fitorja do të jetë më e ngushtë nga sa duhet të ishte”.
Megjithatë, një fitore më e ngushtë nga ç’pritej nuk përkthehet detyrimisht në disavantazh dhe demokratët janë duke fituar garën demokratike të vitit 2008 si provë që Klinton nuk ndodhet në rrezik të vërtetë. Ishte pikërisht në ditët e fundit të betejave për kandidaturën, kur senatori i atëhershëm Barack Obama arriti të fitonte garën e madhe të kandidaturës presidenciale. Vetëm atëherë Klinton u përball me humbjen përfundimtare.