Paloka: Dërgoni kërkesat për mandatet në Kushtetuese

Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka i kërkoi dje mazhorancës t’i drejtohet menjëherë Kushtetueses në lidhje mandatet e deputetëve socialistë Rakip Suli dhe Valentina Leskaj për papajtueshmëri me Kushtetutën, pasi kanë përfituar fonde publike gjatë ushtrimit të funksionit të tyre si deputetë. “Sipas informacioneve që kemi ne që ju i thatë sipas mënyrës suaj, më në fund  mazhoranca ka vendosur të tërhiqet nga shkelja e Kushtetutës dhe të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht, është ajo që ne kërkojmë prej kohësh dhe e mirëpresim një akt të tillë pavarësisht se ky Parlament edhe në këtë moment derisa të bëhet votimi i këtyre akteve, vazhdon të jetë në krim kushtetues. Për këtë arsye, unë ju kërkoj meqë kemi më në fund edhe mirëkuptimin e mazhorancës të mos e vazhdojmë këtë krim kushtetues, ta votojmë sot, të futet në rend të ditës, të futet në rend të ditës dhe të votohen sot të dy kërkesat dhe të dërgohen siç thatë ju në Gjykatën Kushtetuese, pra sot, përderisa më në fund mazhoranca vendosi të heqë dorë nga krimi kushtetues, kjo është kërkesa ime proceduriale”, tha kreu i Grupit parlamentar Demokrat.