Çfarë ndodhi me kontratën e firmosur me kompaninë në fushën e markimit?

Ish Kryeministri sqaroi dje në Parlament çështjen e artikulimit të kompanisë së markimit që operon në Shqipëri dhe çështjes së Panama Papers. “Këto ditë ka shpërthyer një debat i madh. Debati i markimit. Që ta dini mirë. Çfarë ka ndodhur? Ne firmosëm një kontratë me një kompani kanadeze me reputacion botëror në fushën e markimit, e shënjimit dhe shënjues të vet origjinalë, patentë të saj.
Ne firmosëm, në mënyrë të veçantë që të markohej e gjithë nafta që hynte dhe prodhohej në Shqipëri. 4 milionë litra naftë pusi u hodhën në benzinatat e vendit, i kapët ju. Fillimisht i thatë jo kompanisë. Mafia e naftës e çoi në Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e gjeti në të gjitha aspektet kushtetuese dhe ligjore kontratën. A e dini se në shtator 2015 ai zotëria që do të pleqërojë me Koçon ka miratuar kalimin e aksioneve nga kompania markuese profesioniste “Global Fluid Internacional” tek kompania tjetër të 99,5% të aksioneve? Çakejtë e qeverisë që bërtasin poshtë e përpjetë, se si ka ikur ajo dhe ku u dhanë aksionet, ju i dhatë aksionet. Më thonë se kjo është shkelje kontrate. Se nuk mund të ikte. Pse iku? Sepse jua ngrohu xhepin juve ai.
Pra, a i keni parë mediat tuaja se si bërtasin nga mëngjesi deri në darkë? A e dini ju që pranuat largimin e kompanisë “Global Fluid International”, markuesin dhe prodhuesin e shënjuesit të naftës? Ju mendoni që me media do t’i kapërceni këto? Edhe një herë ju them, se ky operacion është kryer pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur dhe në Gjykatën Kushtetuese vendimi është marrë kur GFI është 75% aksioner, ndërsa kompania tjetër është 25%, po ja që kreu juaj i çmendur për para e ndryshoi situatën, u ble dhe lejoi operacionin. Pastaj merr përdor këllira e stërkëllira për të shpifur, të cilët nuk e mbrojnë dot aspak.
Si përfundim, dekusarizimi i këtij Parlamenti është jetik dhe vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë” u shpreh Berisha.