Çështja “Panama Papers” në sport

Policia zvicerane ka kryer një kontroll në zyrat e UEFA-s, në kërkim të informacioneve për një kontratë që është publikuar në çështjen e “Panama Papers”, e cila ishte firmosur nga ish-sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino, sot President i FIFA-s. Vetë Infantino ka mohuar të ketë kryer diçka të gabuar, ndërsa UEFA bëri të ditur se po ndihmon policinë. Ndërkohë një zyrtar i Komitetit Etik të FIFA-s, emri i të cilit kishte dalë në “Panama Papers”, Juan Pedro Damiani ka dhënë dorëheqjen. Dokumentet e zbuluara së fundmi sugjerojnë se uruguajani dhe firma e tij kishin dhënë asistencë ligjore për të paktën 7 kompani “offshore”, të lidhur me Eugenio Figueredon.
Ish-zv/Presidenti i FIFA-s, Figueredo është një ndër 14 personat e arrestuar në Zyrih majin e vitit të kaluar si pjesë e operacionit të nisur nga hetimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës bëri të ditur se kontrolli në zyrat e UEFA-s në Nyon ishte pjesë e një hetimi për veprime kriminale, i cili ka nisur për shkak të dyshimeve për keqmenaxhim kriminal. Ata shtuan se procedimi ka lidhje me shitjen e të drejtave televizive. Ndërsa ishte te UEFA, Infantino ka bashkëfirmosur një kontratë për shitjen e të drejtave televizive në 2006 me dy biznezmenë që janë akuzuar nga FBI për korrupsion. Kompania, Cross Trading, në pronësi të Hugo Jinkis dhe të birit të tij, Mariano, bleu të drejtat televizive për Champions League në 2006 për 110 mijë dollarë dhe ja shiti ato menjëherë emitentit Ekuadorian, Teleamazonas për 311 170 dollarë. Cross Trading gjithashtu pagoi 28 mijë dollarë për të drejtat e Superkupës së Europës, duke ja shitur Teleamazonas për 126 200 dollarë.
Kontratat dolën në dritë pas publikimit të 11 milionë dokumenteve të vjedhura nga Kompania Legale panameze Mossack Fonseka. UEFA ka mohuar që të ketë kryer diçka të paligjshme, duke nënvizuar se të drejtat televizive ju shitën ofertuesit më të mirë në një tender të hapur. Infantino i cili la UEFA-n, pasi u zgjodh si President i FIFA-s në 26 shkurt tha se ai mirëpret çdo hetim në lidhje me këtë çështje. Italiani u shpreh, “Nëse vendosmëria ime për t’i rikthyer futbollit reputacionin ishte që më parë shumë e fortë, tani është akoma dhe më e fortë. Është në interesin tim dhe në interesin e futbollit që gjithçka të dalë në dritë.