Stevan Jovetiç drejt largimit nga Interi

Me vendin e tretë që tashmë duket si një mirazh në sfidat e mbetura të këtij sezoni trajnerit të Interit, Roberto Mançini do t’i duhet të bëjë një rivlerësim të disa prej lojtarëve që ka në dispozicion. I pari në këtë listë është Stevan Jovetiç, i cili është transferuar te klubi zikaltër në formë huazimi nga skuadra e Man.City-t me detyrim blerjeje në verën e vitit 2017. Për malazezin fillimi i 2016 nuk ka qenë aspak pozitiv. Goli i fundit në kampionat i shënuar nga Jovetiç i takon datës 12 dhjetor në takimin kundër Udineses, ndërsa në Kupën e Italisë sulmuesi ballkanas e ka gjetur rrugën e rrjetës në sfidën ndaj Napolit të zhvilluar më 19 janar. Pengesë për sulmuesin zikaltër janë bërë dhe dëmtimet e shpeshta që e kanë detyruar atë të qëndrojë larg fushës së blertë për një kohë të gjatë.
Pritet që sezonin e ardhshëm Jovetiç të mos jetë pjesë e Interit. Për shërbimet e 26-vjeçarit janë të interesuara disa klube nga Premier League. Nga Interi në verë mund të largohet edhe mbrojtësi Joao Miranda. Për brazilianin interesohen Bayern Munchen dhe Man.United. Pavarësisht paraqitjeve jo të mira me asnjë gol të shënuar deri tani për sulmuesin Eder, i cili u transferua nga Sampdoria gjatë merkatos së janarit me të drejtë blerjeje për 11 milionë euro, situata duket më favorizuese. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dyshen Ljajiç-Telles. Të dy lojtarët nëse duan të qëndrojnë tek zikaltërit do t’u duhet të bindin trajnerin Roberto Mançini në 7 ndeshjet e mbetura të këtij sezoni.
Ndërkohë, Javier Zanetti mbështet Roberto Mançinin. Zëvendëspresidenti i Interit ka dalë në mbështetje të teknikut të zikaltërve Roberto Mançini, pavarësisht rezultateve jo të mira që ka arritur skuadra në fazën e dytë të kampionatit. Gjithçka nisi mirë për zikaltërit, duke arritur një sërë rezultatesh pozitive gjatë fazës së parë, por tanimë Interi e sheh veten 18 pikë pas Juventusit kryesues dhe misioni për një biletë për në Champions League duket se është një kapitull i mbyllur. Humbja ndaj Torinos e ka thelluar akoma dhe më shumë diferencën mes Interit dhe Romës të vendit të tretë. Sidoqoftë ish-kapiteni i zikaltërve, Javier Zanneti del në mbështetje të Roberto Mançinit dhe shprehet se nuk duhen humbur shpresat për një biletë në Champions League:
“Ne kemi besim të plotë tek Mançini. Është vërtetë që në fazën e parë të kampionatit skuadra ishte më solide, por gjithashtu ne e dinim se rrugës do të hasnim shumë vështirësi. Të gjithë janë shumë të zemëruar me ne pas humbjes kundër Torinos, por unë besoj se arritja e vendit të tretë është ende e mundur edhe pse misioni është bërë shumë më i komplikuar. Do të duhet të japin maksimumin në çdo takim që na ka mbetur”, u shpreh Zanetti.