Komisioni Europian rishikon skemën e emigrantëve

Komisioni Europian do të rishikojë skemën aktuale të krizës së emigrantëve dhe së shpejti do të paraqesë disa opsione të reja për zgjidhjen e saj.

Kjo lëvizje ka ardhur si pasojë e vështirësive që po has Greqia dhe Italia me emigrantët që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Sistemi aktual i Bashkimit Europian ka dështuar për shkak të fluksit të madh të refugjatëve.

Sipas rregullave, emigrantët duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të Unionit ku mbërrijnë.

Por e ashtuquajtura “Karta e Dublinit” dështoi kur kancelarja Angela Merkel i hapi dyert refugjatëve sirianë vitin e kaluar.

Greqia dhe Italia tashmë kanë hequr dorë nga regjsitrimi i çdo emigranti që prek tokën e tyre dhe  kjo bëri që një pjesë e klandestinëve të cilët udhëtonin nga Turqia në brigjet greke e më pas përmes Ballkanit të mos ishin të regjistruar, ç’ka solli ndërtimin e gardheve në kufi nga disa vende si Maqedonia e Sllovenia.

Komisioni Europian pritet të paraqesë dy opsione, i pari është të vazhdohet me modelin aktual, por duke ndihmuar vendet që po përballen me fluksin më të madh.

Ndërsa i dyti është më radikal, i cili parashikon zhdukjen e  rregullave aktuale dhe shpërndarjen e emigrantëve në vende të ndryshme të Europës.

Megjithatë shumë shtete nuk e dëshirojnë këtë ndryshim të plotë të rregullave.

Britania e Madhe dhe disa vende të Europës Lindore e kanë bërë të qartë se duan të vazhdojnë me të njëjtin sistem , ç’ka i jep të drejtën që të kthejnë çdo emigrant në vendin ku ka zbritur për herë të parë në Europë.

Ndërkohë që aktualisht sipas marrëveshjes mes Bashkimit Europian dhe Qeverisë turke, të gjithë refugjatët që po mbërrijnë në ishujt grek, po dërgohen sërish në Turqi.