Conte drejt Chelsea, por rrezikon 6 muaj pezullim

Edhe në ditën e zyrtarizimit të Chelsea, e kaluara e errët e ndoqi Antonio Conten. Trajneri i Italisë vazhdon të vuajë fantazmat e trukimeve në futbollin italian. Pasi shleu dënimin e Drejtësisë Sportive për moskallëzim të trukimeve disa vjet më parë, tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Cremonas për të njëjtën çështje. Gjykimi i shkurtuar i kërkuar nga Conte hyri në fazën më të nxehtë, kur prokurori i çështjes, Roberto Di Martino kërkoi dënimin me 6 muaj pezullim me kusht për trajnerin, me akuzën e mashtrimit sportiv në ndeshjen Albinoleffe-Siena të vitit 2011.
Sentenca pritet të jepet në fund të muajit maj. Edhe në rast se dënohet nga drejtësia italiane, Antonio Conte nuk rrezikon për aventurën e tij të re te Chelsea. Kjo për faktin se klubi londinez e kishte studiuar me kujdes çështjen, përpara se palët të firmosnin kontratën. Natyrisht, që në radhët e bluve të gjithë urojnë të gjendet një zgjidhje e përshtatshme, ashtu si edhe vetë trajneri. Ndërkohë, tifozët në “Stamford Bridge” janë entuziazmuar nga emërimi i Conte-s. Ata i kanë uruar mirë se ardhjen, ndërsa e kanë etiketuar si një teknik me dorë të hekurt, madje edhe më të ashpër se Mourinho-n.
Mbështetësit e Chelsea-s kanë kujtuar gjithashtu se kujtimet e tyre më të bukura lidhen me trajnerët italianë, nga Vialli e Ranieri për të vazhduar me Ancelotti-n e Di Matteo-n, me këtë të fundit që fitoi edhe trofeun e Champions në vitin 2012.