“Panamaja” zbardh marrëveshjet sekrete financiare të 140 politikanëve

Nga The International Consortium of Investigative Journalists

Dosjet zbulojnë pasuritë e fshehura të 140 politikanëve dhe zyrtarëve publikë nga e gjithë bota.
Udhëheqës aktualë dhe të së shkuarës që zbulohen nga dokumentet përfshijnë kryeministrat e Islandës dhe Pakistanit, Presidentin e Ukrainës dhe mbretin e Arabisë Saudite.
Më shumë se 214 mijë kompani të regjistruara në parajsa fiskale zbulohen nga rrjedhja, kompani që rezultojnë të lidhur me njerëz në më shumë se 200 vende dhe territore.
Bankat më të mëdha të botës kanë udhëhequr krijimin e kompanive që shërbejnë për të fshehur paratë.
Rrjedhja masive e dokumenteve ekspozon pronat e fshehta të 12 udhëheqësve aktualë dhe ish-udhëheqësve të shteteve dhe zbulon se si bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin fshehën më shumë se 2 miliardë dollarë përmes llogarive bankare dhe kompanive sekrete.
Rrjedhja ofron gjithashtu detaje të marrëveshjeve sekrete financiare të më shumë se 128 politikanëve dhe zyrtarëve publikë nëpër botë.
Arkiva me 11.5 milionë dokumente tregon se si industria botërore e kompanive ligjore dhe bankave të mëdha sigurojnë privatësi financiare për politikanët, mashtruesit, trafikantët e drogës si dhe miliarderëve, njerëzve të famshëm dhe yjeve të sportit.
Këto janë mes gjetjeve kryesore të një investigimi që vijon prej një viti nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve investigativë, gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” dhe mbi 100 organizatave të tjera të medias.
Dokumentet zbulojnë kompanitë e fshehta nën pronësinë e kryeministrave të Islandës dhe Pakistanit, mbretit të Arabisë Saudite dhe fëmijëve të Presidentit të Azerbajxhanit.
Ato përfshijnë gjithashtu edhe së paku 33 njerëz dhe kompani të vendosura në listën e zezë të qeverisë së SHBA-ve për shkak të provave se ato janë përfshirë në shkelje, të tilla si të bërit biznes me padronët e drogës së Meksikës apo organizata terroriste si Hezbollah e shtete diktatoriale si Koreja e Veriut dhe Irani.
Një nga këto kompani furnizoi me karburant avionin që qeveria e Sirisë përdori për të bombarduar dhe vrarë mijëra nga qytetarët e vet, sipas akuzave të autoriteteve amerikane.
“Këto gjetje tregojnë se sa thellë janë të ndërlidhura praktikat e dëmshme me kriminalitetin në botën e parajsave fiskale”, tha Gabriel Zucman, një ekonomist në Universitetin e Berklit, Kaliforni dhe autor i “Pasuria e Fshehur e Kombeve: Mallkimi i Parajsave Fiskale”. Zucman, i cili u informua mbi investigimet e medias, tha se zbulimi i dokumenteve të rrjedhura duhet të shtyjë qeveritë të vendosin “sanksione sekrete” kundër juridiksioneve dhe institucioneve që krijojnë sekretin e parajsave fiskale.
Udhëheqës botërorë, të cilët kanë bërë fushatë me platforma antikorrupsion, shfaqen në dokumentet e rrjedhura. Dosjet zbulojnë kompani të fshehta të lidhura me familjen e udhëheqësit të Kinës, Xi Jinping, i cili është betuar të luftojë “ushtritë e korrupsionit” si dhe presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, i cili e ka pozicionuar veten si një reformator në një vend të tronditur nga skandale korrupsioni. Dosjet përmbajnë gjithashtu detaje të reja për biznese të kryera nëpër parajsa fiskale nga babai i ndjerë nga jeta e kryeministrit të Britanisë, David Cameron, një udhëheqës që po kërkon reformë në lidhje me parajsat fiskale.
Të dhënat e rrjedhura mbulojnë gati 40 vjet, nga 1977 deri në fund të vitit 2015. Ato mundësojnë të shohësh si kurrë më parë botën e parajsave fiskale – duke treguar ecurinë ditë pas dite të rrjedhjes së parasë së errët nëpër sistemin botëror financiar, i cili ushqen krimin dhe vjedh buxhetet e vendeve nga të ardhurat fiskale.
Shumica e shërbimeve të industrisë së parajsave fiskale është i ligjshëm nëse përdoret nga ata që respektojnë ligjin. Por dokumentet tregojnë se bankat, kompanitë e konsulencës juridike dhe lojtarë të tjerë shpesh kanë dështuar të ndjekin kërkesat ligjore që nevojiten për t’u siguruar që klientët e tyre nuk po merren me aktivitete kriminale, po fshehin taksa apo po pastrojnë produktet e korrupsionit politik. Në disa raste, dosjet tregojnë se sekserët e parajsave fiskale kanë mbrojtur veten dhe klientët e tyre, duke fshehur transaksionet e dyshimta apo duke manipuluar dokumentet.
Dokumentet bëjnë të qartë se, shumica e bankave të mëdha janë udhëheqëse pas krijimit të kompanive që fshihen në parajsa fiskale si Ishujt e Virgjër britanikë, Panamaja apo parajsat e tjera fiskale. Dosjet rendisin gati 15,600 dokumente kompanish, të cilat bankat i kanë krijuar për klientët që dëshirojnë t’i mbajnë financat e tyre të fshehta, përfshirë gjigantët ndërkombëtarë të bankingut si UBS dhe HSBC.
Të dhënat paraqesin një model manovrash të fshehta të kryera nga bankat, kompanitë dhe njerëzit e lidhur me presidentin e Rusisë Vladimir Putin. Të dhënat tregojnë kompani të fshehura në parajsat fiskale të lidhura me këtë rrjet që lëviz para në transaksione të mëdha që arrijnë në deri 200 milionë dollarë me një dorë. Shokët e Putinit fshehën pagesat, krijuan dokumente me datë të vjetër dhe fituan ndikim të fshehtë në industrinë e medias dhe të makinave të këtij vendi.
Një zëdhënës i Kremlinit nuk iu përgjigj pyetjeve për këtë lajm, por doli në publik më 28 mars me akuzat se ICIJ dhe partnerët e saj mediatikë po përgatisnin një “sulm informativ” kundër Putinit dhe njerëzve pranë tij.
Të dhënat e rrjedhura – të cilat u analizuan nga një skuadër prej më shumë se 370 gazetarësh nga 76 vende – vijnë nga një kompani pak e njohur, por shumë e fuqishme konsulence ligjore me bazë në Panama, Mossack Fonseca, e cila ka degë në Hong Kong, Majemi, Zyrih dhe 35 vende të tjera nëpër botë.
Kjo është një nga kompanitë më të mëdha në botë për krijimin e kompanive guackë, struktura korporative që mund të përdoren për të fshehur pronësinë e një aseti. Dokumentet e brendshme të kësaj kompanie që rrodhën në media përmbajnë informacion mbi 214,488 kompani të lidhura me njerëz në më shumë se 200 vende dhe territore. ICIJ do të publikojë listën e plotë të kompanive të lidhura me to në fillim të majit.
Të dhënat përfshijnë emaile, raporte financiare, pasaporta dhe të dhëna të tjera të korporatave, të cilat zbulojnë pronarët sekretë të llogarive bankare dhe kompanive të regjistruara në 21 parajsa fiskale, nga Nevada në Singapor apo në Ishujt e Virgjër britanikë.
Duart e Mossack Fonseca gjenden në tregtinë e diamanteve të Afrikës, në tregun ndërkombëtar të artit dhe biznese të tjera, që lulëzojnë në sekret. Kompania ka shërbyer aq shumë mes familjeve mbretërore të Lindjes së Mesme sa mund të mbushë një pallat me dokumente. Ajo ndihmoi dy mbretër, Mohammed VI të Marokut dhe Mbretin Salman të Arabisë Saudite, që të blinin jahte luksi.
Në Islandë, dokumentet tregojnë se si kryeministri Sigmundur David Gunnlaugsson dhe bashkëshortja e tij kishin nën pronësi një kompani sekrete që mbante miliona dollarë në bankat e Islandës në bonde gjatë krizës financiare të këtij vendi.
Dosjet përfshijnë emrin e një pastruesi parash të dënuar, i cili pretendon se ka organizuar një kontribut të fshehtë për fushatë elektorale, që u përdor për të paguar hajdutët e Uotergejtit, 29 miliarderë nga lista e Forbes me 500 njerëzit më të pasur si dhe yllin e kinemasë Jackie Chan, i cili pati së paku gjashtë kompani të menaxhuara përmes kësaj kompanie të konsulencës ligjore.
Ashtu si edhe me shumë klientë të Mossack Fonseca, nuk ka prova që të sugjerojnë se Chan i përdori kompanitë e tij për qëllime të këqija. Pasja e një kompanie të regjistruar në një parajsë fiskale nuk është e paligjshme. Për disa transaksione ndërkombëtare biznesi, ajo është një zgjedhje e logjikshme.
Por dokumentet e Mossack Fonseca gjithsesi sugjerojnë se, klientët e kësaj kompanie përfshijnë njerëz të skemave piramidale, trafikantë droge, evazorë fiskalë dhe së paku një person të dënuar për krim seksual. Një biznesmen amerikan, i cili u dënua sepse udhëtoi në Rusi për të bërë seks me jetimë nën moshë firmosi dokumentet për një kompani në parajsë fiskale, ndërkohë që po vuante dënimin në një burg në Nju Xhersi.
Dosjet përmbajnë detaje të reja mbi skandale të mëdha nga vjedhja më famëkeqe e arit në Angli në akuzat për ryshfet në FIFA, organizmi që menaxhon futbollin ndërkombëtar.
Dokumentet zbulojnë se kompania ligjore e Juan Pedro Damiani, një anëtar i Komitetit të Etikës së FIFA-s, kishte marrëdhënie biznesi me tri njerëz, të cilët qenë akuzuar në një skandal të FIFA-s – ish zëvendëspresidenti i FIFA Eugenio Figueredo dhe Hugo e Mariano Jinkis, babai dhe djali të akuzuar se kishin paguar ryshfet për të fituar të drejtat e transmetimit televiziv për ndeshjet e futbollit të Amerikës Latine. Të dhënat tregojnë se kompania ligjore e Damiani në Uruguaj përfaqësonte një kompani të fshehtë të lidhur me Jinkises dhe shtatë kompani të lidhura me Figueredo.
Në përgjigje të raportimeve nga ICIJ dhe partnerët e saj mediatikë, paneli i etikës së FIFA-s ka nisur një hetim paraprak mbi marrëdhënien e Damiani me Figueredo. Një zëdhënës për komitetin tha se, Damiani informoi vetë fillimisht panelin mbi lidhjet e tij të biznesit me Figueredo më 18 mars. Kjo ndodhi një ditë, pasi skuadra e reporterëve i dërgoi pyetje Damianit mbi punën e kompanisë së tij ligjore për kompani të lidhura me ish-zëvendëspresidentin e FIFA.
Lojtari më i mirë i botës në futboll, Lionel Mesi, u zbulua gjithashtu mes dokumenteve. Ato tregojnë se Mesi dhe babai i tij qenë pronarë të një kompanie të regjistruar në Panama: Mega Star Enterprises Inc. Kjo i shton një emër të ri listës së kompanive të fshehta që dihet se janë të lidhura me Mesin. Biznesi i tij në parajsa fiskale është aktualisht nën hetim për evazion fiskal në Spanjë.
Pavarësisht nëse janë të famshëm apo të panjohur, Mossack Fonseca punon fort për të mbrojtur sekretet e klientëve të tij. Në Nevada, të dhënat tregojnë se kompania u përpoq të mbrojë veten dhe klientët e vet nga pasojat e mundshme ligjore në një juridiksion të Gjykatës Amerikane, duke hequr dokumentet që kishte nga dega e vet në Las Vegas si dhe udhëzoi punonjësit e vet të teknologjisë së informacionit të fshihnin të dhëna elektronike nga telefona celularë e kompjuterë.
Dosjet e rrjedhura tregojnë se, kompania vazhdimisht ofroi të regjistronte dokumente pas në kohë për të ndihmuar klientët të merrnin përfitime në çështjet e tyre financiare. Kjo qe kaq e zakonshme sa në një email të vitit 2007 tregohet se, punonjësit flisnin për krijimin e një strukture çmimi, e cila i mundësonte klientëve të paguanin 8.75 dollarë çdo muaj shumë pas në kohë dhe se dokumentet e korporatës mund të krijoheshin sikur ishin firmosur vite më parë.
Në një përgjigje me shkrim nga ICIJ firma tha se “nuk ndihmon apo promovon veprime të paligjshme. Aludimet tuajse ne i ofrojmë aksionerëve struktura që supozohet se janë dizenjuar për të fshehur identitetin e pronarëve të vërtetë janë tërësisht të pabaza dhe false”.
Kompania shtoi se, regjistrimi i dokumenteve sikur ngjarja ka ndodhur pas në kohë “është një praktikë e njohur dhe e pranuar” dhe se “është e zakonshme në industrinë tonë dhe nuk synon të mbulohet apo fshihet një akt i paligjshëm”.
Kompania tha se, nuk mund t’i përgjigjet pyetjeve mbi klientë speficikë për shkak të detyrimeve të saj për të ruajtur konfidencialitetin e klientëve.
Bashkëthemeluesi i firmës, Ramón Fonseca, deklaroi në një intervistë së fundmi në televizionin e Panamasë se, kompania nuk kishte përgjegjësi për atë që bënin klientët e saj për kompanitë nëpër parajsa fiskale, që ajo shet. Ai e krahasoi firmën e tij me një “fabrikë makinash”, detyrimi i të cilës përfundon sapo makina prodhohet. Që të akuzohet Mossack Fonseca për çfarë bëjnë njerëzit me kompanitë e tyre është njësoj sikur të akuzosh prodhuesin e një makine “në rast se makina përdoret në një grabitje”, tha ai.

Nën dyshim
Deri së fundmi, Mossack Fonseca vepronte në përgjithësi në hije. Por ajo është vënë nën vëmendje së fundmi për shkak se qeveritë kanë marrë një pjesë të dokumenteve të rrjedhura gjë që shtyu Gjermaninë dhe Brazilin të hetojnë praktikat e saj.
Në shkurt 2015, “Süddeutsche Zeitung” raportoi se, agjencitë ligjzbatuese gjermane kanë nisur një seri bastisjesh në një nga bankat më të mëdha në vend, Commerzbank, në një hetim për mashtrim fiskal, gjë që mund të sjellë një akuzë penale ndaj punonjësve të Mossack Fonseca.
Në Brazil, kompania është bërë shënjestër në një hetim për ryshfet dhe pastrim parash të njohur si “Operacioni Lavatriçja” (“Lava Jato”, në portugalisht), e cila ka sjellë akuza penale kundër udhëheqësve kryesorë dhe një hetim kundër ish-presidentit Luiz Inacio Lula da Silva. Skandali kërcënon të rrëzojë edhe presidenten aktuale Dilma Rousseff.
Në janar, prokurorët në Brazil e etiketuan Mossack Fonseca si një “pastrues të madh parash” dhe njoftuan se ata kanë ngritur akuza penale kundër pesë punonjësve të zyrës së kësaj firme në Brazil.
Mossack Fonseca i mohon akuzat.
Zbulimet nga dosjet e kësaj kompanie ligjore zgjerojnë në mënyrë dramatike rrjedhje të mëparshme të të dhënave nga parajsat fiskale, të cilat ICIJ dhe partnerët e vet raportues kanë zbuluar përgjatë katër viteve të fundit.
Në bashkëpunimin më të madh të ndërmarrë ndonjëherë në botën e medias, gazetarë që punojnë në më shumë se 25 gjuhë po gërmojnë në dokumentet e Mossack Fonseca për të gjurmuar marrëveshjet sekrete të klientëve të kësaj kompanie nëpër botë. Ata ndanë informacion dhe hynë në shtigje të krijuara nga dosjet e kompanive, të dhënat mbi pronësinë, raportet financiare, dokumentet gjyqësore dhe intervistat me ekspertë kundër pastrimit të parasë apo zyrtarë të tjerë.
Reporterët e “Süddeutsche Zeitung” morën miliona të dhëna nga një burim konfidencial dhe i ndanë ato me ICIJ dhe partnerë të tjerë të medias. Organizatat mediatike që po marrin pjesë në investigime nuk kanë paguar për dokumentet e ndara.
Para se “Süddeutsche Zeitung” të merrte dokumentet, autoritetet gjermane të taksave blenë një pjesë të vogël të dokumenteve të Mossack Fonseca nga një person që i dispononte, lëvizje që solli hetimet në Gjermani në fillim të vitit 2015. Një pjesë më e vogël e dokumenteve i është ofruar që nga ajo kohë autoriteteve të taksave të Mbretërisë së Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera, sipas burimeve me njohuri nga çështja.
Dosja më e madhe e marrë nga organizatat e medias ofrojnë më shumë se sa një panoramë të thjeshtë të metodave të biznesit të kësaj kompanie ligjore apo një katalog mbi klientët e vet më të këqij. Ato lejojnë zbulimin e thellë të një industrie që ka punuar për t’i mbajtur praktikat e veta të fshehta – dhe detaje që tregojnë se si përpjekjet për të reformuar sistemin kanë dështuar.
Historia e Mossack Fonseca është, në shumë mënyra, historia e vetë sistemit të parajsave fiskale.

Krimi i shekullit
Para agimit më 26 nëntor 1983, gjashtë grabitës hynë në magazinat e Brink’s-Mat në aeroportin Hithrou të Londrës. Grabitësit lidhën rojet e sigurisë, i lyen me benzinë dhe ndezën një shkrepëse, duke i kërcënuar se do t’i digjnin të gjallë në rast se nuk hapnin kasafortën e magazinës. Brenda saj, grabitësit gjetën gati 7 mijë lingota ari si dhe diamante e para të thata.
“Faleminderit shumë për ndihmën tuaj. Gëzuar Krishtlindjet”, tha njëri nga grabitësit ndërsa po iknin. Media e cilësoi grabitjen si “krimi i shekullit”. Shumica e plaçkës – përfshirë paratë e nxjerra nga shkrirja e arit dhe shitja e tij, nuk u gjetën kurrë. Se ku humbën paratë është një mister që vijon të magjepsë studentët e botës së krimit të Anglisë.
Tashmë dokumentet brenda Mossack Fonseca zbulojnë se, bashkëthemeluesi i saj, Jürgen Mossack, mund të ketë ndihmuar grabitësit të fshihnin paratë nga autoritetet, duke i fshehur përmes një kompanie të lidhur me Gordon Parry, një biznesmen në Londër që pastroi para për grabitësit.
Gjashtëmbëdhjetë muaj pas grabitjes, të dhënat tregojnë se Mossack Fonseca krijoi një kompani guackë të quajtur Feberion Inc. Jürgen Mossack qe një nga tre drejtorët “e emëruar”, një term që përdoret në kompanitë guackë për paraqitje, pasi drejtuesit e kompanisë të vërtetë nuk dihen dhe juristët ose kontabilistët shfaqen si drejtues.
Një memo e brendshme e shkruar nga Mossack tregon se ai qe i vetëdijshëm më 1986 se kompania “dukej se qe përfshirë në menaxhimin e parave të vjedhjes së famshme në Brink’s-Mat në Londër. Vetë kompania nuk qe përdorur ilegalisht, por mund të jetë që kompania investoi para përmes llogarive bankare dhe pronave, të cilat patën burim të paligjshëm”.
Të dhënat e Mossack Fonseca nga viti 1987 e bëjnë të qartë se Parry qe pas Feberion. Në vend që të ndihmoheshin autoritetet të fitonin akses te asetet e Feberion, firma ligjore mori hapa për ndalimin e policisë së Britanisë së Madhe.
Pasi policia mori dy çertifikata që kontrollonin pronësinë e kompanisë, Mossack Fonseca i mundësoi Feberion të emetonte 98 aksione të reja, një lëvizje që duket se efektivisht zhvendosi kontrollin larg duarve të hetuesve.
Vetëm në vitin 1995, tri vjet pasi Parry u dërgua në burg për rolin e tij në vjedhjen e arit, Mossack Fonseca i mbylli marrëdhëniet e biznesit me Feberion.
Një zëdhënës për kompaninë ligjore tha se, çdo aludim se firma ndihmoi për të fshehur të ardhurat nga grabitja “është tërësisht fals”. Zëdhënësi tha se, Jürgen Mossack “nuk ka bërë kurrë asnjë pazar” me Parry dhe nuk është kontaktuar kurrë nga policia për këtë rast.
Mbrojtja nga Mossack Fonseca e kësaj kompanie ilustron se sa larg shkojnë shumë kompani sekrete për t’i shërbyer interesave të klientëve të tyre.
Sistemi i parajsave fiskale mbështetet në një industri me shtrirje botërore të bankave, avokatëve, llogaritarëve e ndërmjetësve, të cilët punojnë së bashku për të mbrojtur sekretet e klientëve të tyre. Ekspertët e sekreteve përdorin kompani anonime, truste dhe ente të tjera që ekzistojnë vetëm në letër për të krijuar struktura komplekse që mund të përdoren për të fshehur origjinën e parave të pista.
“Ato janë karburanti që mban në punë motorin”, thotë Robert Mazur, një ish-agjent antidroge në SHBA dhe autor i librit, I Infiltruari: Jeta Ime Sekrete Brenda Bankave të Pista të Kartelit Medelin të Pablo Escobar. “Ato janë pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme të formulës së suksesit të organizatave kriminale”.
Mossack Fonseca i tha ICIJ se ai zbaton “si tekstin ashtu edhe frymën e ligjit. Për shkak të kësaj, ne nuk jemi akuzuar kurrë për aktivitet kriminal në gati 40 vjet punë”.
Burrat që themeluan firmën dekada më parë – dhe vijojnë edhe sot si partnerët e saj kryesorë – janë figura të njohura në shoqërinë dhe politikën e Panamasë.
Jürgen Mossack është një imigrant gjerman, babai i të cilit kërkoi një jetë të re në Panama për familjen e tij, pasi i shërbeu Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ramón Fonseca është një shkrimtar që ka fituar çmime dhe që ka punuar gjatë viteve të fundit si këshilltar për presidentin e Panamasë. Ai mori leje dhe la detyrën si këshilltar i presidentit në mars, pasi kompania e tij u implikua në skandalin e Brazilit dhe pasi ICIJ filluan të bëjnë pyetje mbi praktikat e firmës së tij.
Nga baza e tij në Panama, një nga zonat më sekrete financiare të botës, Mossack Fonseca mbjell kompani anonime në Panama, në Ishujt e Virgjër Britanikë dhe në parajsa të tjera fiskale.
Kompania ligjore ka punuar ngushtë me bankat e mëdha dhe me kompanitë e mëdha ligjore në vende si Holanda, Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Zvicra, duke ndihmuar klientët e vet të lëvizin paratë dhe të ulin faturat e tyre fiskale.
Një analizë e ICIJ mbi dosjet e rrjedhura zbuloi se më shumë se 500 banka, degët dhe filialet e tyre kanë punuar me Mossack Fonseca që nga vitet 1970 për të ndihmuar klientët të menaxhojnë kompanitë nëpër parajsa fiskale. UBS krijoi më shumë se 1,100 kompani në parajsa fiskale përmes kësaj kompanie. HSBC krijoi më shumë se 2,300.
Në tërësi, dosjet tregojnë se Mossack Fonseca punoi me më shumë se 14,000 mijë banka, kompani ligjore, kontabilistë e sekserë për të krijuar kompani, fondacione dhe truste për klientët e vet.
Mossack Fonseca thotë se këto ndërmjetës kanë klientët e vërtetë të saj dhe jo ata që përdorin kompanitë sekrete. Firma thotë se ndërmjetësit ofrojnë shtresa shtesë mbikëqyrjeje dhe analizimi të klientëve të rinj. Sa i përket procedurave të saj, Mossack Fonseca thotë se ato shpesh tejkalojnë “rregullat dhe standardet ekzistuese detyruese për sektorin”.
Në përpjekjet e saj për të mbrojtur Feberion Inc., kompania guackë e lidhur me vjedhjen e madhe të arit në Britani, Mossack Fonseca përdori shërbimet e një kompanie me bazë në Panama, Chartered Management Company, e drejtuar nga Gilbert R.J. Straub, një amerikan që luajti rolin e ndërmjetësit në skandalin e Uotergejtit.
Më 1987, ndërsa policia e Mbretërisë së Bashkuar po hetonte kompaninë guackë, Jürgen Mossack dhe drejtorët e tjerë në letër të Feberion dhanë dorëheqjen, me mirëkuptimin se ata do të zëvendësoheshin nga drejtorë të rinj të emëruar nga Straub’s Chartered Management.
Straub u arrestua në fund nga Administrata për Zbatimin e Ligjit Kundër Drogës të SHBA-së në një çështje pa lidhje me vjedhjen e arit në Britani, sipas Mazur, ish-agjentit të fshehtë. Gjatë një prej punëve të tij si agjent i fshehtë, Mazur mblodhi faktet që bënë që Straub të deklarohej fajtor për akuzën për pastrim parash më 1995. Duke besuar se Mazur qe vetë një pastrues parash me lidhje të shumta, Straub u përpoq të fitonte besimin e tij duke rrëfyer se si ai ilegalisht kishte financuar fushatën për rizgjedhje si president të Nixon më 1972.

Sekrete dhe viktima
Babai i Nick Kgopa vdiq kur Nick qe 14 vjeç. Kolegët e punës të babait të tij në një minierë ari në Afrikën e Jugut thanë se babai i Nick qe vrarë nga ekspozimi ndaj kimikateve.
Nick, nëna e tij dhe vëllai më i vogël, i cili nuk dëgjon, mbijetuan falë çeqeve mujore nga një fond për vejushat dhe jetimët e minatorëve.
Një ditë, pagesat nuk erdhën më.
Familja e tij qe një prej shumë njerëzve që humbën për shkak të një investimi mashtrues të 60 milionë dollarëve të kryera nga biznesmenë të Afrikës së Jugut. Prokurorët dyshojnë se një grup individësh të lidhur me një kompani të menaxhimit të aseteve, Fidentia, patën përvetësuar miliona nga fondet e investimit – përfshirë pensionet e minatorëve të vdekur në aksidente, një fond që supozohej se do të mbështeste rreth 46 mijë të ve dhe jetimë.
Dokumentet e Mossack Fonseca tregojnë se së paku dy nga njerëzit e përfshirë në këtë mashtrim përdorën shërbimet e kësaj kompanie për të krijuar kompani të fshehta – dhe se Mossack Fonseca qe i gatshëm të ndihmonte një nga mashtruesit që të mbronte paratë edhe pasi autoritetet e zbuluan lidhjen e tij me skandalin.
Organizatorët e skemave piramidale dhe mashtruesit e tjerë që godasin një numër të madh viktimash shpesh përdorin kompani të fshehta për të krijuar skemat e tyre apo për të fshehur fitimet. Rasti i Fidentia nuk është mashtrimi i vet i madh që shfaqet në dosjet e klientëve të Mossack Fonseca.
Në Indonezi, për shembull, investitorët e vegjël pretendojnë se një kompani e regjistruar nga Mossack Fonseca në Ishujt e Virgjër britanikë qe përdorur për të mashtruar 3,500 njerëz dhe për të përvetësuar 150 milionë dollarë.
“Ne me të vërtetë kemi nevojë për paratë që të paguajmë faturën e shkollimit të djalit tonë këtë prill”, i shkroi me email një investitor indonezian Mossack Fonseca në prill 2007, pasi pagesat qenë ndërprerë.
“Mund të na jepni ndonjë sugjerim se çfarë të bëjmë”, pyeti investitori me anglishte të keqe, pasi pa se emri i Mossack Fonseca u shfaq në një fletushkë reklamuese të fondit të investimit.
Në rastin e Fidentia, të dhënat e Mossack Fonseca tregojnë se një nga njerëzit që më pas u burgos në Afrikën e Jugut për rolin e tij në mashtrim, Graham Maddock, i pati paguar Mossack Fonseca 59 mijë dollarë më 2005 dhe 2006 për të krijuar dy kompani sekrete, përfshirë një që quhej Fidentia North America. Të dhënat e firmës ligjore thonë se, ata i dhanë atij “shërbim VIP”.
Mossack Fonseca krijuan gjithashtu struktura sekrete për Steven Goodwin, një njeri për të cilin prokurorët më vonë thanë se pati luajtur një “rol vendimtar” brenda skandalit Fidentia. Ndërsa skandali shpërtheu më 2007, Goodwin iku për në Australi e më pas për në SHBA, ku një avokat i  Mossack Fonseca u takua me të në një hotel luksi në Manhatan për të diskutuar pronat e tij në parajsat fiskale.
Avokati shkroi më vonë se, Goodwin “pati folur thellë” mbi skandalin Fidentia dhe se ai “e kishte bindur Goodwin që ta mbronte më mirë” pasurinë e tij sekrete, duke e kaluar atë në emër të një pale të tretë.
Në memon e tij, zyrtari i kompanisë i tha kolegëve se Goodwin nuk qe i përfshirë në skandal “në asnjë lloj mënyre” – dhe se ai qe thjeshtë “një viktimë e rrethanave”.
Në prill 2008, FBI e arrestoi Goodwin në Los Anxhelos dhe e dërgoi atë në Afrikën e Jugut, ku u deklarua fajtor për mashtrim dhe pastrim parash. Ai u dënua me dhjetë vjet burg.
Një muaj pas dënimit të Goodwin, një punonjës i Mossack Fonseca propozoi një plan për të penguar prokurorët e Afrikës së Jugut, të cilët prihej të kërkonin paratë e lidhura me kompaninë sekrete të Goodwin, Hamlyn Property LLP, e cila qe krijuar për të blerë prona të patundshme në Afrikën e Jugut.
Punonjësi propozoi punësimin e një kontabilisti për të “përgatitur” auditet për vitet 2006 dhe 2007 “që të përpiqet për të parandaluar prokurorët që të ndërmerrnin veprime kundër entiteteve që fshiheshin pas Hamlyn”. Ai e vendosi fjalën “përgatitë” në thonjëza në emailin e tij.
Nuk është e qartë nëse propozimi u miratua.
Mossack Fonseca nuk iu përgjigj pyetjeve nga ICIJ mbi marrëdhëniet e veta me Goodwin. Një përfaqësues për Goodwin i tha ICIJ se Goodwin “nuk kishte të bënte fare” me kolapsin e Fidentia, dhe asnjë lidhje direkte apo indirekte me 46 mijë të vetë dhe jetimët” e minatorëve.