Kalaja e Porto Palermo, dhurata e Ramës për Koçon

Rama i ka dhuruar Kokëdhimës kalanë e Porto Palermos. Koço Kokëdhima vijon të zhvasë pasuritë natyrore e kulturore të Jugut të vendit. Dhurata vjen në një kohë kur Ministria e Kulturës mori vendimin që i hap rrugë privatizimit të monumenteve të kulturës.  Denoncimi është bërë nga zëdhënësja e PD, Ina Zhupa.
“Edi Rama gjatë një vizite dyditore në Jug të vendit, ka tentuar t’u shesë banorëve të bregut një mall të prishur, që askush nuk e blen më. Qytetarët e Jugut, të Fierit, të Vlorës, Sarandës e më gjerë e dinë se propaganda e Ramës është një tallje e tipit, biri im, pasi e vërteta është se qeveria e tij, në jetën e tyre, në lagjen e tyre, ka vetëm një kuptim: Si të pasurohet më shumë Koço Kokëdhima.
Pasi ka shtënë në dorë çdo vend pune, çdo tender, çdo licencë, çdo tokë e truall, çdo plazh, çdo burim fitimi, me dekret të posaçëm të Edi Ramës, Koço po bëhet gati të fusë në kthetra dhe kalanë e Porto Palermos dhe kjo është arsyeja pse Ministria e Kulturës vendosi t’i japë me qira këto objekte të trashëgimisë kulturore”, u shpreh zëdhënësja e PD. “Në mënyrë të turpshme, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka firmosur në tetor 2015 një udhëzim që përcakton mënyrën e dhënies me koncesion të monumenteve të kulturës”.
Kalaja e Porto Palermos është zhvatja e radhës nga ana e Kokëdhimës në zonën e bregdetit të Jugut. Gllabërimi i pronave, ndërtime e biznese në kundërshtim me çdo ligj të vendit po vijojnë të ndërmerren në Himarë e në zonat përreth nga Kokëdhima. Janë me qindra denoncimet e bëra nga banorët e zonës se si Kokëdhima po vjedh pronat e tyre e pasuritë publike.