Veliaj bllokon rrugët , Tirana përfshihet nga kaosi

Bashkia e Tiranës ka bllokuar pa paralajmërim ditën e djeshme qendrën e Tiranës dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe atë “Zogu i I”. Dhe kjo ka bërë që kryeqyteti të përfshihet nga kaosi dhe trafiku i rënduar. Qytetarët kanë gjetur mënyra të ndryshme që t’i përgjigjen tekave të kreut të Bashkisë, Erion Veliaj. Ata kanë vendosur që me makinat e tyre të kalojnë nëpër urat e këmbësorëve, një gjë e ndaluar për shkak të faktit se urat mund të shemben dhe të rrezikohet edhe jeta e njerëzve.
Bashkia i ka bllokuar rrugët për shkak se kreu i Bashkisë, Erion Veliaj ka marrë pjesë në një maratonë-kros të zhvilluar në qendrën e Tiranës, aktivitet që vitet e tjera është zhvilluar në Parkun e Liqenit. Por Parku i Liqenit është i rrethuar me forca të shumta policore për shkak të punimeve që kryhen atje. Bllokimi i rrugëve në qendër të kryeqytetit në pikun e lëvizjes, ka irrituar qytetarët, të cilët kanë shpërthyer në revoltë kundër Veliajt. Ata që e kanë përjetuar më shumë kaosin kanë qenë të moshuarit dhe fëmijët, të cilët kishin dalë në shëtitje këtë fundjavë.
Prej dy javësh, Bashkia e Tiranës ka bllokuar për qarkullimin e automjeteve shumë rrugë kryesore në kryeqytet. Bashkia ka nisur punimet pa asnjë plan në dhjetëra rrugë në qendër të Tiranës, duke krijuar trafik të rënduar të automjeteve. Të lëvizësh me makinë këto ditë në Tiranë të duhen nerva dhe kohë e gjatë qarkullimi. Me fillimin e punimeve për unazën e vogël shumë segmente lidhëse me qendrën e kryeqytetit janë mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe lëvizja është devijuar në të tjera akse. Kur vjen nga rruga e “Durrësit” e vetmja mundësi është kthimi djathtas në drejtim të Bankës së Shqipërisë për t’u ngjitur më pas tek selia e Partisë Socialiste, por fillimisht duhet të presësh gjatë në radhë për të kaluar, pasi rruga është kthyer me një kalim.
Ndërsa për të zbritur në këtë rrugë nga Sheshi “Skënderbej” është e pamundur, pasi Bashkia ka bllokuar segmentin përpara Muzeut Historik Kombëtar. Trafikun e krijuar në qendër si pasojë e kësaj lëvizjeje e kanë të vështirë ta çajnë edhe autoambulancat apo vetë automjetet e policisë. Drejt rrugës së “Durrësit” nuk mund të kalosh as nëse tenton të përdorësh segmentin pas Muzeut Historik Kombëtar. Edhe këtu po punohet. Ndalim-kalimi këtu ka vështirësuar qarkullimin edhe në Bulevardin “Zogu i Parë”.
Tjetër arterie ku po punohet është edhe ajo nga rruga e “Barrikadave” në drejtim të rrugës së “Dibrës” dhe “Luigj Gurakuqit”. Por nuk duhet të shmangësh vetëm këtë rrugë, për të dalë në qendër, pasi nuk lejohet të përdoret as segmenti ndërmjet Teatrit të Operas dhe Baletit e Hotel “Tiranës”.
Ditët në vijim do të ketë edhe devijime të tjera të lëvizjes për shkak të punës në terren për ndërtimin e unazës së vogël. Gjurma e unazës së vogël pritet të mbyllet pas shembjes së disa shtëpive private, ndonëse pronarët e shtëpive kanë protestuar për vlerësimin qesharak të shtëpive nga qeveria.

R.POLISI