Trump në mes dy zjarreve, atij republikan dhe amerikan

Kandidati republikan për president Donald Trump po e gjen veten nën presion për disa komente në lidhje me abortin dhe për faktin se mori në mbrojtje ndihmësin e tij kryesor të fushatës, i akuzuar për përdorim force ndaj një personi. Siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Jim Malone, vështirësitë me të cilat po ndeshet zoti Trump vijnë në një kohë vendimtare në garën paraprake republikane.

Donald Trump është në pozita mbrojtëse lidhur me komentet që bëri në televizionin MSNBC, kur tha se gratë që bëjnë abort duhet të ndëshkohen, nëse aborti është i paligjshëm.

Më pas, zoti Trump nxori një deklaratë ku thoshte se, në qoftë se aborti bëhet në mënyrë të paligjshme, ata që e kanë ofruar këtë abort duhet të ndëshkohen e jo gratë.

Zoti Trump është gjithashtu nën presion se ka mbrojtur menaxherin e fushatës, Corey Lewandowski, i akuzuar se i ka kapur me forcë krahun një gazetareje, e cila po përpiqej t’i bënte pyetje. “Unë e di se do të ishte shumë e lehtë për mua t’i hiqja qafe njerëzit. Por unë nuk e bëj këtë, përkundrazi, u dal zot atyre”, tha zoti Trump.

Rivali republikan Ted Cruz nuk vonoi ta sulmonte rivalin për çështjen e abortit. “Ju e dini, se ai koment ishte i gabuar, është një provë e re se sa pak ka menduar Donaldi për çështjet serioze me të cilat përballet vendi”, tha senatori Kruz.

Zoti Trump u kritikua ashpër edhe nga demokratja Hillary Clinton, që po bën fushatë në Nju Jork.

“Nëse e trajton abortin si krim, atëherë edhe gratë apo mjekët do t’i shohësh si kriminelë. Më bën përshtypje fakti se, republikanët duan një qeveri të kufizuar, përveçse kur bëhet fjalë për të drejtat e grave”.

Problemet për zotin Trump vijnë në prag të zgjedhjeve paraprake të së martës në Wisconsin, ku sondazhet tregojnë se zoti Cruz kryeson. Analisti John Fortier thotë se veç kësaj, zoti Trump figuron dobët në anketa, nëse zgjedhjet e përgjithshme bëhen tani.

“Ai ka një elektorat të ndryshëm, ku bëjnë pjesë njerëz nga më të ndryshmit. Fushata e tij është tepër e ashpër dhe e paqytetëruar”.