Më ka çu nëna me la gojën

Fatmir GUDA

“Më ka çu nëna me la gojën”, është të paktën në dukje fabula e letrës publike që kryetari i qeverisë i adreson kryetarit të opozitës për bashkëpunim në Reformën në Drejtësi. Letra publike që në fakt në stilin e Edi Ramës është një hile e vjetër e tij për të kaluar lumin e radhës, kësaj here mbyllet edhe me një fund provokativ: “ne jemi gati, ju a jeni gati?” Nëpërmjet të cilit më shumë sesa ofron duket qartë që sfidon.
Në mënyrë diplomatike e aspak refuzuese, zoti Basha në lidhje me këtë letër që i është shpërndarë më parë publikut, konstatoi vetëm brenda pak orësh gatishmërinë e tij për t’ju përgjigjur pozitivisht ftesës për takim, duke mos u treguar aspak paragjykues ndaj saj. Njëkohësisht shefi i opozitës në përgjigje të letrës së Edi Ramës u paraqit i vendosur për të mos hequr dorë nga kërkesa e vet për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme si dhe zbatimin prej mazhorancës të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për heqje mandati të dy deputetëve socialistë Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, të cilët akuzohen se janë kapur, duke përfituar fonde dhe pasuri publike në shkelje të Kushtetutës.
Ndërkohë, ndaj kësaj kthese të papritur të Edi Ramës jashtë ngacmimit nuk kanë mbetur as zyrtarë të lartë të BE. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn më shumë i entuziazmuar, por ndoshta aspak i mësuar nga ky avaz i Ramës për të maskuar mosdakortësinë dhe mosgatishmërinë për dialog politik gjoja me letra publike dakortësie e gatishmërie, padjallëzisht ka reaguar në Twitter se “mbështeste të gjitha iniciativat për dialog politik në interes të vendit dhe qytetarëve”.
Por më shumë të njohura janë bërë tashmë edhe piruetat e Edi Ramës të tipit “Po provokoj, që t’ja fus kundërshtarit dhe po s’e hëngri, po e haj vetë”, megjithëse kjo taktikë e rënon si të paqëndueshëm karakterin e lidershipit, paçka se për momentin nëpërmjet saj ai zgjedh të mbahet në lojën.
Po le t’i rikthehemi argumentit të ditës, letrës publike të Edi Ramës për ta ftuar opozitën në dialog politik për Reformën në Drejtësi dhe për një moment të kalojnë para syve kanosjet me tone të larta të zërit dhe arroganca e Kryeministrit, sipas të cilit “donte, s’donte opozita, Reformën në Drejtësi AI do e bënte edhe pa të, brenda muajit mars”. Madje, përjashtimi i opozitës nga ky proces i leverdisi aq shumë zotit Rama, saqë me gojë të tellallëve të tij Majko e Balla, arriti të kërcënonte me zgjedhje të parakohshme megjithëse jo drejtpërdrejt aleatin e vet LSI, në rast se nuk do i jepte votbesim për variantin socialist të Reformës në Drejtësi. Por tashmë shantazhet mbi këtë çështje mesa duket do t’i përkasin arkeologjisë dhe nga halli apo nga malli po kalon në planin B, atë të “dashurisë” ndaj opozitës. Pa u marrë me aktorët dhe faktorët që e bënë Edi Ramën të lëpijë atë që pështyu, pra konsensusin e munguar me opozitën, tashmë kemi një klimë krejt tjetër “dashamirësie” ndaj PD. Se sa hipokrizi apo sinqeritet do ketë letra publike e Edi Ramës, si dhe sa do zgjasë hipokrizia apo sinqeriteti i tij, ngelet të shihet nga reflektimi i tij ndaj kërkesave të opozitës për Reformën Zgjedhore, krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese prej shumicës parlamentare. Pavarësisht se edhe në këtë drejtim duket se ka një gjysëm lëvizje, teksa deputetët Leskaj e Suli i kanë drejtuar kryetarit të Kuvendit një letër të stilit “Arben Ndoka”, nga ku shprehin dakortësinë e tyre për t’u gjykuar nga Kushtetuesja, ndonëse që të ndodhë kjo duhet ajo që kërkon opozita, miratimi nga Kuvendi i një vendimi të tillë. Pra, bëri si bëri deri tani Edi Rama “e mprehu shpatën, dhe një herë për situatën”, pa menduar se brenda ditës do t’i vinte pozitive përgjigjja rrufe prej opozitës. Atij i ka mbetur tashmë të dëshmojë se letra që i nisi më parë publikut se opozitës për Reformën në Drejtësi, nuk do të rezultojë sërisht një marifet për të mos e bërë kurrë këtë Reformë në letër!