Ibra kërkon 750 mijë euro në javë nga anglezët

Edhe pse në moshën 34-vjeçare, Zlatan Ibrahimovic nuk i ul pretendimet e tij. Sipas asaj që publikiohet tek tabloidi britanik “Daily Mail”, sulmuesi suedez u ka kërkuar klubeve angleze të interesuara për të një kontratë me pagë prej 750 mijë euro në javë.

Nëse kërkesa e tij e çmendur do të aprovohej, atëherë suedezi do të përfitone 36 milionë euro në sezon, shifër kjo që është 2 herë më e lartë se ajo që ai përfiton aktualisht te PSG.

Ky pretendim i Ibrahimovic erdhi menjëherë pasi ai mësoi për ofertën që po përgatitet në Kinë për një kontratë 3-vjeçare me 25 milionë euro në sezon.

Sipas “Daily Mail”, skuadrat që janë të interesuara për të siguruar shërbimet e Ibrahimovic janë Arsenali, Manchester United, Chelsea dhe West Ham, por që tani duket se janë frenuar në pretendimet e tyre pasi tashmë te drejtuesit e tyre ka lindur pyetja nëse ia vlen të bësh një shpenzim të tillë për një lojtar që po shkon drejt moshës 35-vjeçare.